RMV, filloi me punë termocentrali diellor i financuar nga BERZH-i

Centrali i parë më i madh diellor në Maqedoninë e Veriut, i financuar me mbështetjen e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) dhe donatorë bilateral nga Programi i investimeve për Ballkanin Perëndimor (PIBP), ka filluar funksionimin, është lidhur me rrjetin elektrik të vendit dhe prodhon energji të pastër, njoftuan nga BERZH, transmeton Portalb.mk.

Centrali diellor prej 10 MW është ndërtuar në vendin e minierës së mbyllur të qymyrit Oslomej, ndërsa është ndërtuar nga Elektranat e Maqedonisë së Veriut (EMV), kompani shtetërore e prodhimit të energjisë elektrike. Ky është centrali i parë diellor në Maqedoninë e Veriut, i ndërtuar për të diversifikuar burimet e energjisë dhe për të mbështetur dekarbonizimin. Pritet të gjenerojë pothuajse 15 GWh energji elektrike dhe të zëvendësojë 12.177 ton dioksid karboni në vit.

BERZH e mbështeti këtë investim me kredi prej 5.9 milionë euro, ndërsa donatorët bilateral nga Programi i Investimeve të Ballkanit Perëndimor dhanë grant shtesë prej 1.6 milionë euro. Vlera totale e projektit është 8.7 milionë euro.

Andi Aranitasi, përfaqësuesi i BERZh-it për Maqedoninë e Veriut deklaroi se centrali i ri diellor do t’i ndihmojë vendit, i cili ka ndotje serioze të ajrit për shkak të përdorimit të qymyrit, të zvogëlojë varësinë e tij nga infrastruktura e vjetëruar për djegien e këtij energensi.

“Oslomej do të gjenerojë energji elektrike të lirë në këtë periudhë kur çmimi i energjisë elektrike ka vlerë shumë të lartë në treg. Jemi krenarë për këtë arritje dhe jemi të gatshëm të vazhdojmë punën tonë me autoritetet e vendit, në promovimin e dekarbonizimit të mëtejshëm në Maqedoninë e Veriut”, tha Aranitasi.

Termocentrali i ri diellor ka kapacitet prej një të dhjetës së kapacitetit të vjetër të qymyrit dhe BERZH po punon me EMV-në për të investuar në termocentrale shtesë diellore. Banka miratoi gjithashtu financimin për zgjerimin e kapacitetit ekzistues në Oslomej, si dhe për ndërtimin e një termocentrali të ri në Manastir, me kapacitet total të kombinuar prej 30 MW. Bashkimi Evropian po e mbështet këtë investim me një grant investimi prej 5.1 milionë euro.

Julian Vassalo, zëvendës përfaqësues i Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shkup tha se tranzicioni i Maqedonisë së Veriut nga një vend i varur nga qymyri fillon sot, me bërjen e një hapi drejt zbatimit të Agjendës së Gjelbër për Ballkanin Perëndimor, në përputhje me Marrëveshjen e Gjelbër Evropiane.

“Faza e parë e investimit në fotovoltaikë solare 10 MW në Oslomej është investimi i parë në burimet e rinovueshme të energjisë. Shfrytëzimi i energjisë diellore për krijimin e energjisë së pastër sjell përfitime të shumëfishta në jetën e njerëzve duke reduktuar ndotjen dhe njëkohësisht duke rritur sigurinë energjetike të vendit”, tha Vassalo.

Përveç mbështetjes financiare, Banka po punon me autoritetet në Maqedoninë e Veriut për të trajtuar implikimet për pabarazinë e tranzicionit energjetik dhe për të identifikuar mundësitë për diversifikim ekonomik në këtë fushë, duke përfshirë riorganizimin dhe zhvillimin e aftësive. BERZH do t’i ndihmojë vendit të kryej dialog diagnostikim dhe dialog gjithëpërfshirës mbi politikat për tranzicion të drejtë drejt burimeve të rinovueshme të energjisë. Projekte të tilla pritet të jenë shembull domethënës për rajonin më të gjerë të Ballkanit Perëndimor, i cili përballet me sfida të ngjashme dhe kërkon tranzicion sektorial të gjelbër, gjithëpërfshirës dhe të barabartë.

Programi i Investimeve në Ballkanin Perëndimor dhe Italia e mbështetën investimin duke financuar vlerësimin e fizibilitetit teknik të projektit.

@Programi i Investimeve në Ballkanin Perëndimor mbështet zhvillimin socio-ekonomik dhe anëtarësimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE, duke ofruar financa dhe asistencë teknike për investime strategjike. Kjo është një nismë e përbashkët e Bashkimit Evropian, institucioneve financiare, donatorëve bilateral dhe qeverive të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Deri më sot, mbështetja më e madhe individuale është dhënë nga Norvegjia, Suedia, Austria, Gjermania, Italia dhe Britania e Madhe”, thonë nga BERZh-i.

Centrali diellor Oslomej 1 është një nga 21 projektet kryesore në rajonin e Ballkanit Perëndimor, i përzgjedhur për mbështetjen e BE-së në vitin 2022 përmes Programit të Investimeve në Ballkanin Perëndimor. Projekti është përcaktuar si Projekt kyç 4-Energjia e Rinovueshme në Planin Ekonomik dhe Investues të BE-së për Ballkanin Perëndimor për periudhën 2021-2027.

BERZH është investitori kryesor institucional në Maqedoninë e Veriut. Deri më sot, ajo ka investuar mbi 2.2 miliardë euro në 159 projekte në vend. Mbështetja e energjisë së gjelbër është prioritet i Bankës, pasi ndihmon në adresimin e një prej sfidave më të mëdha me të cilat përballet vendi.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button