Mbrojtja e civilëve në kohë lufte

Ka disa javë që banorët e Mariupolit vazhdojnë të jenë të rrethuar nga forcat dhe granatimet e ushtrisë ruse. Qeveria ukrainase dërgoi 45 autobusë për të larguar civilët nga qyteti tashmë fantazmë i Mariupolit. Kurse presidenti Vlladimir Zelenski tha se “Ukraina po përgatitet për një ofensivë të re ruse në rajonin lindor të vendit”.

Hapja e korridoreve për civilët ukrainas deri më tani ka qenë e pamundur, përshkak të rrethimit të qytetit nga ushtria ruse dhe pasigurisë së krijuar për krijimin e një korridori humanitarë e që do të bënte të mundur evakuimin e banorëve. Deklarimeve të zyrtarëve rusë rreth një korridori të sigurt askush nuk mund t’ju besojë. Në fund javës, përfundimisht u krijuan kushtet që mijëra fëmijë dhe gra të largohen nga qyteti tashmë pa jetë.

Përkundër pengesave ruse, Kryqi i Kuq Ndërkombëtarë (KKN), u detyrua të ndërpresë evakuimin të premten, për arsye të sulmeve ushtarake ruse. Që nga fundi i shkurtit, mbi tre milionë refugjatë përfshirë gra dhe fëmijë janë shpërngulur në shtetet fqinj të Ukrainës. Ajo që duhet nënvizuar, është se dikur BRSS-ja dhe tash Rusia janë nënshkruese e konventave ndërkombëtare dhe protokolleve, që lejojnë krijimin e zonave të sigurta dhe formimin e korridoreve humanitare. Sidoqoftë, në Çeçeni, Gjeorgji, Siri e tash në Ukrainë, Rusia e Putinit shumë pak apo aspak i respekton ligjet humanitare ndërkombëtare. Për fat të keq, Rusia e Putinit po largohet nga çdo gjë njerëzore dhe është kthyer në një shtet që nuk merr parasysh asgjë.

Për lexuesit tanë me rëndësi është t’i shohim disa aspekte të konventave ndërkombëtare dhe respektimit të të njëjtave nga shtetet nënshkruese dhe themeluese. Konventat e Gjenevës që u miratuan para vitit 1949, kishin të bënin vetëm me luftëtarët dhe jo me civilët të zënë në mes zjarrit. Dispozitat në lidhje me mbrojtjen e popullatës nga pasojat e luftës dhe mbrojtjen e tyre në territoret e pushtuara janë të përfshira po ashtu në “Rregulloret në lidhje me ligjet dhe zakonet e luftës në tokë”, të qartësuara mirë në Konventat e Hagës të vitit 1899 dhe të 1907-tës. Pasi luftërat botërore të shekullit XX shkaktuan miliona të vdekur dhe vuajtje të popullatës, “Dispozitat e Hagës” rezultuan të pamjaftueshme për shkak të rreziqeve që buronin nga lufta ajrore dhe problemeve që lidheshin me trajtimin e civilëve në territoret e okupuara.

Këtu, duhet theksuar se konferencat ndërkombëtare të Kryqit të Kuq të viteve 1920 i vunë bazat e para të të drejtave të civileve në kohë lufte. Tani jo vetëm në Ukrainë, por edhe në konfliktet tjera botërore, (KKN)-ja ka pasur dhe vazhdon të ketë një rol kryesorë dhe ndërmjetësues në ndërtimin e korridoreve humanitare. Në këtë drejtim të përpjekjeve ndërkombëtare për ligje dhe të drejta në kohë lufte, duhet shtuar se konferenca diplomatike e vitit 1929, e cila e rishikoi “Konventën e Gjenevës për të plagosurit dhe të sëmurët në zona lufte”, hartoi gjithashtu “Konventën për trajtimin e të burgosurve të luftës”. Një projekt konventë që përmban 33 nene e përgatitur nga komiteti i KKN-së u miratua nga konferenca ndërkombëtare e Kryqit të Kuq e mbajtur në Tokio në vitin 1934 e cila ndryshe quhet si “Drafti i Tokios”. Ajo që u bë më tej debat në kancelaritë evropiane, ishte nevoja për siguri më të madhe për civilët. Si gjatë Luftës së Parë Botërore (LPB) dhe gjatë Luftës së Dytë Botërore (LDB), ngjarjet tragjike njerëzore, treguan për nevojën e një konvente për mbrojtjen e civilëve në kohë lufte. Konventa e miratuar në vitin 1949 i merr në konsideratë përvojat e LDB-së. Pjesa më e madhe e Konventës si pjesa e III bashkë me nenet prej 27-141, parashtron dispozitat që rregullojnë statusin dhe trajtimin e personave të mbrojtur nga konventa. Këto dispozita bëjnë dallimin midis situatës së të huajve në territorin e njërës prej palëve në konflikt dhe asaj të civilëve në territorin e pushtuar. “Konventa e IV e Gjenevës në lidhje me mbrojtjen e personave civilë në kohë lufte” e vitit 1949, ka gjithsej 159 nene dhe tre anekse shtesë. Njeri ka të bëjë me draft marrëveshjen në lidhje me spitalet, zonat dhe lokalitetet e sigurisë. Aneksi i dytë me projekt rregulloret në lidhje me lehtësimin kolektiv dhe i treti quhet “Karta e internimit”.

Sipas asaj çfarë thuhet aty, konventa nuk i zhvlerëson dispozitat e “Rregullores së Hagës” së vitit 1907 për të njëjtat çështje, por është plotësuese dhe kërkon përgjegjësi nga aktorët e luftës. ShBA gjatë luftës së Rusisë në Ukrainë, ka akuzuar Moskën për krime lufte të ushtrisë ruse. Po ashtu, KKN-ja po bën përpjekje për evakuimin e civilëve të zënë ngushtë në zonat e prekura nga granatimet ruse. Në fund, duket e pakuptimtë që Rusia të vazhdojë më tej të mbetet në organizatat ndërkombëtare me këtë qasje të shkeljes të së drejtës humanitare. Pavarësisht sulmeve ruse në pjesën civile, Moska ka dështuar në strategji. Rusia e Putinit ka lënë pas mijëra varreza. Dhe shpresat për të rrethuar dhe hyrë në Kiev, janë zbehur. Mirëpo, pjesa veri-lindore dhe jugore e Ukrainës veçanërisht popullata e të gjitha moshave e ka pësuar më shumë. Përpjekjet e KKN-së për evakuim po vazhdojnë. Ligjet ndërkombëtare për Rusinë nuk vlejnë. ShBA dhe NATO po vazhdojnë forcimim e ushtrisë së Ukrainës si një strategji afatgjate për të mposhtur Moskën. Tragjedia e cila po zhvillohet tani në Ukrainë, dikur ndodhi në Bosnjë dhe në Kosovë, ku mijëra qytetarë humbën jetën nga granatimet e ushtrisë serbe dhe si pasojë mungesës së korridoreve të sigurta për të shpëtuar nga forcat ushtarake serbe.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button