RMV: Dhjetë vjet më vonë?*

“A country without positive vision of the future has no future!”
(Populli që s’ka vizion pozitiv për të ardhmërinë e vet, s’ka ardhmëri!)
James Pethokoukis, “American Enterprise Intsitute”

Shoqëritë që e duan veten dhe që mendojnë për qytetarët e vet bëjnë projeksione, parashikime dhe punojnë për të nesërmen apo të ardhmen e vet. Futurizmi social si filozofi nënkupton kategorinë e njerëzve që merren me ardhmërinë e vet, të shoqërisë dhe mjedisit ku ata jetojnë, me ndryshimet e mundshme dhe me çështjen e vitalitetit dhe ngritjes kolektive. Popujt kompetitivë njërin sy e kanë në të ardhmen. Ata kanë bile dhe revista si “Journal of Future Studies” (Rvista për studime të së ardhmes).

Fred Polak në veprën e vet Image of the future (1973) ka identifikuar katër kategori të besimit lidhur me të ardhmen, të ndara në dy boshte: (1) lart-majtas: punët shkojnë mirë dhe më mirë; s’mund të bëjmë gjë dhe, pse të brengosemi? Gjithçka është OK. (2) lart-djathtas: punët janë mirë dhe shkojnë edhe më mirë; mund të veprojmë për ta përmirësuar gjendjen. (3) poshtë-majtas: punët po shkojnë keq, bota po ecën drejt ferrit; ne s’mund të bëjmë asgjë; (4) poshtë-djathtas: punët po shkojnë keq, bota po shkon në djall; ne mund të veprojmë për t’i ndryshuar gjërat për nga e mira dhe ta shmangim katastrofën. Siç shihet boshtet djathtas janë proaktivë, edhe kur gjërat ecin mirë edhe kur ka krizë kërkohet veprim, ndryshimi.

Maqedonia e Veriut si një nga vendet e tranzicionit të papërfunduar po përballet me shumë probleme, nga korrupsioni, partizimi i institucioneve, papunësia (18.4%), cilësia e ulët e jetesës, polarizimet e brendshme, problemet politike me fqinjët e shumë të tjera. A ka ardhmëri ky vend? Si e shohim ne të nesërmen e këtij vendi dhe shoqërie duke u bazuar na ndryshimet ekonomike, trendet sociale dhe demografike, sfidat e sigurisë etj? A jemi duke duke imagjnuar kreativisht një të ardhme në të cilën ia vlen të jetohet (a future worth living in)?

Sipas nesh në dhjetë vitet e ardhshme së pari duhet të ndryshohet klima e përgjithshme që për momentin shënohet nga një defetizëm social. Duhet që politika t’i bëjë njerëzit të besojnë në vetvete dhe në një të ardhme më të ndritur. Në veçanti atë rinore që të ndalet fluksi i shpërnguljes së trurit më fisnik. Duhet që të mos lejojmë studentë që do shprehen me niçeanen: “Ju s’keni veshë për fjalët e mia!” Nuk duam të imagjinojmë qytete që tkurren demografikisht si Gostivari (2021) me minus 21.272 dhe si Manastiri me minus 10.221 banorë krahasuar me regjistrimin e vitint 2002. Duhet që në anketat me të rinjtë – studentët lidhur me pyetjen se çka është determinuese në gjetjen e punës të mos na dalin rezultate si këto: 88% afiliacioni politik, 7% kualitetet e kandidatit dhe 4% procedurat legale. Shpresojmë të krijohet një klimë kur institucionet do të interesohen për studentët më të mirë, do t’i piketojnë ata dhe do t’u ofrojnë mundësi për vetërealizim. Përderisa s’ka meritokraci do të ketë edhe brain-gain edhe brain-hunting, përfitim të vendeve të tjera nga kuadrot dhe të talentet tona. Duam zhvillimi politikash publike që fëmijët do të na i mbajnë pranë e jo të jetojmë në ankth se do të na braktisin dhe do të fiken dritat gjithandej.

Në dekadën e ardhshme imagjinoj një Maqedoni mirëfillti europiane, një shtet që nuk ngulitet në histori (“Macedonia Timeless”, “Skopje 2014”) por në të ardhmen, ku paga mesatare do t’iu mundësojë qytetarëve një jetë më të dinjitetshme, jo vazhdimisht të presin 1-shin e muajit të ardhshëm. Shëndeti i qytetarit të mbrohet si në vendet me ekonomi të avancuar. Të mos vdesin njerëz nga pakujdesia. Të kemi salla operacioni me kushte optimale. Të respektohen të drejtat e njeriut, të mos kemi procese të pafundme dhe të padrejta gjyqësore; të mos kemi raste si ai Amblës, të respektohet çdo qenie.

Të gjenerojmë një administratë efektive, të ndërgjegjshme dhe llogaridhënëse e jo të korruptuar. Të kemi një RMV jeshile, Green North Macedonia, një vend ku ruhet ambienti jetësor, me parqe pa mbeturina, me kulturë ekologjike, pa qenë endacakë që mund t’ju dalin nga s’e prisni. S’dua të besoj që Tetova dhe Shkupi të  shfaqen në kulmin e qyteteve më të ndotura në botë. Shpresojmë të kemi qytete pa krim urban, të ndërtuara natyrshëm dhe në koherencë me habitatin dhe parimet e estetikës. Jo ngrehina që sjellin profit por që shkaktojnë degradim ekologjik, bllokim trafiku dhe mosfunksionalitet urban.

Në dhjetëvjeçarin e ardhshëm shpresojmë të kemi investime më të mëdha në arsim.  Maqedonia e veriut ka ndarë 3.3 % të BPV-së në vitin 2002 dhe 0.8 % për vitin 2018 për arsimin sipëror, kurse 3.7 % më 2019 për arsimin në përgjithësi. Ndërkohë që Norvegjia ka veçuar 6.62 %, Izraeli 6.24 %, Islanda 5.76 % të BPV-së për institucionin e arsimit. Të kemi mësimdhënës të aftë në ICT (teknologji të informacionit dhe të komunikimit), që njohin së paku një gjuhë të huaj, të kemi së paku një universitet brenda 1000 sipas Jai Tong University Ranking List. 10 vjet më vonë presim që bibliotekat dhe qendrat kulturore rinore të kenë më shumë vizitorë se kafenetë. Duam që sukseset në sport të jenë permanente, të mos konstatohet se kanë qenë koincidencë. Kohezioni në kombëtaren e futbollit të reflektohet edhe në fushat e tjera të jetës. Duam që RMV-në ta shoh në pidestalin e vendeve që kanë vizion për të ardhmen (Most Forward-Looking Countries) e jo në kategorinë e futureless zone. Si qytetarë të këtij vendi imagjinojmë që pas dhjetë viteve të mund të udhëtojmë nëpër vendet e Ballkanit pa pika kufitare, lirshëm, sikur të lëvizim prej një qyteti në një tjetër, p.sh. prej Shkupi në Strumicë. Të mos tregojmë pasaportë as letërnjoftim për të udhëtuar  në Selanik, Sofje apo Tiranë. Të shpëtojmë nga reduktimi në vend të “ajvarit” të “sallatës maqedonase”, apo të “cosmodisk demokracisë”, siç e cilësoi funksionimin e sistemit politik presidenti paraprak i RMV-së. Në vitin 2032 përfytyrojmë një Maqedoni të Veriut që pas modifikimeve tekstuale do t’i këndohet himni edhe nga shqiptarët, me të cilën do të identifikohemi të gjithë dhe ku shifrat e regjistrimit nuk do jenë vendimtare për fatin e një kombi, grupi etnik apo komuniteti. Në vitin 2032 imagjinojmë një shtet ku edhe kryeministri apo presidenti shqiptar nuk do të përbëjnë surprizë dhe shkak frustrimi për askënd.

Është ndoshta e konsumuar, por do ta themi: duam që RMV të shndërrohet një “Zvicër e Ballkanit”.

*Kumtesë e shpalosur në panel-diskutimin me rastin e jubileut dhjetëvjeçar të Portalb.mk në temën “Vizioni i Maqedonisë së Veriu”, 31 mars 2022. 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button