MPJ e Bullgarisë: Të dhënat e regjistrimit surprizë e madhe, dallimi mes bullgarëve dhe numrit të aplikimeve për pasaporta bullgare është drastik

Ministria bullgare e Punëve të Jashtme thotë se rezultatet e regjistrimit të popullsisë në Maqedoninë e Veriut, i cili tregoi se 3.504 persona janë deklaruar si bullgarë në vend, janë surprizë e madhe. Ky, sipas Sofjes zyrtare, është dallim drastik nga aplikimet për pasaporta bullgare, transmeton Portalb.mk.

“Republika e Bullgarisë vazhdimisht ka deklaruar se është me rëndësi të madhe krijimi i kushteve për vetëidentifikim të lirë të qytetarëve me vetëdije bullgare në Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe garantimin e të drejtave të tyre. Në këtë drejtim,me befasi të madhe i pranojmë të dhënat e publikuara për numrin e qytetarëve që janë deklaruar si bullgarë në regjistrimin e popullsisë në vend. Vëmë re se ka një mospërputhje drastike mes këtyre dhe të dhënave për numrin prej mbi 100.000 qytetarëve të Maqedonisë së Veriut të cilët personalisht kanë dorëzuar dokumente që vërtetojnë origjinën dhe vetëdijen bullgare për të marrë nënshtetësi bullgare”, thuhet në reagimin e Ministrisë së Jashtme të Bullgarisë.

Nga atje thonë se për ta objekt analize serioze është fakti se në vend për 7.2 për qind (132.260) të qytetarëve të dhënat janë marrë nga bazat e të dhënave dhe nuk numërohen aktivisht në terren, përkatësisht janë të regjistruara pa u përcaktuar përkatësia etnike apo fetare.

Ata gjithashtu theksojnë se nuk ka të dhëna për numrin e qytetarëve të Maqedonisë së Veriut që janë në diasporë, të cilët janë deklaruar si bullgarë.

“I marrim parasysh dyshimet për transparencën dhe besueshmërinë e procesit të shprehura nga organizatat e bullgarëve në Maqedoninë e Veriut gjatë regjistrimit dhe publikimit të rezultateve. Presim që zëri i tyre të dëgjohet edhe nga autoritetet në Maqedoninë e Veriut”, thuhet në reagimin e Ministrisë së Jashtme bullgare.

Për rezulta e regjistrimit në Bullgari, tashmë ka reaguar edhe ish-shefja e diplomacisë së partisë GERB, Ekaterina Zaharieva, lideri i “Ka një popull të tillë”, Slavi Trifonov, por edhe presidenti bullgar Rumen Radev, i cili akuzoi për paligjshmëri në vend dhe tha se Bullgaria duhet të vazhdojë veton, derisa të marrë garanci të qarta për të mbrojtur interesat e saj.

Ndryshe, rezultatet e regjistrimit të popullsisë së Maqedonisë së Veriut u publikuan më 30 mars. Popullsia e përgjithshme sipas përkatësisë etnike doli të jetë 54.21% – Maqedonas, 29.52% – Shqiptarë, 3.98% – Turq, 2.34% – Rom, 0.44% – Vlleh, 1.18% – Serb dhe të tjerë.

Regjistrimi i fundit në Maqedoninë e Veriut ishte realizuar në vitin 2002. Dhjetë vjet më vonë apo në vitin 2011, ai nuk u mbajt për shkak të përplasjeve mes partive politike shqiptare dhe maqedonase, mbi mënyrën e realizimit, përkatësisht për përfshirjen ose jo të qytetarëve që janë jetojnë përkohësisht jashtë vendin, e që shumica prej tyre janë shqiptarë. Ishin shpenzuar dy milionë euro, ndërsa pati edhe një procedurë parahetimore kundër dy drejtuesve të koalicionit të atëhershëm qeveritar, Nikolla Gruevskit dhe Ali Ahmetit për ndërprerjen e regjistrimit, por kjo procedurë ka përfunduar pa epilog gjyqësor.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button