fbpx

Dita 41: Lavrov: Krimet e supozuara në Buça synojnë të prishin bisedimet Moskë-Kiev

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka akuzuar Rusinë se po përpiqet të mbulojë provat e krimeve të luftës të kryera nga trupat e saj në zonat e pushtuara. Zelensky, i cili do t’i drejtohet një takimi urgjent të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të martën, akuzoi regjimin e Vladimir Putinit për ngritjen e një operacioni “propagande” për të hedhur dyshime mbi raportet se civilët ukrainas janë vrarë nga forcat e tij. “Ne gjithashtu duhet të jemi të vetëdijshëm se pas vrasjeve masive të zbuluara të civilëve në rajonin e Kievit, pushtuesit mund të kenë një qëndrim të ndryshëm ndaj krimeve të tyre”, tha lideri i Ukrainës. Ndërkohë edhe komuniteti ndërkombëtar i ka quajtur krime lufte dhe janë shtuar thirrjet për më shumë masa ndaj Moskës, e cila raportimet i ka cilësuar si provokime. Ndërsa, ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, tha se zbulimi i trupave në qytetin ukrainas të Buças, ishte “provokim” që synon të prishë bisedimet midis Moskës dhe Kievit. “Ngrihet pyetja: Për çfarë qëllimi shërben ky provokim që haptazi është i pavërtetë? Ne besojmë se kjo është për të gjetur një pretekst për të sulmuar negociatat që po vazhdojnë”, tha Lavrov në një video-mesazh të transmetuar në televizionin shtetëror rus, transmeton Portalb.mk.

23:51 – Lavrov: Krimet e supozuara në Buça synojnë të prishin bisedimet Moskë-Kiev

Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, tha më 5 prill, se zbulimi i trupave në qytetin ukrainas të Buças, ishte “provokim” që synon të prishë bisedimet midis Moskës dhe Kievit.

“Ngrihet pyetja: Për çfarë qëllimi shërben ky provokim që haptazi është i pavërtetë? Ne besojmë se kjo është për të gjetur një pretekst për të sulmuar negociatat që po vazhdojnë”, tha Lavrov në një video-mesazh të transmetuar në televizionin shtetëror rus.

Pas largimit të trupave ruse nga Buça, që gjendet afër Kievit, në rrugët e këtij qyteti u gjetën trupa të dhjetëra civilëve të vrarë. Sipas imazheve të publikuara, disa prej viktimave kishin duart e lidhura pas shpine. Këto imazhe kanë bërë që komuniteti ndërkombëtar të dënojë Rusinë, ndërkaq presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, i ka quajtur “gjenocid” vrasjet në Buça.

Ndërkaq, teksa lufta po vazhdon, Ukraina dhe Rusia po vazhdojnë përpjekjet e tyre diplomatike për gjetjen e një zgjidhjeje pas pushtimit që Moska nisi më 24 shkurt. Herën e fundit kur delegacionet u takuan sy më sy ishte javën e kaluar Stamboll të Turqisë.

Rusia pas këtyre bisedimeve njoftoi se do të zvogëlojë aktivitetet e saj ushtarake në perëndim të Ukrainës, dhe do të fokusohet në lindje, për të marrë kontrollin e rajonit të Donbasit.

Në bisedimet në Turqi, Ukraina ka propozuar që të ketë status neutral në këmbim të garancive të sigurisë. Statusi neutral nënkupton se Kievi nuk do t’i bashkohet asnjë aleance ushtarake dhe nuk do të pranojë që të ketë baza të huaja ushtarake në territorin e tij. Ndërkaq, në këto bisedime, Rusia ka thënë se nuk do ta pengojë Kievin drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Lavrov pretendoi se situata në Buça synon “të shpërqendrojë vëmendjen nga procesi i negociatave, të shpërqendrojë vëmendjen nga fakti se pala ukrainase, pas Stambollit, filloi të tërhiqej nga propozimet, dhe tentoi të vendoste kushte të reja”.

Ai shtoi se Rusia është “e gatshme” për vazhdimin e bisedimeve.

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskiy tha të martën se ushtria ruse dhe ata që i dhanë asaj urdhra për sulmet në vendin e tij, duhet të çohen para drejtësisë. Në një fjalim përmes videos para Këshillit të Sigurimit, zoti Zelenskiy tha se “kemi të bëjmë me një shtet që po e kthen veton në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara në një të drejtë për të shkaktuar vdekje”, dhe i bëri thirrje OKB-së të veprojë menjëherë për t’ia hequr këtë të drejtë vetoje Rusisë.

“Si rezultat i veprimeve të Rusisë në vendin tonë, në Ukrainë, po kryhen sulmet më të tmerrshme të luftës që nga Lufta e Dytë Botërore”, tha ai.

Në fjalimin e tij, zoti Zelenskiy përshkroi në detaje skenat e zymta në qytetin e Buças, duke thënë se Moska donte t’i kthente ukrainasit në ‘skllevër të heshtur’.

“Ushtria ruse ndoqi dhe vrau me dashje të gjithë këdo që i shërbente vendit tonë. Ata qëlluan dhe vranë gra para shtëpive të tyre ndërsa ato thjesht po përpiqeshin të thërrisnin ata që mund të kishin mbetur gjallë. Ata vranë familje të tëra, të rritur dhe fëmijë, dhe u përpoqën t’i digjnin trupat e tyre”, tha ai.

Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara në OKB, Linda Thomas-Greenfield tha se ekzistojnë prova të shumta për krime lufte nga ana e Rusisë në Ukrainë.

“Bazuar në informacionin që kemi aktualisht në dispozicion, Shtetet e Bashkuara vlerësojnë se anëtarë të forcave ruse kanë kryer krime lufte në Ukrainë”, tha ajo. Ambasadorja Thomas-Greenfield përsëriti thirrjen për përjashtimin e Rusisë nga Këshilli i OKB-së për të Drejtat e Njeriut. Ambasadori i Shqipërisë, Ferit Hoxha e mbështeti këtë thirrje.

“Rusia ka një detyrim ndërkombëtar t’i përmbahet ligjit ndërkombëtar ushtarak, ligjetve të luftës përfshirë Konventën e Gjenevës të vitit 1949 dhe protokollin e saj të parë shtesë. Rusia ka detyrimin të respektojë urdhrin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për ndalur menjëherë aktivitetin ushtarak në Ukrainë. Por për fat të keq, Rusia ka vendour të mos respektojë asnjë prej tyre dhe e ka përjashtuar veten nga ligji ndërkombëtar”, tha ai.

Shefja e çështjeve politike të OKB-së, Rosemary DiCarlo tha se Kombet e Bashkuara kishin marrë akuza të besueshme “se forcat ruse kanë përdorur bomba thërrmuese në zonat e populluara të paktën 24 herë”.

Ajo tha se po hetoheshin gjithashtu njoftimet se forcat ukrainase kanë përdorur armë të tilla. Zonja DiCarlo tha se ka pasur gjithashtu akuza për dhunë seksuale të lidhur me konfliktin nga ana e forcave ruse.

“Ato përfshijnë përdhunime në grup dhe përdhunime para fëmijëve. Ka gjithashtu pretendime për dhunë seksuale nga forcat ukrainase dhe milicitë e mbrojtjes civile”, tha ajo.

Ajo tha se Misioni Monitorues i OKB-së për të Drejtat e Njeriut në Ukrainë po punonte të verifikonte të gjitha akuzat. Ambasadori i Rusisë në OKB Vassily Nebenzia tha para këshillit se ” dëgjuam edhe një herë një numër të madh gënjeshtrash për ushtarët dhe ushtrinë ruse”.

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Antonio Guterres paralajmëroi Këshillin e Sigurimit se agresioni i Ukrainës nga Rusia është një nga sfidat më madhore ndaj rendit ndërkombëtar “për shkak të natyrës, intensitetit dhe pasojave të tij”.

17:30 – Mbi 11 milionë persona të zhvendosur nga lufta në Ukrainë

Agjencia për mirgim e Kombeve të Bashkuara tha se mbi 11 milionë banorë janë larguar nga shtëpitë e tyre në Ukrainë që prej se Rusia nisi luftën e paprovokuar më 24 shkurt.

Sipas të dhënave që janë mbledhur deri më 1 prill, mbi 7.1 milionë persona janë zhvendosur brenda Ukrainës, tha Organizata Ndërkombëtare për Migrim (IOM).

Ndërkaq, 4.24 milionë persona të tjerë janë larguar jashtë vendit, tha agjencia për refugjatë e OKB-së, UNHCR.

“Banorët po vazhdojnë të largohen nga shtëpitë e tyre për shkak të luftës dhe se nevojat humanitare në terren po vazhdojnë të përkeqësohen”, tha shefi i IOM-it, Antonio Vitorino.

Vitorino tha se korridoret humanitare janë “nevojë emergjente” në mënyrë që të mundësohet evakuim i sigurt i civilëve dhe të garantohet transport i sigurt, duke shtuar se ka nevojë për ndihmë humanitare për personat e zhvendosur brenda vendit.

Sipas një hulumtimi të IOM, mbi 60 për qind e të zhvendosurve janë fëmijë, ndërkaq, 57 për qind janë të moshuar. Afër 30 për qind ishin persona me sëmundje kronike.

16:00- Ukraina paralajmëroi për hapjen e korridoreve humanitare

Zëvendëskryeministrja e Ukrainës, Iryna Vereshchuk, tha se shtatë korridore humanitare do të hapen më 5 prill për të evakuuar civilët nga disa prej zonave më të goditura nga lufta, përfshirë qytetet jugore të Mariupolit dhe Berdianskas.

Vereshchuk tha përmes një postimi në Telegram se banorët e këtyre dy qyteteve do të lejohen të evakuohen vetëm përmes transportit privat dhe më pas do të udhëtojnë drejt qytetit të Zaporizhjas.

Korridore të tjera do të hapen në qytetin Tokmak, në rajonin Zaporizhja, dhe në qytetet Severdonjecks, Lisiçansk, Popasna dhe Hirske, që gjenden në rajonin e Luhanskut.

“Pavarësisht premtimeve të udhëheqjes së tyre, forcat ruse nuk po lejojnë që askush të udhëtojë për në Mariupol”, tha Vereshchuk.

“Ata kanë bllokuar përfaqësuesit e Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq në Manhush [rreth 20 kilometra në perëndim të Mariupolit]…. por, pas negociatave, ata u liruar mbrëmjen e kaluar dhe u dërguan në Zaporizhja”, shtoi ai.

Ende është e paqartë nëse Rusia është pajtuar që të ndërpresë luftimet në zonat ku është njoftuar se do të hapen korridoret humanitare.

Përpjekjet e mëhershme nga Ukraina për të evakuuar civilët përmes korridoreve humanitare gjerësisht kanë dështuar për shkak se luftimet kanë vazhduar pavarësisht se disa marrëveshje armëpushimi ishin arritur me Rusinë.

15:10- Spanja dëboi afër 25 diplomatë rusë

Spanja do të dëbojë afër 25 diplomatë rusë dhe staf të Ambasadës ruse në Madrid, bëri të ditur ministri i Jashtëm spanjoll, Jose Manuel Albares, duke iu bashkuar shteteve të Bashkimit Evropian në përgjigje të krimeve të pretenduara të luftës të kryera nga trupat ruse në Ukrainë.

“Ne kemi vendosur të dëbojmë diplomatë dhe staf nga Ambasada ruse në Spanjë, të cilët paraqes rrezik për interesat dhe sigurinë e shtetit tonë”, tha kryediplomati spanjoll të martën, duke shtuar se nuk përjashton masa të mëtejme ndaj Rusisë.

Sipas ministrit Jose Manuel Albares dëbimi i diplomatëve u bë në përgjigje të “veprimeve të tmerrshme të kryera në ditët e fundit në Ukrainë, veçmas në Buça, dhe për veprimet e tjera që u raportuan në Mariupol”, tha ai duke iu referuar zbulimit të një varreze masive dhe civilëve të vrarë në qytetin ukrainas të Buças.

Albares tha se Qeveria pret që Rusia të kundërpërgjigjet, duke dëbuar diplomatë spanjollë.

Pamje nga lufta në Ukrainë, foto: AA
Pamje nga lufta në Ukrainë, foto: AA

15:05- Dy zyrtarë të lartë të BE-së vizitojnë Ukrainën “këtë javë”

Dy prej diplomatëve më të lartë të Bashkimit Evropian do të udhëtojnë në Kiev “këtë javë” teksa blloku evropian synon të tregojë mbështetje për Ukrainën, pas pushtimit të paprovokuar rus në këtë shtet.

Zëdhënësi i Komisionit Evropian, Eric Mamer ka thënë më 5 prill se presidentja e këtij trupi, Ursula von der Leyen dhe shefi i diplomacisë së BE-së, Josep Borrell do të realizojnë këtë udhëtim para ngjarjes “Ngrihuni për Ukrainën”, që do të mbahet në kryeqytetin polak, Varshavë më 9 prill.

Ky do të jetë udhëtimi i dytë i zyrtarëve të nivelit të lartë të BE-së në Kiev, pasi presidentja e Parlamentit Evropian, Roberta Metsola ka qenë në Ukrainë javën e kaluar.

Pamje nga lufta në Ukrainë, foto: AA
Pamje nga lufta në Ukrainë, foto: AA

14:40- Presidenti gjerman, Steinmeier: Me Putinin nuk do të ketë “kthim në normalitet”

Presidenti i Gjermanisë, Frank-Walter Steinmeier tha se nuk do të ketë kthim në normalitet me Rusinë nën qeverisjen e presidentit rus Vladimir Putin.

Në një deklaratë për kanalin e dytë gjerman ZDF, Steinmeier vuri në dukje se duhet të ndahen nga njëri-tjetri Putini i cili foli në vitin 2001 në Parlamentin Federal të Gjermanisë dhe Putinin “luftënxitës” i cili në vitin 2022 ka mbyllur veten e tij si në bunker. “Duhet të mendohet se çfarë është përjetuar në këtë rrugëtim 20 vjeçar”, tha Steinmeier i cili shtoi se “Gjëja për të ardhur keq është se kemi dështuar në shumë mënyra”.

Pas këtyre dështimeve, Steinmeier tregoi mos integrimin e Rusisë në arkitekturën e sigurisë së Evropës.

“Ky është një ‘bilanc i dhimbshëm’. Ky bilanc i dhimbshëm përfshin edhe vlerësimin e gabuar që edhe një Putin në vitin 2022 nuk do ta çojë vendin e tij në kolaps politik, ekonomik dhe moral për ëndrrat e tij imperialiste”, tha Steinmeier.

Në pyetjen e gazetarit se “Si e sheh të ardhmen? A mund të ketë një të ardhme me Rusinë e Putinit apo vetëm një të ardhme kundër kësaj?”, presidenti gjerman tha se këtë nuk e di lidhur me Rusinë. “Jam i sigurt se nuk do të ketë kthim në normalitet me Rusinë nën qeverisjen e Putinit”, potencoi ai.

Steinmeier vuri theksin se zhvillimet pas vitit 2014 nuk mundën të ndaleshin me Marrëveshjet e Minskut. Ai shtoi se “Kishte vlerësime, paralajmërime të partnerëve në lindje të Evropës. Këto duhet t’i kishim marrë më shumë seriozisht”.

Presidenti gjerman deklaroi se ishte gabim insistimi në Linjën e Tubacionit të Gazit Natyror “Rrjedha Veriore 2” dhe se kjo i ka kushtuar besueshmërisë së Gjermanisë kryesisht në vendet në lindje të Evropës.

Pamje nga lufta në Ukrainë, foto: AA
Pamje nga lufta në Ukrainë, foto: AA

13:15- Ukraina thotë se Rusia po përgatit një sulm në juglindje të vendit

Ushtria ukrainase tha se forcat ruse po përgatiten për një sulm në juglindje të Ukrainës, ndërsa presidenti Volodymyr Zelenskyy përgatitet të flasë në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, mes zemërimit pas dëshmive se ushtarët e Moskës vranë shumë civilë ukrainas.

Qeveria e presidentit rus Vladimir Putin, po dërgon ushtarë në lindje të Ukrainës për të vënë nën kontroll zonën industriale të njohur si Donbas. Kjo pason tërheqjen ruse nga zonat përreth kryeqytetit, Kiev, që çoi në zbulimin e kufomave, duke nxitur akuza për krime lufte dhe kërkesa për sanksione më të ashpra ndaj Moskës.

Shtabi i Përgjithshëm shkroi në faqen e tij në Facebook se forcat ruse janë të përqendruara në pushtimin e qyteteve Popasna dhe Rubizhne në rajonet Donetsk dhe Luhansk dhe portin e Mariupolit në Detin e Zi. Rajonet Donetsk dhe Luhansk kontrollohen nga separatistët e mbështetur nga Rusia dhe njihen nga Moska si shtete të pavarura. Shtabi i Përgjithshëm tha se qasja në Kharkiv në lindje, qyteti i dytë më i madh i Ukrainës, është bllokuar.

“Armiku po rigrupon trupat dhe po përqendron përpjekjet e tij në përgatitjen e një operacioni sulmues në lindje të vendit tonë”, thuhet në deklaratë. “Qëllimi është vendosja e kontrollit të plotë mbi territorin e rajoneve Donetsk dhe Luhansk”.

Presidenti Zelenskyy, planifikon t’u drejtohet diplomatëve të Këshillit të Sigurimit të martën mes kërkesave për një hetim të krimeve të mundshme të luftës.

Gjermania dhe Franca reaguan duke dëbuar dhjetëra diplomatë rusë, duke sugjeruar se ata ishin spiunë. Presidenti Joe Biden tha se Putini duhet të gjykohet për krime lufte.

Shtabi i Përgjithshëm shkroi në faqen e tij në Facebook se forcat ruse janë të përqendruara në pushtimin e qyteteve Popasna dhe Rubizhne në rajonet Donetsk dhe Luhansk dhe portin e Mariupolit në Detin e Zi. Rajonet Donetsk dhe Luhansk kontrollohen nga separatistët e mbështetur nga Rusia dhe njihen nga Moska si shtete të pavarura. Shtabi i Përgjithshëm tha se qasja në Kharkiv në lindje, qyteti i dytë më i madh i Ukrainës, është bllokuar.

“Armiku po rigrupon trupat dhe po përqendron përpjekjet e tij në përgatitjen e një operacioni sulmues në lindje të vendit tonë”, thuhet në deklaratë. “Qëllimi është vendosja e kontrollit të plotë mbi territorin e rajoneve Donetsk dhe Luhansk”.

Presidenti Zelenskyy, planifikon t’u drejtohet diplomatëve të Këshillit të Sigurimit të martën mes kërkesave për një hetim të krimeve të mundshme të luftës.

Gjermania dhe Franca reaguan duke dëbuar dhjetëra diplomatë rusë, duke sugjeruar se ata ishin spiunë. Presidenti Joe Biden tha se Putini duhet të gjykohet për krime lufte.

Në një tjetër veprim mbështetës, presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen planifikon të udhëtojë në Kiev këtë javë bashkë me shefin e politikës së Jashtme të BE-së, Josep Borrell, për t’u takuar me presidentin Zelenskyy.

Pamje nga lufta në Ukrainë, foto: AA
Pamje nga lufta në Ukrainë, foto: AA

13:05 – Danimarka dhe Italia dëbuan diplomatë rusë

Italia dhe Danimarka kanë bërë të ditura dëbime masive të diplomatëve rusë, pas raportimeve për mizori të dyshuara në qytezën ukrainase, Buça.

Ministri i Jashtëm i Danimarkës, Jeppe Kofod ka thënë më 5 prill se ambasadori rus në Kopenhagë është informuar që 15 anëtarë të stafit të ambasadës do të dëbohen dhe se Qeveria e Danimarkës “ka dënuar ashpër” veprimet e ushtarëve rusë në Buça.

Edhe ministri i Jashtëm italian, Luigi Di Maio ka thënë për kanalin televiziv, RAI-news-24, se Roma ka informuar Moskën që 30 diplomatë rusë duhet të largohen nga shteti për “arsye të sigurisë kombëtare”.

“Përmes këtij vendimi, ne jemi duke dërguar mesazh të qartë te Moska se nuk do të pranojmë që zyrtarë të inteligjencës ruse të spiunojnë në tokën daneze”, ka thënë ministri Kofod përmes një deklarate.

“Ata përbëjnë rrezik për sigurinë tonë kombëtare që nuk mund ta injorojmë. Së bashku me një numër të aleatëve të ngushtë, ne kemi hasur në spiunimin që e bëjnë personat e identifikuar, nën petkun e statusit diplomatik”, ka shtuar ai.

Në deklaratën daneze është thënë se diplomatët kanë 14 ditë për t’u larguar nga shteti.

Di Maio nuk ka treguar për afatin që kanë diplomatët për t’u larguar.

Si përgjigje ndaj këtyre veprimeve, zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova, ka thënë për agjencinë e lajmeve, TASS se Moska do të marrë “masat e duhura”.

Pamje nga lufta në Ukrainë, foto: AA
Pamje nga lufta në Ukrainë, foto: AA

10:52 – Presidentiukrainas do t’i drejtohet Këshillit të Sigurimit të OKB-së

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy do t’i drejtohet Këshillit të Sigurimit të OKB-së në një takim për Ukrainën.

Britania e Madhe, kryesuesja e Këshillit të Sigurimit të OKB-së në prill, njoftoi në Twitter se do të sigurojë që “të dëgjohet e vërteta për krimet e luftës së Rusisë”.

“Ne do të ekspozojmë luftën e (presidentit rus Vladimir) Putin për atë që është në të vërtetë”, tha misioni i Britanisë së Madhe në OKB në një postim në Twitter.

Zelenskyy të hënën vizitoi qytetin Bucha, ku trupat ukrainase thuhet se kanë gjetur trupa të civilëve pas tërheqjes së trupave ruse.

Prokurorja e Përgjithshme e Ukrainës, Iryna Venediktova tha se 410 trupa të civilëve u zbuluan në zonat në rajonin më të gjerë të Kievit.

Rusia mohoi pamjet që shfaqnin civilë të vdekur në Bucha pranë kryeqytetit të Ukrainës si “të rreme” dhe një “provokim”.

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres ka bërë thirrje për një hetim të pavarur për këtë çështje.

SHBA-ja, Britania e Madhe, Gjermania dhe disa vende të Bashkimit Evropian po ashtu kanë akuzuar Rusinë për kryerjen e “krimeve të luftës” në Ukrainë pas raportimeve për mizori në Bucha.

Ambasada turke në Kiev tha se imazhet e masakrës të raportuara nga mediat nga rajone të ndryshme pranë Kievit, përfshirë Bucha dhe Irpin, janë “tmerruese” dhe bëri thirrje për një “hetim të pavarur”.

Rusia ka mohuar që trupat e saj të kenë vranë civilë derisa po tërhiqeshin nga qytetet afër Kievit.

Pamje nga lufta në Ukrainë, foto: AA
Pamje nga lufta në Ukrainë, foto: AA

09:22 – Perëndimi po planifikon më shumë sanksione kundër Rusisë

Presidenti amerikan, Joe Biden ka bërë thirrje më 4 prill që presidenti rus, Vladimir Putin të gjykohet për krime lufte dhe ka thënë se planifikon më shumë sanksione kundër Rusisë.

“Ky njeri është brutal… ajo që po ndodh në Buça është mizore”, ka thënë Biden, duke iu referuar qytezës ukrainase jashtë Kievit, ku forcat ruse është raportuar se kanë vrarë dhjetëra civilë.

Sipas Bidenit, Putin është “kriminel lufte”.

Komentet e tij kanë ardhur pasi presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky ka vizituar Buçan, ku zyrtarët ukrainas kanë thënë se kanë gjetur trupat e civilëve.

Zelensky i ka quajtur veprimet e forcave ruse si “gjenocid” dhe ka bërë thirrje që Perëndimi të sanksionojë më shumë Rusinë.

Në vizitën e tij në këtë qytezë, Zelensky, i cili është shoqëruar nga personeli ushtarak, ka thënë se skena të tilla e bëjnë edhe më të vështirë uljen në tavolinë me Rusinë dhe negociatat për dhënie fund të luftës, e cila ka nisur më 24 shkurt, si pasojë e sulmit të paprovokuar të Rusisë në Ukrainë.

“Çdo ditë, kur luftëtarët tanë hyjnë dhe rimarrin territore, e shihni se çka ndodh”, ka thënë lideri ukrainas.

“Këto janë krime lufte dhe bota do t’i konsiderojë gjenocid”, ka thënë Zelensky, duke shtuar se pret që të dhëna për krime të ngjashme të gjenden edhe në rajonet tjera të okupuara, pasi forcat ruse të dëbohen prej tyre.

Zelensky pritet të flasë më 5 prill para diplomatëve të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, të cilët janë të zemëruar nga të dhënat se forcat ruse kanë vrarë qëllimshëm civilë, disa prej tyre nëpër oborre, rrugë apo shtëpi, dhe trupat e tyre i kanë lënë ashtu.

Ministri i Jashtëm ukrainas, Dmytro Kuleba, ka parashikuar po ashtu se të dhëna për vrasje të civilëve mund të gjenden edhe në qytezat tjera që janë pushtuar nga forcat ruse.

“Tmerrin që e kemi parë në Buça është vetëm një copë ajsbergu e të gjitha krimeve që janë kryer nga ushtria ruse”, ka thënë Kuleba në një konferencë për media në Varshavë.

“Gjysmë-masat nuk janë të mjaftueshme më. Unë kërkoj sanksionet më të ashpra këtë javë, kjo është lutja e viktimave të dhunimit dhe vrasjeve. Nëse keni dyshime për sanksionet, shkoni fillimisht në Buça”.

Moska ka hedhur poshtë këto deklarata dhe disa zyrtarë të Kremlinit i kanë përshkruar ato si “provokime” me qëllim të diskreditimit të Rusisë.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov ka thënë se “ne hedhim poshtë të gjitha dyshimet”.

Ai ka shtuar se Rusia është duke kërkuar një takim në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për të diskutuar ato që Moska i konsideron si “provokime ukrainase”.

Britania, e cila aktualisht mban presidencën e Këshillit të Sigurimit, ka thënë se ky institucion do të diskutojë për situatën në Ukrainë, ashtu siç është planifikuar, më 5 prill.

Më herët, Ministria ruse e Mbrojtjes ka pretenduar, pa të dhëna, se imazhet në Buça janë “një tjetër inskenim i regjimit të Kievit” dhe se të gjitha trupat ushtarake ruse kanë lënë këtë qytezë para 30 marsit.

Komiteti për Hulumtime në Rusi ka thënë më 4 prill se do të nisë hetime nën akuzat se Ukraina ka përhapur “informacion të rremë” për veprimet e forcave ruse në Buça.

Bashkimi Evropian ka nisur diskutimet për sanksione të reja kundër Rusisë pas raportimeve për mizori, ka thënë shefi i diplomacisë në BE, Josep Borrell.

Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre janë duke u koordinuar për sanksione të reja kundër Rusisë dhe planifikojnë që t’i prezantojnë ato këtë javë, ka thënë Këshilltari amerikan për Siguri Kombëtare, Jake Sullivan.

Sullivan ka thënë po ashtu se forcat ruse janë duke u ripozicionuar në rajonet e Ukrainës në lindje dhe jug, pas përballjes me rezistencë më të madhe sesa është pritur nga ukrainasit në Kiev.

Ministrja gjermane e Mbrojtjes, Christine Lambrecht, i ka thënë transmetuesit ARD, se zyrtarët evropianë “duhet të flasin për ndalje të furnizimeve me gaz nga Rusia”, edhe pse kancelari gjerman, Olaf Scholz u ka rezistuar më parë sanksioneve që prekin eksportet ruse të energjisë.

Shtetet e Bashkuara dhe Britania kanë thënë se synojnë tërheqjen e Rusisë nga Këshilli i Kombeve të Bashkuara për të Drejta të Njeriut.

Ambasadorja amerikane në OKB, Linda Thomas-Greenfield, ka thënë se prezenca e Rusisë në këtë Këshill është “farsë”.

Edhe shtetet tjera në botë kanë dënuar mizoritë e dyshuara në Ukrain dhe kanë bërë thirrje për masa kundër Rusisë.

Pamje nga lufta në Ukrainë, foto: AA
Pamje nga lufta në Ukrainë, foto: AA

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button