fbpx

Bujar Osmani: RMV është në koordinim me vendet e NATO-s dhe BE-së për parandalimin e dezinformatave ruse në vend

Në një intervistë për Portalb.mk, ministri i Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani thotë se dezinformatat dhe propaganda janë një nga veglat e luftës dhe ne Qeveria i trajton si të tilla. Ai thotë se vendi ne vështirë ia del me parandalimin e penetrimit masiv të dezinformatave në bazë ditore në krijimin e opinionit publik. Sipas tij, propaganda ruse nuk është njëjtë e etabluar në të gjithë rajonin, diku është më e madhe, aty ku ka gjetur vend më të përshtatshëm dhe diku më pak. Ai thotë se duhet një punë sistemore të institucioneve të shtetit në koordinim me mekanizmat evropian dhe të NATO-s për të luftuar dezinformimin. Situata e tanishme e bën të domosdoshme mobilizimin e të gjitha kapaciteteve vendore për t’i dalë në ballë kësaj vale të dezinformatave që po e dëmton dhe sigurinë por edhe situatën e përgjithshme të mirëbesimit në vend, thotë ai.

Intervistoi Elida Zylbeari.

Maqedonia e Veriut para disa ditëve shpalli persona të padëshiruar apo persona nongrata pesë diplomat rus, për çfarë shkeljesh saktësisht bëhet fjalë?

Ministria e Jashtme por dhe shërbimet kompetente sigurisht se ndjekin punën e përfaqësuesve të jashtëm kur janë ato në shkelje të parimeve bazë të Konventës së Vjenës dhe rregullave të cilat duhet t’i respektojnë përfaqësuesit e shteteve tjera në RMV. Në moment kur konstatohet çfarëdo shkelje e këtij lloji, atëherë informohet ministria e Jashtme dhe pastaj ne marrim vendime në këtë drejtim. Me zhvillimet e fundit në Ukrainë, sigurisht se të gjitha institucionet janë më të sensibilizuara për shkak se po konstatohet një ndërhyrje më e thellë hibride, malinje, sido që ta quani, me qëllim të krijimit të një mendimi tjetër që është në kundërshtim me faktet objektive dhe me vlerat të cilat ne i përfaqësojmë dhe i promovojmë, qoftë si vend qoftë si Aleancë. Në bazë të informacioneve të fundit nga shërbimet kompetente, për shkelje të tilla të faktuara, MPJ mori vendim për shpalljen e pesë diplomatëve të Federatës Ruse si të padëshirueshëm dhe për kërkesën që ata të lëshojnë vendin. Ky nuk është vlerësim subjektiv dhe politik, por është vendim i bazuar në të dhëna konkrete për shkelje konkrete të procedurave dhe rregullave të cilat duhet t’i respektojnë të gjithë përfaqësuesit e shteteve në Maqedoninë e Veriut ashtu siç i respektojnë përfaqësuesit tonë në vendet ku janë të vendosur.

Konkretisht, a i bie kjo që kanë shpërndarë propagandë pro-ruse, a mund të na jepni më shumë detaje?
Nuk mund të flas për secilin rast konkretisht në detaje se cilat kanë qenë shkeljet edhe pse ato janë të dokumentuara si të tilla dhe në bazë të tyre kemi marrë vendimin. Është në drejtim të tejkalimit të kompetencave të cilët i ka një diplomat në vendin tonë. Këto tejkalime apo rregulla të lojës janë të përcaktuara shumë qartë edhe nga Konventa e Vjenës dhe nga marrëveshje të ndryshme bilaterale apo ndërkombëtare. Në këtë rast është konstatuar një tejkalim i tillë që kërcënon sigurinë e vendit por dhe sigurinë e gjithë aleatëve me të cilët punojmë dhe këmbejmë informata.

Si i vlerësoni marrëdhëniet Maqedoni – Rusi në këtë moment?

E dini se Federata Ruse na ka vendosur në listën e vendeve armike. Ne kemi qenë absolutisht të vendosur në qëndrimet tona për dënimin e agresionit rus në Ukrainë. Mendojmë që ky invazion i paprovokuar ishte shkelje eklatante e të drejtës ndërkombëtare dhe sistemit ndërkombëtar bazuar në rregulla, kërcënim të sovranitetit dhe integritetit territorial të një vendi të pavarur. Ne këtë akt e keni identifikuar si të tille dhe e kemi dënuar në format më të ndryshme, fillimisht në Parlament përmes votimit të rezolutës që e ka dënuar agresionin me mbështetje të përgjithshme të deputeteve qoftë të pozitës apo opozitës. Më pas, përmes bashkëngjitjes në korpusin e masave sanksionuese të Bashkimit Evropian si dhe mjeteve tjera siç janë solidarizimi me popullin ukrainas. Në këtë situatë nuk ka zona gri, është bardhë e zi, ose jeni me botën e civilizuar demokratike ose jeni me pesë shtetet të cilat në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara u identifikuan si mbështetëse të këtij invazioni.

Si do të jenë marrëdhëniet ruso-maqedonase në periudhën në vijim?

Marrëdhëniet tona edhe bilaterale përcaktohen edhe në kuadër të Aleancës së NATO-s por edhe në kuadër të statusit tonë si kandidat në Bashkimin Evropian dhe këto qëndrime janë të koordinuara. Nuk mund të parashikoj tani se si do të zhvillohet situata atje, ajo që duhet të bëjë menjëherë Federata Ruse është të ndërprejë invazionin dhe bombardimet në Ukrainë që ky proces i bisedimeve të merr epilog. Më pas natyrisht që bota demokratike do të merr vendim se çka më tutje në raport me Federatën Ruse dhe në raport me këto veprime që janë në kundërshtim me rregullat bazë të së drejtës ndërkombëtare.

Çfarë sanksionesh ka vendosur RMV ndaj Rusisë, për çfarë konkretisht bëhet fjalë?

Ne jo vetëm që jemi bashkëngjitur sanksioneve që janë si përgjigje ndaj invazionit, por edhe të gjitha masave restriktive që nga 2014 e këndej, asokohe kur Rusia aneksoi Krimenë. Janë rreth diku 300 faqe material që çdo javë aprovohen në Qeveri si forma të formalizmit konkret të këtyre sanksioneve. Këto kanë të bëjnë me sistemin financiar rus, me kompanitë, me individ të cilët BE-ja i konsideron i përgjegjës për atë që ndodh në Ukrainë. Pasi formalizohen në Qeveri, institucionet janë të obliguara t’i implementojnë ato përmes mekanizmave të tyre.

A do ketë sanksione të reja?

Kjo do të varet nga ajo se çfarë vendimesh do të merr Bashkimi Evropian. Sidoqoftë ne kemi vendosur të kemi harmonizim të plotë me politikën e jashtme dhe të sigurisë të BE-së, kjo do të thotë se në të ardhmen ne do t’ju bashkëngjitemi të gjitha vendimeve qofshin ato ndërmarrje të masave restriktive ndaj cilitdo vend, RMV pra do t’u bashkëngjitet atyre sanksioneve.

Jemi dëshmitarë të përhapjes së shumë dezinformatave lidhur me situatën aktuale në Ukrainë. Si përputhen ato në gjithë kontekstin?

Dezinformatat dhe propaganda janë një nga veglat e luftës dhe ne i trajtojmë si të tilla. Ato janë absolutisht aktive këtu në rajon, më pak ose më shumë në vende të ndryshme të rajonit. Ato janë prezente dhe kanë qenë prezente gjatë gjithë kohës dhe në të kaluarën në forma të ndryshme, tani janë intensifikuar dhe më tej. Qeveria ka ndërmarrë disa masa në këtë drejtim, ju e dini që ka ndërprerë emetimin e televizionit shtetëror rus në vend, mirëpo sigurisht se nëpërmjet të platformave të ndryshme rajonale ato vazhdojnë të veprojnë këtu, por edhe përmes platformave vendore. Kishte një analizë të një organizate joqeveritare e cila krahasonte numrin e publikimeve për Ukrainën dhe për Rusinë dhe në të mund të shihni se ka pothuajse një baraspeshë në këtë drejtim, që do të thotë se ashtu siç publikohen fakte dhe të vërteta me aq intensitet publikohet e pavërteta dhe dezinformata. Ky është një intensitet i rrezikshëm që ndikon në krijimin e opinionit publik dhe në keqpërdorimin e emocioneve të njerëzve. E gjithë kjo ndodh në një terren të papërshtatshëm për shkak të frustrimeve që kanë njerëzit në rrugën e bllokuar evropiane, kompromiset e shumta të cilat vendi ishte i detyruar t’i bënte në këto vite, dhe e gjitha kjo energji e pakënaqësisë, e frustrimit të njerëzve tani në mënyrë precize kanalizohet për të arritur qëllime konkrete. Këto qëllime janë për të thyer besimin e njerëzve në institucione, kjo mendoj që ka qenë një prej caqeve kryesore sepse në moment kur njerëzit i thyeni në besim ndaj institucioneve pastaj ato bëhen lehtë të manipulueshëm. Më pas, institucionet bëhen të parëndësishme në marrjen e vendimeve dhe kjo e vështirëson qeverisjen dhe menaxhimin në përgjithësi.

Çfarë mund të bëjë Qeveria dhe çfarë MPJ në luftën kundër dezinformatve ruse posaçërisht në përhapjen e tyre në Ballkan?

Nuk jam ekspert në luftën kundër dezinformatave, por mund të them që MPJ në kuadër të bashkëpunimit brenda Aleancës dhe brenda BE-së, është e kyçur në ato mekanizma evropian për të luftuar dezinformatat. Sigurisht se në kuadër të institucioneve ka edhe të tilla që janë kompetente drejtpërdrejt për t’u marrë me këto punë. Ka dhe Strategji nacionale e cila i përcakton hapat që duhet t’i ndërmerr shteti në përgjithësi, institucionet konkrete në veçanti, mirëpo ato duhet të jenë koherente, të implementohen ashtu siç janë përcaktuar. Kjo është një sfidë që ballafaqohet e gjithë bota dhe jo gjithnjë në mënyrë të suksesshme ia del në to.

Çfarë mendoni për reagimin e BE-së kur bëhet fjalë për luftën kundër propagandës ruse tani dhe çfarë masash dhe hapash mendoni se duhet të marrë BE për të zbutur efektet nga dezinformatat në Kremlin?

Sigurisht se edhe vet BE-ja është viktimë ose cak i kësaj propagande dhe prandaj janë këto mekanizma supranacionale ose evropiane, për të luftuar dezinformatat dhe mendoj që vendet e Ballkanit Perëndimor janë të kyçura në shfrytëzimin e këtyre mekanizmave përfshirë dhe neve. Sa janë të suksesshme këto mekanizma është një pikëpyetje. Po shihet qartë se te ne vështirë ia dalim me parandalimin e penetrimit masiv të lajmeve të rreme në bazë ditore në krijimin e opinionit publik. Merrni anketat dhe do të shihni se cili është qëndrimi i njerëzve karshi luftës, ata janë krejtësisht të dezinformuar dhe keqinformuar në këtë situatë. Nuk them se kjo krejt bëhet nga platformat vendore, ka shumë platforma që vijnë nga rajoni. Propaganda ruse nuk është njëjtë e etabluar në të gjithë rajonin, diku është më tepër aty ku ka gjetur vend më të përshtatshëm dhe diku më pak. Mirëpo kur jemi veçmë në rajon, brenda tij është shumë më kollaj të shpërndahet ndikimi. Kjo kërkon një punë sistemore të institucioneve të shtetit në koordinim me mekanizmat evropian dhe të NATO-s. Situata e tanishme e bën të domosdoshme mobilizimin e të gjitha kapaciteteve tona për ti dalë në ballë kësaj vale të dezinformatave që po e dëmton dhe sigurinë por edhe situatën e përgjithshme të mirëbesimit në vend.

Një pjesë e hulumtimeve të mendimit publik tregojnë se 45 përqind e maqedonasve do të mbështetnin një Bashkim Euro-Aziatik të udhëhequr nga Rusia? Rezultat i kujt janë këto qëndrime të qytetarëve të Maqedonisë?

Rezultatet e anketave të fundit janë dëshpëruese. Jo vetëm kjo që e thatë ju, por besimi në Bashkimin Evropian ka rënë nga 49% në 2019-tën në 8% tani. Kjo është një rënie drastike dhe shumë dëshpëruese. Unë parapëlqej të besoj se nuk është ky emocion i cili është burimor si i tillë ose inherent i njerëzve. Por, është më tepër frustrimi ndaj mos-ecjes në rrugën evropiane, bllokadat e njëpasnjëshme ndaj vendit tonë në mënyrë të paarsyeshme në momente sepse realisht vendi i kishte plotësuar moti të gjitha kushtet për të nisur bisedimet dhe tani këtë dëshpërim njerëzit e shprehin në forma të ndryshme përfshi edhe në një disponim anti-perëndimor ose disponim pro-rus. Është ndikimi i vazhdueshëm i propagandës qoftë rajonale qoftë i drejtpërdrejtë nga Moska për të kultivuar këtë disponim. E gjithë kjo e ka bërë të veten. Natyrisht që ka njerëz që janë dhe të bindur për arsye kulturore, fetare dhe të tjera, por nuk mendoj që qëndrimi dominant është inheret por është më tepër frustrim dhe zë proteste sesa zë besimi ndaj një kauze tjetër alternative nga ajo  e Bashkimit Evropian. Prandaj kur flas me miqtë në BE, them diagnoza është kjo dhe trajtimi duhet të jetë konform diagnozës, apo terapia të jetë kauzale jo simptomatike. Nuk duhet t’i trajtojmë simptomat por arsyen. E cila është arsyeja? Ajo është bllokimi i rrugës evropiane. Ta shërojmë këtë moment pastaj do të jetë shumë më lehtë për t’i kundërshtuar këto instrumente të cilat e fryjnë një disponim të krijuar nga arsye tjera.

E çfarë thotë Bashkimi Evropian në këtë?

Mendoj që zhvillimet e fundit i kanë vetëdijesuar shumë skeptikë në BE të cilët zgjerimin e shihnin si rrezik për BE-në. Kanë filluar të vetëdijesohen se në fakt zgjerimi është politika kryesore e sigurisë për Bashkimin Evropian. Ata e kuptojnë se mos ishin strategjik në vitin 2000 në anëtarësimin e vendeve të Evropës Lindore dhe Qendrore sot do ishim krejt në situatë tjetër sa i takon sigurisë së Evropës. Mirëpo ai lidership strategjik dëshmoi se sa i rëndësishëm është zgjerimi. Të njëjtën ata e kuptojnë se duhet ta bëjnë sot karshi Ballkanit Perëndimor.

Si i vlerësoni marrëdhëniet ruso-kineze?

Republika Popullore e Kinës në Kombet e Bashkuara ka qenë e përmbajtur, nuk ishte kundër rezolutës së dënimit të agresionit por nuk e kanë mbështetur. Ne kemi shpresë se edhe Kina do të bashkëngjitet botës e cila dënon këtë invazion dhe nuk do të pozicionohet me Rusinë sa i takon këtij agresioni. Mendoj që edhe Kina ka interes nga bashkëpunimi ekonomik me Evropën dhe sigurisht se nuk do të kishte dëshiruar që këto interesa ekonomike që janë shumë thelbësore edhe për Kinën edhe për Evropën të dëmtohen për shkak të një kauze e cila është e pabazë, joligjore dhe e paprovokuar.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button