Kolumnistët e Portalbit: Vendi ka nevojë për shtetin e së drejtës dhe investime në gjeneratat e reja (VIDEO)

Portalb.mk e shënoi dhjetë vjetorin e themelimit, me këtë rast redaksia zhvilloi panel diskutimi me kolumnistët të cilët me vite shkruajnë dhe ndajnë mendimet e tyre. Pyetja për to ishte: cili është vizioni i tyre për dekadën e ardhshme të Maqedonisë së Veriut? Secili kishte mendime të ndryshme, por një gjë ku të katërtit ranë dakord ishte ideja se vendi ka nevojë për shtet të së drejtës ku ligji funksionon për të gjithë njësoj.

Profesoresha universitare dhe kolumnistja e Portalbit, Besa Arifi thotë se shteti ideal është një utopi e cila nuk realizohet, por siç thotë ajo edhe nuk është mirë të realizohet ndoshta nuk do të ishte interesante jeta në një utopi.

Besa Arifi, foto: Emir Hamzai
Besa Arifi, foto: Emir Hamzai

“Ajo që dua të them është se progres ka pasur dhe është i dukshëm, duhet të mendojmë nga ku kemi nisur, nga kemi kaluar dhe ku gjendemi tani. Gjithmonë ajo ku kemi qenë, të reflektoj në të tashmen por të jetë edhe bazë e pritshmërisë se si duhet të duket shteti në të cilin jetojmë. Një shtet duhet të jetë objekt i analizës për ata që mendojnë të mbajnë pushtetin, shteti duhet të jetë i interesuar të mbajë veçanërisht popullatën e re këtu, duke pasur parasysh se një e dhënë nga regjistrimi ishte plakja e popullatës dhe në këtë drejtim duhet punuar më shumë. Një jurist gjithmonë shtetin ideal e sheh një shtet ku sundojnë ligjet, e sheh një shtet ku parimi i ligjshmërisë zbatohet pa asnjë kompromis, ku ligji vlen njësoj si për të varfrit ashtu edhe për të pasurit, si për pushtetarët ashtu edhe për qytetarët e thjesht, si për ata që kanë shumë pasuri, si për ata që kanë pak pasuri, si për ata që janë të margjinalizuar, ashtu edhe për të gjithë etnitetet. Parimi i ligjshmërisë është ajo që e përcakton një shtet dhe e bën atë të jetueshëm. Nuk jemi ende aty ku duhet të jemi në këtë drejtim. Mbetet shumë për tu bërë, duhet shumë vullnet për të arritur aty ku me të vërtetë të krijojmë një shtet me institucione të përgjegjshme që u mundësojnë një jetë të arsyeshme aty”, tha Arifi.

Në vend i cili nuk ka vizion pozitiv për të ardhmen e vet nuk ka ardhmëri, kështu shprehet profesori universitar dhe kolumnisti i Portalbit, Ali Pajaziti i cili shtoi se popujt kompetitiv njërin sy e kanë në të ardhmen e tyre.

Ali Pajaziti, foto: Emir Hamzai
Ali Pajaziti, foto: Emir Hamzai

“Maqedonia e Veriut si një nga vendet e tranzicionit të papërfunduar po përballet me shumë probleme, nga korrupsioni, partizimi i institucioneve, papunësia, cilësia e ulët e jetesës, polarizimet e brendshme, problemet politike me fqinjët dhe të tjera. A ka ardhmëri ky vend? Në dhjetë vitet e ardhshme duhet të ndryshohet klima e përgjithshme që për momentin shënohet nga një defetizëm kolektiv social, duhet politika ti bëjë njerëzit të besojnë në vetvete dhe në një të ardhme të ndritur, në veçanti ta ndal fluksin e shpërnguljes së popullatës rinore, nuk duhet të ketë qytete që demografikisht tkurren, duhet që anketat e të rinjve mos të tregojnë se për të gjetur një vend pune duhet të jetë afiliacioni politik. Një vend ku paga mesatare të ju mundësoj qytetarëve një jetë më të dinjitetshme, jo vazhdimisht të presim njëshin e muajit të ardhshëm, shëndeti i qytetarit të mbrohet në mënyrë të avancuar. Të mos kemi raste si ai i Ëmblës, të respektohet çdo qenie humane. Të gjenerojmë administratë llogaridhënëse. Të kemi një vend ku ruhet ambienti jetësor me kulturë ekologjike. Duam qytete pa krim urban. Në dhjetë vitet e ardhshme duhet të kemi investime më të mëdha në arsim. Duam që vendin ta shohim në piedestalin që kanë vizion për të ardhmen dhe jo në kategorinë pa të ardhme. Në vitin 2032 përfytyrojmë një Maqedoni të Veriut që do t’i këndohet himni edhe nga shqiptarët, dhe ku shifrat e regjistrimit nuk do të jenë vendimtare për fatin e një kombi. Duam një Maqedoni të Veriut që do të jetë një Zvicër e Ballkanit”, tha Pajaziti.

Jetojmë në një shtet të vogël dhe na duhet të hapemi si nga brenda po ashtu edhe nga jashtë, kështu thotë kolumnistja Malinka Ristevska Jordanova.

Malinka Ristevska Jordanovska, foto: Emir Hamzai
Malinka Ristevska Jordanovska, foto: Emir Hamzai

“Dy pika mendoj se janë të rëndësishme për të ardhmen dhe vizionin tonë. Hapja që do të thotë hapje e brendshme dhe hapje e jashtme. Sigurisht që mendoj se po mendojmë më shumë për të ardhmen, për korridoret, rrugët, gjelbërim, mjedis jetësor. Ne duam të jemi pjesë e BE-së. Disa mendojnë se vetë anëtarësimi në BE do na sjell prosperitet dhe të gjitha pritjet që kemi, por ne vetë duhet t’i bëjmë ndryshimet për shoqërinë tonë dhe standardet të cilat duam ti arrijmë. Normalisht jo pa bashkëpunim me BE-në, por misioni duhet të jetë i joni. Pyetja mund të jetë se për çfarë do të njihemi kur do të jemi pjesë e BE-së? Askush nuk mund t’i bëjë ndryshimet përveç neve vetë.  Ka shumë interesа të përbashkëta për qytetarët e shtetit tonë pa dallim të entiteteve, të cilat janë hapësirat për veprim të përbashkët të cilat do të thyejnë këto zinxhire me të cilat ballafaqohet vendi”, tha Ristevska Jordanova.

Të rinjtë janë ato të cilët mund ta ndryshojnë të ardhmen, kështu beson kolumnisti Salajdin Salihi i cili shprehet se më nuk ka shpresë se shoqërinë mund ta ndryshojë brezi i tij, që siç thotë ka dështuar në këtë drejtim.

Slajdin Salihu, foto: Emir Hamzai
Slajdin Salihu, foto: Emir Hamzai

“Nëse më pyesni mua në çfarë shoqërie dëshiron të jetosh, do thoja në një shoqëri ku respektohen të gjitha vlerat themelore të një demokracie perëndimore.  Për të ndryshuar të ardhmen nuk mjafton vetëm ëndrra, por duhet ideja dhe më pas duhet veprim. Pa e njohur një shoqëri ne nuk mund ta ndryshojmë. Një shoqëri e sëmurë e degjeneron edhe individin më të ndershëm. Nuk ka popull më të humbur se sa shoqëria e cila ka rënë në ligështim. Sot i dëgjojmë politikanët dhe megafonët partiak, që na flasin vetëm për suksese dhe të ardhme të ndritur. Na flasin për të ardhme të ndritur kur e sotmja është bërë e padurueshme. A mund të na sigurojnë të ardhme më të mirë ata që kanë nxirë të sotmen? Ky sistem është ndërtuar me dekada, dhe nuk mund ta ndryshojë kjo elitë politike, se ata mbijetojnë fal këtij sistemi. Mendojë se më e keqja që mund t’i ndodhë një shoqërie është vjedhja. Kur vjedh një njeri jua ke vjedhur jetën. Sot mendoj se edhe një burim i pashterur i ligësisë është gjyqësori. Ata në vend të drejtësisë, ndajnë padrejtësi. Ne kemi demokraci të shpërfytyruar. Keqpërdorim të pronës publike. Nuk kemi shtet social, as frymë solidariteti. Baza e demokracisë është autonomia e sferave, pa to s’ka demokraci. Kemi botë të mediave, ku në vend se ti gjejmë ngjarjet nga realja, gjejmë ngjarje që i prodhon media. Një shoqëri pa ideale është shoqëri e humbur”, tha Salihi.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button