Kovaçevski: Është veçanërisht e rëndësishme të kundërshtohen dezinformatat nga Rusia

Vigjilenca është veçanërisht e rëndësishme në përballjen me dezinformatat dhe gënjeshtrat që vijnë nga Rusia, të cilat janë kërcënim real për procesin demokratik në Evropë dhe në Ballkanin Perëndimor, tha kryeministri i Maqedonisë Dimitar Kovaçevski në fjalimin e tij në Mbledhjen e Kryetarëve të Qeverive të Evropës Juglindore, shtete anëtare të NATO-s, që u mbajtë dje në Sofje të Bullgarisë, transmeton Portalb.mk.

Kovaçevski theksoi që ai dhe kryeministri i Bullgarisë Kiril Petkov, i Rumanisë Nikolae Çuka dhe i Malit të Zi Zdravko Krivokapiç në takimin e djeshëm kishin për qëllim të theksojnë rreziqet dhe kërcënimet e mundshme, si dhe të theksojnë premisat që duhet të çojnë në rezistencë dhe koordinim më të mirë mes vendeve të Evropës Juglindore.

“Ky takim dërgon një mesazh edhe më të fortë për unitet dhe solidaritet me Ukrainën. Ky takim e hap rrugën për të parandaluar çdo ndikim të mundshëm në sigurinë dhe stabilitetin tonë në kontekstin e pasojave të mundshme që mund të lindin nga kriza aktuale e sigurisë dhe humanitare në Ukrainë,” theksoi Kovaçevski dhe shtoi se vendet pjesëmarrëse në këtë takim mbeten të palëkundura në dënimin e luftës në Ukrainë si dhe pushtimin e paligjshëm dhe ilegjitim nga ana e Rusisë.

Duke folur për rëndësinë e Aleancës Veri-Atlantike në këtë kohë krize, kryeministri i Maqedonisë theksoi se të jesh anëtare e NATO-s është privilegj dhe përgjegjësi jashtëzakonisht e madhe.

“Maqedonia e Veriut shënoi dyvjetorin e anëtarësimit të plotë në NATO, si garanci për sovranitetin dhe integritetin e saj territorial, si dhe investimin në sigurinë dhe stabilitetin e rajonit. Anëtarësimi i vendit tonë në NATO është tregues i fortë i vlerës së politikës së “dyerve të hapura” si parim themelor se të gjitha vendet kanë të drejtë të zgjedhin rrugën e tyre, prioritetet e tyre të politikës së jashtme dhe aranzhimet e sigurisë”, theksoi Kovaçevski.

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut tha gjithashtu se duke u përballur me realitetin e ri strategjik për sigurinë evropiane dhe transatlantike, aleatët iu përgjigjën me vendosmëri luftës në Ukrainë, duke vendosur sanksione të paprecedentë ndaj Rusisë, duke e mbështetur fuqishëm Ukrainën. Theksoi se NATO dhe BE treguan që mund të punojnë dhe të veprojnë së bashku në mbështetje të Ukrainës, por edhe të vendeve partnere si Gjeorgjia, Moldavia dhe Bosnja e Hercegovina.

“Tani është koha për të shfrytëzuar maksimalisht potencialin e mjeteve dhe mekanizmave të sigurisë bashkëpunuese dhe partneritetit të partnerëve të Evropës Juglindore, pasi jemi dëshmitarë të përkeqësimit të stabilitetit politik dhe rritjes së narrativave nacionaliste dhe populiste”, tha Kovaçevski në fjalimin e tij në takimin e liderëve të shtetet anëtare të NATO-s nga EJL.

Kovaçevski foli për pasigurinë ekonomike dhe krizën energjetike në rritje, ndërsa ngërçin në procesin e zgjerimit të BE-së e vlerësoi si veçanërisht të rrezikshëm, duke thënë se,

“Mospranimi që zgjerimi në thelb është politikë sigurie krijon hapësirë ​​shtesë për destabilitet në rajon, ndërsa mungesa e një perspektive të besueshme evropiane dhe euroatlantike për Ballkanin Perëndimor ka tendenca të shumta negative për ndikimin e palëve të treta keqdashëse, duke ngritur pasiguri në rajon dhe duke krijuar dyshime që rezultojnë me ulje të besimit të qytetarëve në BE,” tha ai në takim.

Të njëjtën gjë kryeministri i Maqedonisë e theksoi edhe në konferencën për media pas takimit.

“Vonesat e procesit të anëtarësimit në BE, për vendet e rajonit, krijojnë dyshime që mund të rezultojnë me ulje të besimit të qytetarëve në BE. Megjithatë, edhe me sfida të tilla, Maqedonia e Veriut mbetet fuqishëm e përkushtuar për ruajtjen e marrëdhënieve të mira fqinjësore dhe promovimin e bashkëpunimit ndërmjet vendeve të rajonit tonë. Është obligim i yni që të qëndrojmë të fokusuar në promovimin e atyre vlerave dhe parimeve”, vuri në pah Kovaçevski.

Në fund ai theksoi se Maqedonia e Veriut mbetet fuqishëm e përkushtuar për ruajtjen e marrëdhënieve të mira fqinjësore dhe promovimin e bashkëpunimit ndërmjet vendeve të rajonit tonë.

“Angazhimi ynë është të mbetemi të fokusuar në promovimin e këtyre vlerave dhe parimeve gjatë Kryesimit tonë të ardhshëm me OSBE në vitin 2023, si dhe të përdorim potencialin e nismave të tjera rajonale për lidhshmëri, kuptim dhe koordinim më të mirë me vendet e rajonit të Evropës Juglindore”, përfundoi kryeministri Kovaçevski.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button