Dita 43: OKB përjashtoi Rusinë nga Këshilli për të Drejtat e Njeriut

Ukraina dëshiron sanksione që ekonomikisht janë mjaft shkatërruese me qëllim që Rusia t’i japë fund luftës së saj, pasi akuzoi disa vende se ende i japin përparësi parave mbi dënimin për vrasjet e civilëve, të cilat Perëndimi i dënon si krime lufte. Bota demokratike duhet të refuzojë naftën ruse dhe të bllokojë plotësisht bankat ruse nga sistemi financiar ndërkombëtar, tha presidenti Volodymyr Zelenskiy në fjalimin e tij të përditshëm. Pasi imazhet e tmerrshme të civilëve të vdekur në rrugët e Buças shkaktuan dënimin ndërkombëtar, Zelenskiy tha se forcat e Kremlinit po përpiqeshin të mbulonin provat e mizorive. Moska ka mohuar se ka shënjestruar civilët dhe thotë se imazhet e trupave në Buça janë inskenuar për të justifikuar sanksione kundër Moskës dhe për të prishur bisedimet e paqes, transmeton Portalb.mk.

20: 55 – OKB përjashton Rusinë nga Këshilli për të Drejtat e Njeriut

Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara pezulloi të enjten Rusinë nga Këshilli i OKB-së për të Drejtat e Njeriut në përgjigje të njoftimeve për “shkelje të rënda dhe sistematike dhe abuzime të të drejtave të njeriut” nga pushtimi i trupave ruse në Ukrainë.

Projekt-rezoluta e propozuar nën udhëheqjen e Shteteve të Bashkuara, u miratua me 93 vota pro, ndërsa 24 vende votuan kundër dhe 58 vende abstenuan. Një shumicë prej dy të tretash votash pro të anëtarëve që votuan – abstenimet nuk llogariten – ishte e nevojshme për të pezulluar Rusinë nga këshilli prej 47 anëtarësh.

Pezullimet nga Këshilli janë të rralla. Libia u pezullua në vitin 2011 për shkak të dhunës kundër protestuesve nga forcat besnike të udhëheqësit të atëhershëm Muammar Gaddafi.

Rezoluta e miratuar nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së prej 193 anëtarësh shpreh “shqetësim të madh për krizën e vazhdueshme të të drejtave të njeriut dhe humanitare në Ukrainë”, veçanërisht për njoftimet për abuzime të të drejtave nga Rusia.

Rusia kishte paralajmëruar vendet anëtare se një votë pro ose abstenim do të shihej si një “gjest jomiqësor” me pasoja për marrëdhëniet dypalëshe, sipas një komenti të parë nga agjencia Reuters.

Rusia ishte në vitin e dytë të mandatit tre-vjeçar në këshillin me qendër në Gjenevë, i cili nuk mund të marrë vendime ligjërisht të detyrueshme. Megjithatë, vendimet e tij dërgojnë mesazhe të rëndësishme politike dhe mund të autorizojnë hetime.

Moska është një nga anëtarët më të zëshëm në këshill dhe pezullimi i saj e ndalon atë të flasë dhe të votojë, thonë zyrtarët, megjithëse diplomatët e saj mund të marrin ende pjesë në debate.

16:14 – G7-a dënoi “mizoritë ruse” në Buça

Grupi i shtatë shteteve më të industrializuara (G7), ka dënuar “rëndë” ato që i ka konsideruar “mizori” të kryera nga Rusia në qytezën Buça dhe rajone tjera të Ukrainës.

“Imazhet e vdekjeve, viktimave të torturës dhe ekzekutimet, si dhe raportimet për dhunë seksuale dhe shkatërrim të infrastrukturës civile, tregojnë fytyrën e luftës brutale të Rusisë kundër Ukrainës dhe popullit të saj”, ka thënë G7 përmes një deklarate të lëshuar më 7 prill.

“Masakrat në qytezën Buça dhe qyteza tjera do të shtohen në listën e mizorive dhe në listën e shkeljeve të ligjit ndërkombëtar, duke përfshirë ligjin për të drejta të njeriut, të cilat janë kryer nga agresori në tokën ukrainase”, është thënë në deklaratë.

Imazhet nga Buça, qytezë në verilindje të Kievit, janë bërë publike këtë javë. Zyrtarët lokalë kanë thënë që më shumë se 300 njerëz janë vrarë nga forcat ruse vetëm në Buça dhe rreth 50 prej tyre janë ekzekutuar. Moska ka hedhur poshtë këto dyshime.

Grupi i G7-ës, që përbëhet nga Kanadaja, Franca, Gjermania, Italia, Japonia, Mbretëria e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara, ka thënë përmes një deklarate se është i gatshëm t’i ndihmojë Ukrainës në mbrojtjen e vetvetes nga pushtimi i paprovokuar rus, “duke përfshirë dërgimin e pajisjeve ushtarake dhe ndihmën financiare”.

Mes tjerash në deklaratë është thënë se G7-ta do të vazhdojë të rrisë presionin ndaj Rusisë, duke vendosur masa kufizuese për të penguar kapacitetet ruse për të vazhduar agresionin kundër Ukrainës.

Presidenti rus, Vladimir Putin, ka urdhëruar pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt. Ai ka urdhëruar “operacion special” për të çmilitarizuar Ukrainën. Veprimi i Kremlinit ka nxitur zemërim dhe është dënuar në shumë vende të botës. Shtetet e Bashkuara dhe aleatët janë përgjigjur me sanksione të ashpra kundër Moskës.

15:19 – Kërkesat e Ukrainës në NATO: “Armë, armë, armë”

Ministri i Jashtëm ukrainas, Dmytro Kuleba, kritikoi të enjten mëdyshjen e disa vendeve për të përmbushur kërkesat e Ukrainës për armë, për shkak të frikës se mos përfshihen në konfliktin me Rusinë. Ministri Kuleba tha se duke i dhënë Ukrainës atë që i nevojitet, ukrainasit do të bëjnë luftën, kështu që askush tjetër nuk do të duhet ta bëjë atë.

“Unë mendoj se marrëveshja që ofron Ukraina është e drejtë: ju na jepni armë, ne sakrifikojmë jetët tona dhe lufta mbetet e kufizuar në Ukrainë”, tha ministri Kuleba, transmeton Zëri i Amerikës.

Ai foli në Bruksel së bashku me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, para takimit me ministrat e jashtëm të NATO-s, në të cilin sekretari Stoltenberg tha se aleatët do të trajtojnë nevojën e Ukrainës për sisteme të mbrojtjes ajrore, armë kundërtank dhe forma tjera të mbështetjes.

“Sa më shumë armë të marrim dhe sa më shpejt të mbërrijnë në Ukrainë, aq më shumë jetë njerëzore do të shpëtohen, aq më shumë qytete dhe fshatra nuk do të shkatërrohen dhe nuk do të ketë më Bucha”, tha ministri Kuleba, duke përmendur zonën jashtë kryeqytetit ku ushtarët rusë akuzohen për vrasjen e civilëve ndërsa po tërhiqeshin.

Ministri Kuleba mirëpriti sanksionet e reja perëndimore kundër Rusisë, por bëri thirrje për masa të mëtejshme, duke përfshirë një embargo të plotë ndaj naftës dhe gazit rus, përjashtimin e të gjitha bankave ruse nga sistemi bankar SËIFT dhe mbylljen e porteve për anijet dhe mallrat ruse.

“Shpresoj se nuk do të përballemi më kurrë me një situatë kur për të rritur trysninë e sanksioneve, na duhen mizoritë si ato në Bucha për t’u zbuluar, për të bërë përshtypje dhe për të tronditur partnerët e tjerë deri në atë masë sa ata të ulen dhe të thonë: ‘Dakord, mirë, ne do të vendosim sanksione të reja’”, tha ministri Kuleba. “Unë nuk besoj se ukrainasit duhet të paguajnë me jetën, ferrin dhe vuajtjet e tyre për vullnetin politik të partnerëve për të vendosur sanksione”.

Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre perëndimorë thanë të mërkurën se po vendosin “sanksione të reja, të rënda dhe të menjëhershme ekonomike” kundër Rusisë, duke ndaluar investimet amerikane atje, duke bllokuar plotësisht institucionet më të mëdha financiare të vendit dhe duke synuar pasuritë e fëmijëve të rritur të presidentit rus, Vladimir Putin.

Masat e reja, sipas Shtëpisë së Bardhë, janë ndëshkim për mizoritë kundër civilëve ukrainas që dyshohet se janë kryer nga trupat ruse, përfshirë ato të zbuluara ditët e fundit në Bucha afër Kievit.

11:31 – Pentagoni: Rusët janë tërhequr plotësisht nga Kievi dhe Çernihivi

Pentagoni njoftoi se forcat ruse kanë përfunduar tërheqjen e tyre nga rajonet e Kievit dhe Çernihivit.

“Ata përfunduan tërheqjen në mënyrë me qëllim që përsëri të konsolidohen dhe pajisen në Bjellorusi dhe Rusi. Momentalisht nuk ka trupa ruse në dhe rreth Kievit dhe Çernihivit”, tha zëdhënësi i Pentagonit John Kirby, duke shtuar se Vladimir Putin nuk kishte arritur asnjë nga qëllimet e tij strategjike.

Rusët kanë marrë kontrollin e disa vendbanimeve të vogla, por ende nuk e kanë marrë Kharkivin.

Kjo pason pasi Moska njoftoi se do të përqendrojë përpjekjet e saj në rajonin lindor të Donbasit. Pentagoni thotë se rusët mund të kthehen në Kiev në të ardhmen dhe është e paqartë nëse trupat e tërhequra do të kthehen.

Sipas Institutit për studime të luftës, forcat ruse që tërhiqen nga rajoni i Kievit nuk ka gjasa të rifitojnë efektivitetin e tyre luftarak për ca kohë. Numri i trupave të tërhequr vlerësohet në 24.000.

“Nga 130 batalionet ruse të dërguara në Ukrainë, më shumë se 80 mbeten në vend”, thonë nga Instituti.

10:01 – Borrell: Rusia e ktheu konfliktin e armatosur në Evropë 30 vjet pas luftës në BeH

Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian (BE) për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, sot ka theksuar se 30 vjet nga lufta në Bosnjë e Hercegovinë, Rusia e ka kthyer konfliktin e armatosur në Evropë.

“Shërimi i plagëve kërkon kohë, forcë dhe angazhim. Udhëheqësit e Bosnjë e Hercegovinës doemos duhej të punonin për të pajtuar dhe kapërcyer trashëgiminë e së kaluarës, për një BeH paqësore dhe të begatë, me një të ardhme evropiane”, shkroi Borrell në Twitter.

Borrell do të marrë pjesë sot në një takim të ministrave të jashtëm të NATO-s në Bruksel, në të cilin aleanca pritet të diskutojë ndihmën ushtarake shtesë për Ukrainën dhe mbrojtjen e aleatëve.

09:20 – Boris Johnson: Vrasjet në Bucha nuk janë shumë larg gjenocidit

Kryeministri i Britanisë së Madhe, Boris Johnson, foli gjatë video-mesazhit rusisht. Ai tregoi për masakrën në qytetin Bucha dhe u bëri thirrje qytetarëve rusë që të informohen për realitetin dhe të zbulojë të vërtetën rreth pushtimit të Ukrainës dhe ofensivës brutale të Vladimir Putinit në Ukrainë. Boris Johnson tha se nuk beson se presidenti Putin vepron në emrin e tyre.

Kryeministri i Britanisë së Madhe tha se vrasjet në Bucha “nuk janë shumë larg gjenocidit” dhe shtoi se Britania e Madhe do të vendosë më shumë sanksione ndaj regjimit të Putinit.

Duke folur për sanksionet ministrja e Jashtme e Britanisë së Madhe, Liz Truss, tha se sanksionet e deritanishme ekonomike kishin pasur një “ndikim gjymtues” dhe “e kanë rikthyer ekonominë ruse në epokën sovjetike”.

Edhe ambasadorja e Britanisë së Madhe pranë Kombeve të Bashkuara, Barbara Woodward, u shpreh pas lajmeve nga Bucha dhe pamjeve të trupave që dergjeshin në rrugë si dhe të varrezat masive se këto pamje dhe lajmet për vrasje dhe përdhunime që vijnë nga Bucha janë “të tmerrshme, prova të mundshme për krime lufte dhe ndoshta gjenocid”.

08:53 – Ukraina kërkoi nga Perëndimi embargo të plotë ndaj energjisë ruse

Ukraina do të vazhdojë të kërkojë nga Perëndimi që të vendosë embargo në naftën dhe gazin e Rusisë, pasi ky shtet nisi pushtimin e Ukrainës, tha më 7 prill kryediplomati ukrainas.

Dmytro Kuleba po ashtu bëri thirrje që aleatët e NATO-s ta furnizojnë Ukrainën me avionë, sisteme të mbrojtjes, raketa dhe makina ushtarake.

“Ne do të vazhdojmë të insistojmë për embargo të plotë mbi naftën dhe gazin”, tha ai për gazetarët, teksa foli përkrah sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg.

NATO sot vazhdon për të dytën ditë me radhë takimin me ministrat e Jashtëm të aleancës, ku po merr pjesë edhe kryedipomati ukrainas.

Rusia nisi pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt. Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë vendosur një seri pakosh të sanksioneve. Uashingtoni ka ndaluar importet e energjisë ruse, por jo edhe BE-ja.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button