Reagime pas shpalljes së rezultatit të regjistrimit në Maqedoninë e Veriut

Rezultati i së mërkurës mbi përqindjen e popullatës nga censusi i shtatorit ka krijuar mjaft debate dhe pakënaqësi si brenda partive të caktuara politike po ashtu edhe tek një pjesë e komuniteteve etnike në Maqedoninë e Veriut. Partitë e pushtetit thonë se censusi është i besueshëm, i njohur ndërkombtarisht dhe i dobishëm për mirëqenien ekonomike të vendit, raporton VOA.

Sipas të dhënave zyrtare, maqedonasit përbëjnë 58.4 përqind, shqiptarët 24.3 % dhe pakicat tjera nën 4 % të popullsisë rezidente, por mungojnë të dhëna lidhur me përkatësinë e rreth 132 mijë banorëve.

Krahas debateve politike mbi strukturën etnike, më tepër shqetësim në Maqedoninë e Veriut duket se krijon ulja e numrit të popullsisë në krahasim me regjistrimin e fundit të para njëzet vjetëve. Njohësit e çështjes thonë se është emigracioni në shkallë të konsiderueshme i qytetarëve të këtij vendi drejt Evropës Perëndimore që ka shkaktuar rënien e numrave të banorëve rezidentë.

Edhe Banka Botërorë qysh para ca vjetësh pati konstatuar se mbi 400 mijë qytetarë të këtij vendi ishin larguar brenda një periudhe dhjetë vjeçare nga vendlindja për një jetë më të mirë në shtetet perëndimore. Rreth 186 mijë është më i ulët numri i banorëve rezidentë në krahasim me censusin e vitit 2002.

Në Gostivar, për shembull ka mbi 21 mijë banorë rezidentë më pak krahasuar me njëzet vjetë më parë. Rënie të numrave ka nëpër shumë komuna, përveç qytetit të Shkupit ku janë regjistruar rreth 20 mijë banorë më shumë, por kjo mund të jetë si rezultat i shpërnguljes drejt kryeqytetit nga komuna të tjera të vendit.

Megjithatë, në rezultatet e Entit të Statistikave mungon përcaktimi etnik dhe gjuhësor i rreth 132.000 banorëve apo mbi 7%, për të cilët Enti i Statistikave thotë se e kanë bojkotuar procesin ose për arsye të tjera nuk kanë mundur të regjistrohen.

Partitë konservatore maqedonase shprehin dyshime tek të dhënat e Entit dhe paralajmërojnë mosnjohjen e rezultateve dhe organizmin e një censusi të ri sapo të vijnë në pushtet.

Enti Shtetëror i Statisatikave nuk mundi edhe pse kishte në disponim të gjitha mekanizmit që nga sistemi arsimor deri tek letërnjoftimet dhe numrat amë, etj. të përcaktojë përkatësinë e këtyre 132 qytetarëve maqedonas”, tha Antonio Milloshoski i VMRO-DPMNE-së.

Edhe Aleanca për Shqiptarët në opozitë thekson dyshimet mbi censusin, ndërsa thotë se po i shqyrton të dhënat për të dalë së shpejti me një analizë të hollësishme:

Në qoftë se kanë shkuar me një tip logjike me kryqëzim të dhënash të regjistojmë 132 mijë banorë, atëherë me po të njejtin kryqësim të të dhënave mund të regjistrohen edher ata 400 mijë banorë të tjerë të cilët nuk janë regjisrtu. Pse janë përjashtuar ata?”, pyeti Ziadin Sela kryetar i ASH-së.

Përfaqësuesit e pakicave turke dhe rome që përfaqësohen me 3,8% përkatësisht 2,5% e vlerësojnë procesin si të manipuluar politikisht dhe thonë se nuk i pranojnë shifrat.

Ndërkohë, partitë e pushtetit i kanë mirëpritur rezultatet, sikurse edhe Komisioni Evropian.

Kryeministri maqedonas Dimitar Kovaçevski thekson se censusi është realizuar sipas të gjitha standardeve evropiane dhe jep të dhëna të sigurta, të besueshme, valide dhe të dobishme.

Ali Ahmeti i BDI-së thekson se thekson se censusi nuk duhet të shërbejë për beteja të pakuptimta ndëretnike dhe se rezultatet janë njohur nga ekspertë dhe organizata ndërkombëtare:

“Po qe se hapim konteste, shqiptarët do të thonë edhe nja 200 mijë, 300 mijë nuk janë regjistruar, maqedonast po ashtu, turqit, serbët po ashtu. Dhe ]ka do të bëjmë? Shtetin tonë do ta shndërrojmë në një arenë debatesh që askund nuk na shpie, përve] se acarimit të brendshëm në mes etnive”, tha z. Ahmeti.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button