Geer: Lufta në Ukrainë nuk ndikon në rrugën e RMV-së për në BE, përkundrazi e nënvizon rëndësinë e anëtarësimit (VIDEO)

Ambasadori i Bashkimit Evropian, David Geer i pyetur nga Portalb.mk tha se lufta në Ukrainë nuk ndikon në procesin e hapjes së negociatave të anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në BE, përkundrazi e rithekson rëndësinë e saj. Ndërkaq i pyetur për atë se a do të hapen negociatat këtë vit, Geer tha se duan që të njëjtat të hapen sa më shpejtë, pa dhënë përgjigje konkrete, shkruan Portalb.mk.

Situata e agresionit rus në Ukrainë dhe marrja parasysh e pasojave me të cilat mund të përballet rajoni dhe Evropa, te qytetarët e vendit ngritën pyetjen se a do të ketë ndikim në procesin e hapjes së negociatave të vendit për anëtarësim në BE. Për këtë, ambasadori David Geer i pyetur nga Portalb.mk tha se kjo nuk ndikon aspak këtë proces madje nënvizon përshpejtimin e hapjes së negociatave.

David Geer, foto: Komuna e Tetovës
David Geer, foto: Komuna e Tetovës

“Situata me luftën në Ukrainë nënvizon rëndësinë e perspektivës evropiane për këtë vend. Perspektiva evropiane për këtë vend ende ofron shpresën më të mirë për sigurinë, prosperitetin për vendin tuaj brenda sistemit demokratik të BE-së. Kështu që unë mendoj se kjo nuk ndikon aspak në BE  dhe në partnerët e saj, përkundrazi BE-ja është e vendosur që ta përshpejtojë anëtarësimin e vendit tuaj në BE sa më shpejt të jetë e mundur sipas programit të reformave në vetë BE-së”, tha Geer.

Por i pyetur për atë se a do të hapen negociatat këtë vit, Geer nuk tha as po dhe as jo, nënvizoi se duan që procesi të fillojë sa më shpejtë.

“Si Shqipëria ashtu edhe Maqedonia e Veriut kanë përmbushur kushtet për hapjen e negociatave. Pra, ne dëshirojmë të shohim hapjen e negociatave, vetë procesin e anëtarësimit sa më shpejt të jetë e mundur. Nuk duhet të them se ne urdhërojmë përpjekjet e qeverisë këtu dhe në Bullgari për të kapërcyer disa çështje të pazgjidhura bilaterale, por duam të shohim hapjen e negociatave sa më shpejt të jetë e mundur”, theksoi Geer.

Ndërkaq i pyetur për besimin e qytetarëve në gjyqësorin, sipas asaj që ambasadorja e SHBA-ve në Shkup para disa ditësh tha se sipas sondazhit të fundit të Eurothink ku vetëm 8% e qytetarëve besojnë në gjysësor, Geer tha se nuk komenton në çështjet e brendshme të shtetit për sa i përket gjyqësorit, ndërkaq tha se ajo që është normale për të është progresi që vendi ka bërë në reforma. 

“Ka progres, por duhet të punohet më shumë”, nënvizoi Geer duke iu referuar raportit të Komisionit Evropian të progresit për Maqedoninë e Veriut.

Sot në Sofje të Bullgarisë u realizua takim mes krerëve të Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë.

Kryeministri Dimitar Kovaçevski nga Sofja porositi se shtyrja e procesit të zgjerimit të Bashkimit Evropian tashmë po bëhet politikë e sigurisë dhe krijon destabilitet shtesë në rajon.

“Theksova se zgjerimi i BE-së është në thelb një politikë sigurie dhe se ngërçi në këtë proces krijon destabilitet shtesë për rajonin sepse ka disa tendenca negative, krijon hapësirë ​​për ndikim nga palët e treta. Shtyrja e procesit të anëtarësimit në BE për vendet e rajonit krijon dilema që mund të rezultojnë në uljen e besimit të qytetarëve në BE. Megjithatë, edhe me sfida të tilla, Republika e Maqedonisë së Veriut mbetet fuqishëm e përkushtuar në ruajtjen e marrëdhënieve të mira fqinjësore dhe promovimin e bashkëpunimit ndërmjet vendeve të rajonit tonë”, tha Kovaçevski.

Petkov, duke folur për veton bullgare për hapjen e negociatave të anëtarësimit të Maqedonisë për anëtarësim në BE, theksoi se është bërë përparim i madh dhe për shumë çështje që dukeshin të vështira, tani thotë se ndjen “pozitivizëm” se ato mund të zgjidhen.

“Maqedonia e Veriut i përket familjes së BE-së. Sigurisht, siç e dimë të gjithë, ne kemi standarde për të përmbushur, siç është mbrojtja e të drejtave të pakicave. Jemi në koordinim të ngushtë me partnerët e BE-së, të cilët shpesh janë palë e tretë në këto negociata. Konsideroj se një gjë të tillë do ta arrijmë së shpejti. Historikisht, marrëdhënia jonë është përmirësuar ndjeshëm në tre muajt e fundit, ne flasim shumë dhe koordinohemi dhe kemi një qëllim të përbashkët. Unë e mbështes faktin që me këtë krizë Ballkani Perëndimor duhet të jetë stabil dhe pjesë e këtij stabiliteti është edhe anëtarësimi i Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë në BE. Shpresoj se në javët e ardhshme do të përshpejtojmë negociatat”, tha Petkov.

Dimitar Kovaçevski dhe Kiril Petkov
Dimitar Kovaçevski dhe Kiril Petkov

Kujtojmë se, Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria tensionuan raportet për shkak të kontesteve historike. Sofja zyrtare kërkon që Shkupi t’i pranojë kërkesat bullgare se gjuha maqedonase është normë e asaj bullgare dhe se kombi maqedonas është krijuar nga Josip Broz Tito.

Ky kontest ka bllokuar procesin eurointegrues të vendit, me çka Bullgaria gjatë vitit 2021 i vendosi dy herë veto Maqedonisë së Veriut, njëherë në qershor, kurse më pas, më 14 dhjetor të vitit 2021, edhe një herë e bllokoi fillimin e negociatave RMV-BE.

Edhe në vitin 2020, njëjtë vendi fqinj, i vendosi dy here veto Maqedonisë së Veriut, një herë në këshillin e ministrave të Jashtëm të BE-së si dhe në Këshillin për Punë të Përgjithshme të BE-së, duke penguar në këtë mënyrë miratimin e kornizës negociuese për fillimin e negociatave të vendit me BE-në. Për zgjidhjen e kontesteve të historisë, komisioni maqedonaso – bullgar ka mbajtur takime, po nuk kanë arritur të gjejnë zgjidhje. Palët kanë mosmarrëveshje më së shumti rreth identitetit të figurave historike të Mbretit Samoil dhe Goce Delçevit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button