Pastrimi i deponive në komunat e Maqedonisë lindore është shtyrë për një vit të tërë

Nga marsi i vitit të kaluar, nëpërmjet prillit e shtatorit, e deri te një premtim i ri për pranverën e ardhshme. Ky është seriali i premtimeve gjatë një viti të tërë, për fillimin e pastrimit të deponive komunale jo standarde dhe vendgrumbullimeve të plehrave që e ndotin ujin, tokën dhe ajrin në 18 komuna të rajonit Lindor dhe Verilindor të vendit, raporton Portalb.mk.

Pranvera erdhi, por deri tani nuk ka asnjë njoftim nga autoritetet shtetërore dhe komunale për fillimin e projektit që kap vlerën prej rreth 10 milionë euro. Deponitë e mbushura me mbetje do të duhet të pastrohen, ndërsa lokacionet duhet të rikultivohen, rreth tyre duhet të vendoset gardh dhe ndërmarrjet publike komunale do të duhet të kontrollojnë rregullisht cilësinë e ujërave nëntokësore, të kontrollojnë qëndrueshmërinë e mbulesës që do të vendoset në ato deponi dhe të pastrojnë kanalet e ujërave atmosferike.

Meta.mk dy herë, më 7 dhe 15 mars, i dërgoi pyetje Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, duke kërkuar informacion se kur do të fillojë pastrimi i deponive ilegale në lindje të vendit, si dhe rikuperimi i deponive ekzistuese jo standarde komunale. Deri sot nuk kemi marrë përgjigje për pyetjet tona.

Informacionet e fundit që kemi pranuar nga kjo ministri në fillim të vitit, ishin se po punohet në plotësimin e dokumentacionit të nevojshëm, pasi disa nga kantieret që duhet të pastrohen dhe rikultivohen nuk janë përfshirë fare në planet urbanistike. Ndryshe, një kompani gjermane dhe një turke u përzgjodhën vitin e kaluar për të nisur procesin, që parasheh mbylljen e deponive ekzistuese komunale dhe pastrimin e rreth 30 deponive ilegale në rajonin e planifikimit Lindor dhe Verilindor.

Realizimi i të gjithë procesit është pjesë e vendosjes së një sistemi rajonal të menaxhimit të mbetjeve në të dy rajonet.

Me mjetet e siguruara, gjatë muajve në vijim do të pastrohen të 104 deponitë e identifikuara në të dy rajonet. Paralelisht me pastrimin e deponive të mbeturinave dhe rikuperimin e deponive komunale jo standarde, ishte planifikuar të fillojë procedura e tenderit për përzgjedhjen e kontraktuesit për ndërtimin e deponisë rajonale në fshatin Meçkuevci, komuna e Sveti Nikollës.

Por ndërkohë, kryetari i ri i Komunës Sveti Nikollë, Dejan Vlladev në fillim të vitit deklaroi publikisht se kundërshton ndërtimin e deponisë rajonale në vendin e planifikuar, për të cilin është përgatitur dokumentacioni i plotë i projektit dhe duhet shpallur tender për gjetjen e një kompanie për ta ndërtuar.

Pas këtij njoftimi, më 25 shkurt ka mbajtur seancën e Këshillit të Komunës së Sveti Nikollës, ku shumicën e ka partia opozitare VMRO-DPMNE.në të cilën u vendos që deponia rajonale të zhvendoset nga fshati Meçkuevci. Në këtë seancë këshilltarët nga LSDM-ja kërkuan të dëgjohen argumentet kundër ndërtimit të deponisë rajonale në lokacionin e paraparë, ndërsa e majta kërkoi referendum të detyrueshëm.

Kryetari Dejan Vlladev në seancë tha se referendumi është zgjidhja përfundimtare, nëse qeveria vendos t’i hiqet kompetencat komunës për deponinë. Në seancën komunale mori pjesë edhe deputetja nga VMRO-DPMNE në Kuvend, Bllagica Lasovska.

Pavarësisht se kjo lëvizje e komunës së Sveti Nikollës e pengon ndërtimin e deponisë së parë moderne sipas standardeve të BE-së në vend, vendimi komunal ka gjasa të ketë pasoja jo vetëm pas pastrimit të deponive dhe mbylljes së deponive komunale në të dy rajonet planifikuese, por do të sjellë në rrezik dhe 40 milionë eurot e parashikuara si fonde të pakthyeshme nga BE-ja për ndërtimin e deponive rajonale.

Në të njëjtën kohë, pyetja e madhe që shtrohet është se kush do t’i kthejë mjetet prej disa milionë eurosh për përgatitjen e dokumentacionit të projektit për lokacionin afër Meçkuevcit, por edhe paratë që tashmë janë përdorur për blerjen e kamionëve për grumbullimin e mbeturinave dhe kontejnerëve për seleksionimi i mbetjeve për të gjitha komunat nga rajoni i planifikimit Lindor dhe Verilindor.

Ndryshe, pastrimi i deponive të mbeturinave dhe rikultivimi i deponive ekzistuese komunale, të cilat në fakt nuk kanë asnjë leje mjedisore dhe ndotin mjedisin, duhet të bëhet në dy faza. Aktivitetet e ardhshme që duhet të fillojnë në pranverë janë faza e parë e procedurës së përgjithshme për mbylljen e deponive në rajonin e planifikimit Lindor dhe Verilindor. Me fazën e dytë që do të vijojë në të ardhmen, duhet të mbyllen të gjitha lokacionet e mbetura, të cilat me mbetjet e grumbulluara aktualisht janë të rrezikshme për tokën, ujin dhe ajrin në këto rajone.

Në rajonin Lindor janë regjistruar gjithsej 12 deponi komunale jo standarde dhe 72 vendgrumbullime të plehrave, ndërsa në rajonin verilindor 6 deponi komunale dhe 32 vendgrumbullim ilegale të plehrave. Ndër to, deponia më e madhe është “Krasta” e Kumanovës, ndërsa shumë komuna viteve të fundit janë ankuar për djegien e mbeturinave dhe ndotjen e ajrit për shkak të deponive, si dhe për tokën dhe ujërat mbitokësore dhe nëntokësore që shfrytëzohen për qëllime të ndryshme të popullatës.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button