Kosova e Serbia ende pa marrëveshje për targat, Lajçak apeloi për zgjidhje

I dërguari special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak e cilëson urgjente arritjen e një marrëveshjeje mes dy vendeve për çështjen e targave, raportoi EN.

Lajçak thotë se të enjten është mbajtur takimi i shtatë i dy delegacioneve, por ende problemi nuk ka marrë zgjidhje.

“Me afrimin e afatit, është urgjente të arrihet një kompromis për të përmirësuar lirinë e lëvizjes në rajon. Është përgjegjësi e të dyja palëve të bien dakord për një zgjidhje”, shprehet i dërguar i BE.

Në bazë të marrëveshjes së arritur në Bruksel mes Kosovës dhe Serbisë, nga 4 tetori i vitit 2021 ka nisur së zbatuari përkohësisht regjimi i letrave ngjitëse në vend të heqjes së targave të makinave të regjistruara në Kosovë dhe Serbi.

Kjo masë është parashikuar të zgjasë gjashtë muaj deri në gjetjen e një zgjidhjeje të përhershme për këtë çështje, për çfarë dy palët kanë formuar grupet pune.

Grupet u ngritën pas vendimit të Qeverisë së Kosovës për aplikimin e masës së reciprocitetit për targat.

Në shtator 2021 pikat kufitare Jarinje dhe Bërnjakë që lidhin Kosovën me Serbinë, për 13 ditë qëndruan të bllokuara pasi Qeveria e Kosovës vendosi reciprocitet për targat e veturave nga Serbia.

Pas më shumë se 13 ditë bllokade këto dy pika kufitare u liruan më 4 tetor, pas marrëveshjes së arritur në Bruksel.

Afati i fundit për arritjen e një marrëveshjeje është fundi i muajit prill.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button