fbpx

Infrastruktura rrugore dhe faktori njeri shkaqet kryesore të aksidenteve në RMV

Maqedonia e Veriut për çdo vit regjistron një numër të lartë të aksidenteve rrugore të cilat në shumë raste janë me pasoja fatale për pjesëmarrësit në aksident ose raportohet për lëndime serioze. Faktorët që ndikojnë në numrin e aksidenteve janë të shumtë, por me theks të veçantë janë: faktori njeri dhe infrastruktura e dobët rrugore. Rreth kësaj problematike vendi mori vërejte edhe në Raportin e Progresit të publikuar nga Komisioni Evropian, shkruan Portalb.mk.

Për çdo vit në rrugët e Maqedonisë së Veriut ndodhin me mijëra aksidente rrugore ku si pasojë mija qytetarë lëndohet lehtë ose rëndë ndërkohë qindra të tjetër humbasin jetën. Nga Ministria e Punëve të Brendshme bëjnë të ditur se në tre mujorin e parë të vitit 2022 janë regjistruar më pak fatkeqësi në trafik megjithatë numri i aksidenteve mbetet tejet i lartë gjatë vitit 2021 dhe 2020. Gjatë vitit 2020 në vendin tonë janë regjistruar 3696 aksidente trafiku me pasoja të rënda, prej të cilave  115 persona kanë rezultuar me pasoja fatale. Ndërsa gjatë vitit 2021 janë regjistruar 4069 aksidente rrugore dhe 106 persona kanë humbur jetën si pasojë.

“Kontrollet e intensifikuara vazhdojnë me intensitet të lartë edhe në vitin 2022, me qëllim që të kontribojmë që ky vit të jetë sa më i sigurt. Të dhënat e tremujorit të parë të vitit 2022 tregojnë se këtë vit vazhdon trendi i uljes së ndjeshme të numrit të viktimave në aksidente trafiku. Përkatësisht, në tre muajt e parë të vitit 2022 janë 18 viktima, që është 10 më pak në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, kur ishin 28. Vetëm në mars 2022 kemi katër viktima, ndërsa në mars 2021 kanë qenë 16, që është një numër katër herë më i madh se marsi 2022.Dhe për të nxitur dhe zbatuar në vazhdimësi këto kontrolle të forcuara në trafik, nga viti 2017 kemi investuar në pajisje të vazhdueshme materialo-teknike të policisë, për të krijuar kushte më të mira pune, por edhe motivim për të punuar më profesionalisht”, deklaruan për Portalb.mk nga Ministria e Punëve të Brendshme.

Të dhëna shqetësuese mbi numrat e aksidenteve rrugore në vendin tonë pasqyron edhe analiza statistikore mbi numrin e fatkeqësive në komunikacion në periudhë 10 vjeçare.

Numri i aksidenteve rrugore në periudhë 10 vjeçare / Burimi MPB

Ekspertët vlerësojnë se shkaqet e aksidenteve rrugore janë të ndryshme megjithatë faktori njeri dhe infrastruktura rrugore janë dy faktorët kryesor të cilat dominojnë shkaktimin e aksidenteve në trafik.

“Në bazë analizës së të dhënave statistikore aksidentet e trafikut më së shpeshti i shkaktojnë 3 shkaktar (faktorë): sjellja jo e përshtatshme e njeriut 85 %; gjendja e rrugës, kushtet klimatike 10 %, lëshime teknike të automjetit 5 %. Faktori i parë është subjektiv – njeriu, ndërsa dy të fundit merren si shkaktar objektiv – rruga, automjeti. Te faktorët objektiv duhet përmendur edhe faktorin shoqëror (që merret me ndikimin e kushteve të përgjithshme shoqërore dhe me rregullat, normat e ligjet dhe vendimmarrjet e udhëheqësve në institucionet përkatëse që kanë të bëjnë me sigurinë në komunikacion) dhe faktorët natyror – kushtet natyrore, (shi, mjegull, borë, etj.) që në fakt e paraqet faktorin incident. Të gjithë këta faktorë janë të ndërlidhur në mënyrë interaktive, si ndërthurje të cilat manifestohen në rrafshin hapësirë – kohë dhe si të tillë ndikojnë në sigurinë në komunikacion”, deklaroi Feta Sinani, profesor në Fakultetin e Shkencave të Aplikuara në UT, programi studimor Inxhinieria e Komunikacionit – Transportit.

Profesori universitar Feta Sinani, sqaron për Portalb.mk se në vendin tonë infrastruktura e dobët rrugore ndikon më shumë se 10 % në numrin e aksidenteve. Siguria në komunikacion në vendin tonë cenohet nga mungesa e sinjalistikës, mirëmbajtja e rrugëve, barrierat elastike e të tjera.

“Rreziku nga shkaktimi i aksidenteve në komunikacion nga infrastruktura rrugore në përgjithësi ndikon në rreth 10 %. Te ne në RMV kjo përqindje është edhe më e lartë, si pasojë e asaj që infrastruktura rrugore nuk qëndron në gjendje të kënaqshme. Pra sa i përket gjendjes së infrastrukturës rrugore dhe sigurisë në komunikacion në vendin tonë duhet theksuar se kjo gjendje nuk është e volitshme, pasi që në shumë vende në rrugë mungon sinjalistika e mirëfilltë (e vjetërsuar, e dëmtuar, mungon, e asgjësuar, e vendosur jo në vendin e duhur), nuk kemi mirëmbajtje të vazhdueshme të elementeve përcjellëse të rrugës, mirëmbajtje të pandërprerë dhe në kohë të duhur, duke filluar nga gropat në asfalt, barrierat elastike, përvijuesit anësorë, kadadiopterët e ndryshëm, etj., deri te rrjeti apo teli mbrojtës te autoudhët që mungojnë në disa vende edhe atë në distanca të mëdha. Kjo rezulton që në RMV numri i të vdekurve është ende më i madh se “Mesatarja e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian 5 persona në 100 000 banorë”. Edhe pse në Maqedoni viteve të fundit është duke u zvogëluar numri i aksidenteve me persona të vdekur, kjo nuk është situatë që duhet të pajtohemi, pasi që numri i personave të vdekur ende qëndron mbi mesataren e vendeve anëtare të BE -së”, u shpreh profesori universitar Feta Sinani.

Sa i përket faktorit shoqëror më konkretisht është fakt se luan një rol të rëndësishëm në sigurinë e komunikacionit në vendin tonë. Në 5 vitet e fundit, pra pra nga viti 2017 deri në fund të vitit 2021, gjysma e aktgjykimeve të formës së prerë të nxjerra nga Gjykata Themelore Penale në Shkup, të vërtetuara nga instancat më të larta, për aksidente trafiku me pasoja fatale janë dënime me kusht. Një raportim i publikuar nga Vërtetmatësi.mk zbuloi se nga gjithsej 69 aktgjykime për aksidente trafiku me fatalitet, në 35 autori është dënuar me kusht, që do të thotë se nëse e përsërit veprën në një periudhë të caktuar do të duhet të vuajë dënimin me burg. Pa epilog gjyqësor edhe pas tre vitesh ka mbetur edhe tragjedia në afërsi të fshatit Llaskarcë ku si pasojë e aksidentit humbën jetën 16 pasagjerë ndërsa 38 të tjerë u lënduan.

Foto: Borçe Popovski, KolektifFoto: Borçe Popovski, Kolektif
Foto: Borçe Popovski, Kolektif

RMV duhet të zhvillojë kapacitet për të reduktuar fatkeqësitë në infrastrukturën rrugore

Në klauzolën 4, kapitulli 14 (Politika e transportit, faqe 90), në Raportin e Progresit të publikuar nga Komisioni Evropian vendit tonë iu tërhoq vëmendja se ka pasur pak progres në këtë drejtim. Raporti madje propozon që Maqedonia e Veriut të ketë parasysh disa rekomandime gjatë reformave progresive në rrugën drejt integrimit në familjen evropiane.

“Vendi është mesatarisht i përgatitur në fushën e transportit. Është bërë progres i kufizuar në periudhën raportuese. Prej shumë vitesh, sektorit të transportit i ka munguar kapaciteti administrativ dhe operacional dhe, veçanërisht, angazhimi politik për të mundësuar reformat e nevojshme sektoriale. Nuk ka pasur progres në përfundimin e reformave të sektorit kyç dhe rekomandimet e viteve të mëparshme mbeten të vlefshme”, theksohet mes tjerash në Raport.

Raporti rekomandon që vitin e ardhshëm, Maqedonia e Veriut duhet, në veçanti të ketë parasysh tre pika:

  • të forcojë kapacitetin operacional dhe administrativ të organeve inspektuese dhe të zhvillojë kapacitetin zbatues për të reduktuar fatkeqësitë në infrastrukturën rrugore dhe hekurudhore;
  • Zbatimi i masave të reformës së lidhjes për reformën hekurudhore dhe hapja e tregut të transportit hekurudhor, ngritja e një sistemi kombëtar për mbledhjen e vazhdueshme të të dhënave për aksidentet rrugore dhe finalizimi i marrëveshjeve/protokolleve në pritje të kalimit të kufirit;
  • të miratojë legjislacionin për Sistemet Inteligjente të Transportit (ITS) dhe transportin e kombinuar, dhe të bëjë përpjekje të mëtejshme për të krijuar një kuadër strategjik për të zbatuar ITS dhe rrjetet kryesore.

Megjithatë, nga MPB shprehen se po punojnë me intensitet të lartë për të garantuar siguri në komunikacion si për shoferët ashtu edhe për këmbësorët.

“Me blerjen e radarëve modernë, teknikisht shumë të sofistikuar, të pajisur të gjithë me një pajisje për regjistrimin e automjeteve gjatë natës, duke ndjekur standardet aktuale të policisë evropiane në këtë pjesë të policimit, policia jonë rrugore është unike në rajon e kompletuar me pajisje nga gjenerata e fundit, nga e cila është e pamundur të fshihet materiali i regjistruar. Për momentin njësitë organizative për kontroll dhe rregullim të komunikacionit kanë gjithsej 127 aparate për matjen e shpejtësisë – radarë dhe 55 pajisje për regjistrimin e lëvizjes në komunikacion gjatë natës. Njësitë organizative për kontroll dhe rregullim të komunikacionit kanë gjithsej 144 aparate për matjen e sasisë së alkoolit në gjak“, u shprehen nga MPB.

Nga MPB shtojnë se ky institucion zbaton masa parandaluese, qëllimi i të cilave është ngritja e nivelit të kulturës së trafikut për të kontribuar në uljen e numrit të viktimave në trafik.

“Ministria e Brendshme, përmes departamenteve të parandalimit, punon me shkollat, me më të rinjtë. Kemi formuar njësitë e komunikacionit shkollor, në të cilat punonjësit e policisë dhe nxënësit dalin së bashku në rrugë dhe miratojnë rregullat dhe rregulloret e qarkullimit në vend, në kuadër të aktiviteteve parandaluese-edukative vizitohen kopshtet në të gjithë vendin. Mbi të gjitha, siguria e këmbësorëve dhe shoferëve është një shqetësim i përbashkët dhe së bashku duhet të kontribuojmë për një siguri më të madhe në trafik. Në këtë kuadër, së fundmi këmbësorët kanë qenë prioritet në masat represive të Ministrisë së Brendshme, kështu që në tre muajt e parë të vitit 2022 janë sanksionuar 2298 drejtues mjetesh që nuk u kanë lënë përparësi këmbësorëve, por janë sanksionuar edhe 2784 këmbësorë që nuk kanë respektuar rregullat e trafikut“, shtuan nga MPB.

Sipas raportit të MPB-së të larta janë edhe rastet e lëndimit të këmbësorëve. Në vitin 2020 janë regjistruar 5866 raste të përplasjes së këmbësorëve, prej të cilëve 125 persona kanë humbur jetën ndërsa 801 persona kanë marrë lëndime të rënda. Numri është rritur gjatë vitit 2021 ku janë regjistruar 6775 raste të përplasjeve të këmbësorëve, prej të cilëve 116 persona kanë humbur jetën ndërsa 792 persona kanë marrë lëndime të rënda.

Më tej në Raport thuhet se për sa i përket legjislacionit të përgjithshëm të transportit, dokumentet kryesore strategjike për transportin dhe nën-sektorët e tij janë tashmë në fuqi. Ka pasur përparim të kufizuar në zhvillimin e një plani veprimi për të shoqëruar Strategjinë Kombëtare të Transportit 2018-2030. Kapacitetet operative dhe administrative për të gjitha llojet e transportit mbeten të dobëta. Nevojiten më shumë përpjekje për të zbatuar legjislacionin e BE-së për të drejtat e pasagjerëve në të gjitha mënyrat e transportit. Sistemi kombëtar për mbledhjen e vazhdueshme të të dhënave të aksidenteve rrugore ende nuk është krijuar dhe planet e veprimit për inspektimin dhe auditimin e sigurisë rrugore duhet të ndiqen dhe zbatohen. Inspektorati Shtetëror i Transportit duhet të forcojë kapacitetet e tij zbatuese dhe teknike. Nevojitet harmonizim i mëtejshëm për gjobat për shkeljen e Marrëveshjes Evropiane për punën e ekuipazheve të automjeteve të angazhuara në transportin rrugor ndërkombëtar (AETR). Nënshkrimi i protokollit të Interbus për shërbimet e rregullta dhe speciale të rregullta është në pritje. Plani pesëvjeçar i mirëmbajtjes së rrugëve dhe hekurudhave nuk është miratuar dhe mirëmbajtja e rrugëve mbetet e dobët. Legjislacioni për energjinë e pastër dhe mjetet e transportit rrugor me efikasitet të energjisë, dhe sistemet inteligjente të transportit nuk është në përputhje me acquis të BE-së.

Për të komentuar mbi vërejtjet e Raportit dhe për të ditur më shumë se çfarë hapash marrin institucionet relevante në përmbushjen e rekomandimeve të Komisionit Evropian redaksia jonë u drejtua deri tek Këshilli Republikan për Siguri në Komunikacionin Rrugor (KRSKRR). Edhe përkundër faktit se KRSKRR është trup këshillëdhënës i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë dhe një nga trupat kryesorë në vend i cili, përveç detyrave themelore për avancimin dhe zhvillimin e arsimit mbi komunikacionin, edukimit, kulturës dhe etikës së të gjithë pjesëmarrësve në komunikacionin rrugor, e kryen edhe funksionin e njërit nga iniciatorët kryesorë për zbatimin e masave për përmirësimin e sigurisë në komunikacionin rrugor dhe koordinator në veprimin e disa subjekteve kompetente në zbatimin e masave dhe aktiviteteve për përmirësimin e sigurisë në komunikacionin rrugor, refuzuan të përgjigjen në pyetjet e Portalb.mk.

“Ne nuk jemi institucioni relevant. Nuk mundemi të përgjigjemi në pyetjet tuaja”, deklaruan nga KRSKRR.

Përndryshe, BE ka rregulla të përbashkëta për standardet teknike dhe të sigurisë, sigurinë, standardet sociale, ndihmën shtetërore dhe liberalizimin e tregut në transportin rrugor, hekurudhor, rrugët ujore të brendshme, transportin e kombinuar, aviacionin dhe transportin detar. Me 42 vdekje në rrugë për një milion banorë, BE-ja është rajoni më i sigurt në krahasim me mesataren botërore të vdekjeve në trafikun rrugor, e cila është vendosur me mbi 180 raste fatale në rrugë.

Disklejmer, baner, vertetematesi, NED

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button