fbpx

Roli i partive shqiptare në RMV në kontekstin e luftimit të ndikimit rus (Pjesa II)

Përkundër faktit se Maqedonia e Veriut historikisht, por edhe gjeografikisht ka qenë e orientuar drejt vlerave Euro-Atlantike, qeveria VMRO-BDI në krye me ish-kryeministrin, tani azilantin Nikola Gruevski, shpesh herë „flirtonte” edhe me Rusinë. Rrëzimi i kësaj qeverie nuk ishte aq i lehtë, më të vështirë e bënin agjentët rus që kishin gisht në organizimin e 27 prillit, propagandonin kundër marrëveshjes së Prespës dhe ishin të zëshëm kundër anëtarësimit të vendit në NATO. Edhe për këto ngjarje, partitë politike shqiptare të gjitha ishin në një vijë dhe konstruktive, shkruan Portalb.mk.

Tentativa e fundit” e Rusisë për të mbajtur Gruevskin në pushtet, 27 prilli, 2017

Një ndër ditët më të zeza për demokracinë e Maqedonisë së Veriut ka qenë më 27 prill të vitit 2017, ku një grup i madh i protestuesve të orkestruar nga kryetari i partisë VMRO-DPMNE, Nikola Gruevski dhe forca të jashtme (kryesisht ruse), arritën të futen në shtëpinë ligjvënëse ku përgjakën shumë deputet dhe punonjës të mediave.

Zoran Zaev, 27 prill 2017

Më vonë, u zbulua se Rusia ka pasur gisht në orkestrimin e kësaj ngjarje përmes diplomatëve serb, gjegjësisht, bëhet fjalë për Goran Zivaljeviq, agjent i agjencisë serbe të intelegjencës, i cili në atë kohë ishte në Shkup si diplomat dhe këshilltar i Ambasadës Serbe që nga viti 2015. Zhivaleviq ishte ndjekur një kohë të gjatë nga UVK-ja, e cila kishte konstatuar se ky i fundit kishte komunikim të rregullt me deputetin e kuvendit të RMV-së, Ivan Stoilkoviq i cili ishte serb si dhe me gazetarin serb, Miroslav Lazanski. Këta tre, ishin bashkuar që të përhapin propagandë në mediat me qëllim që të provokohohej destabiliteti politik në Maqedoni.

Sipas gazetës britanike “The Guardian”, këta tre vepronin nën udhëzimet e shërbimeve sekrete ruse dhe kishin vetëm një detyrë – të pengonin Maqedoninë nga anëtarësimi në NATO.

Pas ngjarjeve të përgjakshme në kuvend, Ministria e Punëve të Jashtme ruse kishte shprehur mbështetje për Gruevskin dhe protestuesit që mësynë në Kuvend, duke thënë se LSDM, duke shkelur rëndë procedurat, ka dashur të zgjedh kryetar të Kuvendit. Sipas Ministrisë së Jashtme ruse, protestuesit me të drejtë kundërshtuan këtë.

Megjithatë, me shumicë votash dhe me përkrahjen e të gjitha partive politike shqiptare në vend si dhe në gjendje jo të zakonshme, Talat Xhaferi atë ditë arriti që të zgjedhet kryeparlamentari i parë shqiptar në historinë e Maqedonisë së Veriut ndërsa sulmin në kuvend e dënuan të gjitha partitë politike, madje edhe VMRO-DPMNE, edhe pse ishte nxitëse e saj.

Marrëveshja e Prespës dhe anëtarësimi i RMV-së në NATO

Një ndër arsyet që mbante “peng” Maqedoninë e Veriut nga anëtarësimi në NATO ishte kontesti në lidhje me emrin, që kishte vendi ynë me shtetin fqinj, Republikën e Greqisë. Më 17 qershor të vitit 2018, Maqedonia e Veriut dhe Greqia nënshkruan marrëveshje për zgjidhjen e këtij kontesti.

Dokumenti parashihte emrin aktual të vendit, gjegjësisht, “Maqedonia e Veriut” dhe u nënshkrua në Prespë, në pjesën e Greqisë nga Ministrat e Punëve të Jashmte, Nikola Dimitrov dhe Nikos Kotzias, në prani të kryeminitrave të atëhershëm, Zoran Zaev dhe Aleksis Tsipras.

Nga nënshkrimi i Marrëveshjes së Prespës. Dimitrov – Zaev – Cipras – Koxias

ShBA-të përshëndetën këtë marrëveshje

Shtetet e Bashkuara përshëndetën vendimin e Kuvendit të Maqedonisë për të inicuar ndryshimet kushtetuese të nevojshme për zbatimin e Marrëveshjes së Prespës me Greqinë, kishte deklaruar zëdhënësja e Departamentit të Shtetit, Heather Nuert.

Në deklaratë thuhet se Shtetet e Bashkuara besojnë se kjo marrëveshje është një mundësi historike për të promovuar stabilitetin, sigurinë dhe përparimin në rajon.

Për shkak se kjo marrëveshje afronte RMV-në me NATO-n, Rusisë nuk i pëlqeu

Menjëherë pas nënshkrimit të marrëveshjes reaguan nga Ministria e Jashtme Ruse, nga kjo ministri theksuan se marrëeveshja e lartpërmendur është miratuar kundër vullnetit të dy popujve, mqedonasve dhe grekëve, dhe se e njëjta është imponuar nga ana e Bashkimit Evropian dhe ShBA-ve.

Ministri i jashtëm i RMV-së së bashku me homologun e tij nga Greqia i bënë thirrje federatës Ruse që të mos përzihet në punët e brendshme të dy shteteve.

“Ministria e Punëve të Jashtme me keqardhje konstaton se Departamenti për informim në Ministrinë e Jashtme të Federatës Ruse, përsëri, në kontest negativ, apostrofon procese autentike politike mes dy shteteve, të cilat shkojnë drejt zgjidhjes së problemeve, përforcimin e besimit dhe ndërtimin e miqësisë”,- thuhet në njoftimin e Ministrisë së Jashtme të Maqedonisë.

“Ne shprehim bindjen se Rusia, e cila për vite me radhë e ka njohur IRJM-në si “Republika e Maqedonisë”, do të respektojë sensibilitetin e popullit grek në përdorimin e emrit Maqedoni dhe do t’i referohet tani këtij vendi me emrin e ri kushtetues, Maqedonia e Veriut, dhe më e rëndësishmja është që të përmbahen nga qëndrimet e tilla, sepse një gjë e tillë përbën ndërhyrje në punët e brendshme të Greqisë”, – thuhet në njoftimin e Ministrisë së Jashtme të Greqisë.

Megjithatë, kishim parti politike në vendin tonë që ishin në një vijë me qëndrimin e Rusisë, edhe atë:

  • VMRO-DPMNE

Gjorge Ivanov, ish-presidenti i Maqedonisë së Veriut ishte një kundërshtarët më të fortë të marrëveshjes së Prespës. Ai shprehej se zbatimi i saj do te sjellë pasoja negative. Sipas tij ndryshimi i emrit është vetëm në interes te Greqisë. Ivanov e bojkotoi referendumin e 30 shtatorit, si dhe mbante peng ligjin për gjuhën shqipe.

Hristijan Mickoski, kreu i këtij subjekti politik, disa herë është shprehur, sidomos gjatë fushatës elektorale për zgjedhjet e fundit parlamentare se me ardhjen e tyre në pushtet do ta shfuqizojë Marrëveshjen e Prespës“Me shumicë prej dy të tretave në Kuvend, do ta shfuqizojmë marrëveshjen e Prespës”, tha Mickoski gjatë një paraqitjeje televizive në dhjetor të vitit 2019. Deklarata të ngjashme ai ka dhënë disa herë, të cilat shpesh çonin në përplasje të vazhdueshme me partinë në pushtet, LSDM-në. Vlen të theksohet se retorika e Mickovskit në lidhje me këtë temë tanimë është zbutur.

  • E Majta (Levica)

Nëse VMRO-DPMNE-ja mund të jetë më fleksibël në këtë çështje, E Majta e cila përfaqësohet me dy deputetë në Parlament, është decide se Marrëveshja e Prespës dhe ajo e Ohrit duhen zhbërë. Kjo parti, në krye me Dimitar Apasievin madje në zgjedhjet e parakohshme parlamentare, në programin e saj sa i përket fushës së politikës së jashtme, përpos synimeve për anulim të Marrëveshjes së Prespës, asaj të Ohrit dhe rishqyrtim të Marrëveshjes me Bullgarinë një nga qëllimet kryesore në fushën e raporteve bilaterale, ishte edhe tërheqja e njohjes së Kosovës, Izraelit dhe Koresë së Jugut. Në planin e raporteve multilaterale, kjo parti synonte për dalje urgjente të vendit nga NATO dhe tërheqje të pakushtëzuar të të gjitha forcave të sigurisë nga misionet e huaja ushtarake të cilat nuk kanë mandat nga OKB.

Ndryshe, kishte edhe parti më të vogla maqedonase të cilat ishin zëshëm kundër Marrëveshjes së Prespës, por shumica e tyre nuk kishin forcë politike apo ndikim në mënyrë që të ndryshonin realitetin.

Rikujtojmë se presidenti amerikan Joe Biden pati urdhër ekzekutiv për ngrirjen e pasurive dhe ndalimin e hyrjes në ShBA ku përfshiu edhe ata që punojnë kundër Marrëveshjes së Prespës dhe asaj Kornizë të Ohrit, është mesazh i qartë, se marrëveshjet ndërkombëtare do të vazhdojnë të mbeten pikat ku administrata amerikane nuk do të bëjë kompromis dhe do t’i luftojë të gjitha aktorët që i kundërshtojnë. Pa to, vendi do të ishte zhytur drejt katastrofës, vlerësuan ekspertët në Maqedoninë e Veriut .

Partitë shqiptare të gjitha përkrahën marrëveshjen

Të gjitha partitë politike shqiptare të cilat kishin përfaqësues në shtëpinë ligjvënëse, gjegjësisht, Aleanca për Shqiptarët (ASh), Lëvizja BESA, Alternativa, Bashkimi Demokratik për Integrim dhe Partia Demokratike Shqiptare, përkrahën deklarativisht dhe me votë këtë marrëveshje.

Pa përjashtim, partitë e lartpërmendura shqiptare janë shprehur se një ndër arsyet pse kanë votuar Marrëveshjen e Prespës ka qenë hapja e rrugës së vendit për anëtarësim në NATO dhe Bashkimin Evropian.

Asnjë skenar rus nuk rezultoi i suksesshëm, Maqedonia e Veriut u anëtarësua në NATO

Në Selinë e NATO-s në Bruksel më 6 shkurt të vitit 2019 është nënshkruar Protokolli për anëtarësim të Maqedonisë në NATO me të cilin filloi faza e fundit e procesit të anëtarësimit të plotfuqishëm. Në prani të ministrit të Punëve të Jashtme të Maqedonisë, Nikolla Dimitrov dhe sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, përfaqësuesit e vendeve anëtare një nga një e nënshkruan protokollin.

Ministri Nikolla Dimitrov mbajti fjalim para përfaqësuesve të vendeve anëtare dhe sekretarit Jens Stoltenberg, ku theksoi se vendi është i përgatitur të ndërmerr përgjegjësitë që vijnë me anëtarësimin e plotë në Aleancë.

“Ky ishte rrugëtim i gjatë. Maqedonia së shpejti do të jetë Republika e Maqedonisë së Veriut, kjo është çështje ditësh. Kemi dëshmuar se mund t’i zgjidhim problemet me të cilat jemi përballë. Kjo do të jep porosi në rajon ku ende ka pasiguri. Ne jemi të përgatitur, ne jemi këtu, do t’i ndërmarrim përgjegjësitë që vijnë nga anëtarësimi në NATO. Shpresoj për zbatim efikas të ratifikimit”, tha Dimitrov.

Selia e NATO-së

Putin nuk ishte i lumtur për këtë, tha se është hap i kryer në trysni

“Kur bëhet fjalë për Ballkanin, atëherë mund të thuhet se faktori kryesor serioz për destabilizim është politika e SHBA-së dhe disa vendeve perëndimore, qëllimi të cilëve është që ta përforcojnë dominimin e tyre në rajon”, kishte deklaruar presidenti i Rusisë, Vlladimir Putin në një intervistë për “Politka” dhe “Veçerni Novosti”

Vladimir Putin
Vladimir Putin

Putin kishte shtuar se një vit më herët, sipas tij, për shkak të përshpejtimit të procesit të anëtarësimit të Maqedonisë në NATO, është bërë që t’i ndërrohet emri Maqedonisë dhe t’i bëhet revizion Kushtetutës së Maqedonisë, duke e injoruar popullin maqedonas, i cili në referendumin për ndryshimin e emrit, sipas tij, është deklaruar kundër, që nuk është e vërtetë.

Kryetari i VMRO DPMNE-së me deklarata kontroverse, vazhdoi të kundërshtojë marrëveshjen që solli deri në anëtarësimin e vendit në NATO, por thotë se mbështet anëtarësimin në aleancë

I pyetur nëse e përkrah anëtarësimin e Maqedonisë në NATO, Mickoski tha “absolutisht po” dhe se nuk mund të jetë kundër, sepse reformat më të mëdha për anëtarësim në NATO i kanë bërë qeveritë e VMRO-DPMNE-së. Megjithatë, tha se është kundër Marrëveshjes me Greqinë, të cilën e nënshkroi qeveria e Zoran Zaev dhe e cila ndryshoi emrin e vendit, shtoi se kishte vërejtje të mëdha për miratimin e asaj marrëveshjeje dhe nuk e mbështeti atë.

“E majta” ishte kundër hyrjes në NATO

“Qëllimi i NATO-s është një dhe i vetëm: shtrirja e dominimit ekomonik dhe shtrirja e doktrinës neoliberale, përkitazi me ruajtjen e statusit të SHBA-ve dhe aleatëve te saj si hegjemoni imperialiste në botë” deklaruan nga kjo parti.

Rikujtojmë se “E Majta” vazhdon të kërkojë që Maqedonia e Veriut të dalë nga NATO dhe të ndryshojë partnerët e saj strategjik. Përveç partisë “E Majta”, edhe partia pro-ruse jashtëparlamentare e Janko Bançev me emrin “Maqedonia e Bashkuar” ishte kundër anëtarësimit të vendit në NATO.

Të gjitha partitë politike shqiptare ishin për anëtarësimin e vendit në NATO dhe përshëndetën këtë vendim, klikoni KËTU për të parë deklaratën e Aleancës për Shqiptarët në lidhje me këtë, klikoni KËTU për të parë deklaratën e Bashkimit Demokratik për Integrim, KËTU për të parë deklaratën e Lëvizjes BESA, KËTU për të parë deklaratë e Alternativës dhe KËTU për të parë deklaratën e Partisë Demokratike Shqiptare.

Ndryshe, edhe pas anëtarësimit të vendit në NATO, duke shfrytëzuar deklaratat publike të ish-presidentit të shtetit, Gjorgje Ivanov, Rusia kishte tentuar në mënyra të ndryshme që të prish këtë marrëveshje por pa sukses. Sipas “Euractiv”, deri shpejt, shpresat e fundit të Rusisë kanë qenë rikthimi në pushtet i një partie nacionaliste e cila nuk do të lejonte anëtarësimin e vendit në NATO dhe ndryshimin e emrit të vendit.

LEXO PJESËN E PARË: Roli i partive shqiptare në RMV në kontekstin e luftimit të ndikimit rus (Pjesa I)

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button