ASH: Mbështesim mësimdhënësit, para dy vitesh reaguam ndaj ligjit që pengon grevat

Sot Ministri për Arsim dhe Shkencë, Jeton Shaqiri, publikisht kërcënoi mësimdhënësit dhe drejtorët e shkollave lidhur me grevën e paralajmëruar që do të fillojë të hënën, thonë nga Aleanca për Shqiptarët, transmeton Portalb.mk.

Kjo parti kujton opinionin se për këtë situatë ka paralajmëruar dhe reaguar dy vite më parë, duke kërkuar që të ndryshojë ligji diktatorial i cili ua mohon mësimdhënësve të drejtën e grevës dhe i kërcënon ata me zëvendësim nëse hyjnë në grevë.

“Gjatë debatit për ligjin për arsim fillor dhe atë për arsim të mesëm, më 21 shtator 2020, deputetja Ilire Dauti, nga foltorja e Kuvendit bëri thirrje që të ndryshon neni i cili parasheh zëvendësimin e mësimdhënësve në rast të grevës. Kjo thirrje u injorua nga deputetët e shumicës dhe ministri për arsim dhe shkencë sot duke u thirrur pikërisht në këtë dispozitë ligjore kërcënon mësimdhënësit dhe pengon të drejtën e tyre për grevë. Aleanca për Shqiptarët si atëherë edhe sot është në mbështetje të mësimdhënësve, të drejtës së tyre për kushte dinjitoze për punë dhe të drejtës së tyre sindikale për të shprehur revoltën derisa të përmbushen kushtet. Njëkohësisht insistojmë që të bëhen edhe ndryshimet e ligjit i cili diskriminon dhe robëron edhe mësimdhënësit edhe vetë nxënësit”, thuhet në kumtesë.

Ndryshe nga MASH dhe MPPS njoftuan se mësimi nuk do të ndërpritet dhe se fëmijët do të shkojnë në shkolla dhe kopshte.

LEXO: Shkollat dhe kopshtet në RMV do të pranojnë fëmijë edhe pse arsimtarët janë në grevë, thonë nga MASH

LEXO: MPPS: Kopshtet do të vazhdojnë me punë edhe gjatë grevës

Ndryshe, SASHK ka paralajmëruar grevë të përgjithshme në arsim nga 11 prilli, pasi Qeveria nuk vendosi deri më 15 mars në lidhje me rritjen e pagës.

“Kemi një tekst të marrëveshjes kolektive të përgatitur nga grupet punuese të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës dhe SASHK-ut. Ajo që ne kërkojmë është harmonizimi me pagën minimale prej 18 mijë me kontrata kolektive, ajo të inkorporohet në kontratat kolektive, ku bazë për llogaritjen e pagës do të jetë paga minimale kombëtare. Duke qenë se paga minimale do të jetë 18.000 denarë, atëherë baza do të jetë 18.000 denarë, e cila do të shumëzohet me faktorin përkatës të kompleksitetit të vendit të punës. Në këtë mënyrë do të shmanget barazuesi, që po rritet gjithnjë e më shumë tash e disa vite – njerëzit me punë të ndryshme dhe kompleksitete të ndryshme të punës marrin të njëjtën pagë”, pati deklaruar para një muaji kryetari i SASHK-ut, Nedellkov.

LEXO: SASHK: Mësimdhënësit do të hyjnë në grevë, drejtorët të sigurojnë kujdes për fëmijët në shkolla dhe kopshte

Nëse kemi parasysh se paga minimale në vend është 18.000 denarë, numër ky që shumëzohet me koeficientin e kompleksitetit të punës, i cili për pozitën mësues në arsimin fillor është 2.503, atëherë del se paga e një mësues duhet të jetë 45.054 denarë. Për një profesor në arsimin e mesëm ky koeficient është 2.533, që do të thotë se paga e arsimtarit në arsimin e mesëm duhet të jetë 45.594 denarë. Për pozitën e pastruesit koeficienti është 1.3, që do të thotë se një pastruesit në shkollë do të merrte pagë prej 23.400 denarë.

 

 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button