ANALIZË: Pritjet ekonomike: pason një betejë për mbijetesë dhe për ruajtjen e vendeve të punës! (Infografik)

Reduktim i numrit të punëtorëve në industrinë përpunuese, në sektorin e tekstilit, në xehetari, në veprimtaritë energjetike. Optimizmi për rimëkëmbjen ekonomike pas pandemisë është shkrirë. Sektori privat është përballur me probleme që nga fillimi i këtij viti. Numri i punëtorëve në industri në janar të këtij viti krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar është zvogëluar për 2,4%. Biznesmenët i dhanë vlerësimet e para për pritjet këtë vit – numri i të punësuarve në industrinë përpunuese do të ulet, shkruan analiza javore e Portalb.mk.

Të goditur nga kriza – kompanitë e vogla dhe punonjësit nga veprimtaritë me intensitet të lartë të punës…

Në muajin shkurt, sipas Agjencisë së Punësimit, janë regjistruar 127.037 të papunë – punëkërkues aktivë dhe 50.395 të tjerë të papunë – punëkërkues pasivë. Tendencat tregojnë ulje të papunësisë, por në disa industri që absorbojnë një numër të madh punonjësish dhe janë të prekur drejtpërdrejt nga kriza e re ekonomike, ka një rënie të numrit të të punësuarve – në sektorin e përpunimit dhe energjisë, në xehetari, industrinë tekstile. Edhe pse pritej që fillimi i vitit ekonomik 2022 të sinjalizonte një rimëkëmbje ekonomike në periudhën e pas Kovidit, ndodhi e kundërta – kriza e energjisë dhe gazit u pasua nga cunami i çmimeve dhe lufta në Ukrainë. Në muajin e parë të këtij viti, krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar, treguesit ekonomikë tregojnë tendenca negative. Numri i të punësuarve në industri u zvogëlua për 2,4%, me ç’rast rënie u regjistrua në pothuajse të gjitha veprimtaritë që përfshijnë një numër të madh punonjësish.

Nëse analizojmë më hollësisht në llojet e industrive, të dhënat tregojnë se vetëm në prodhimin e tekstilit numri i të punësuarve është ulur për 10,6%, në industrinë e lëkurës për 5,9%, një rënie të numrit të punëtorëve prej 1,6% ka pasur në prodhimin e produkteve ushqimore.

Nga ana tjetër, disa nga sektorët kanë shënuar rritje të numrit të të punësuarve, në industrinë farmaceutike për 5%, në prodhimin e mobiljeve për 2,4%, në prodhimin e kimikateve dhe produkteve kimike numri i të punësuarve është rritur për 8,2%. Megjithatë, më të prekurat janë veprimtaritë me intensitet të lartë të punës, të cilat përfshijnë edhe numër më të madh punonjësish. Kështu, vetëm në industrinë përpunuese janë të punësuar 157,563 persona, që do të thotë se ky sektor, krahasuar me gjithë të tjerët, punëson numrin më të madh të njerëzve.

Pritshmëritë e biznesmenëve… 

Problemet në zinxhirin e furnizimit me ushqime, çmimet e larta të energjisë po i shkrijnë edhe pritshmëritë e biznesmenëve për rritje të aktivitetit ekonomik.

“Treguesi i besimit në industrinë përpunuese në shkurt të vitit 2022 ka rënë për 0,2 për qind në krahasim me janarin e vitit 2022 dhe arriti në 13,8, ndërsa në krahasim me shkurtin e vitit 2021 ka rënë për 0,4 për qind” – thuhet në publikimin e ri “Tendencat afariste në industrinë përpunuese” të publikuar nga ESHR-ja.

Në shkurt u paraqitën edhe simptomat e para të çrregullimeve që lidhen me sasitë dhe stoqet e produkteve. Biznesmenët në muajin shkurt dhanë një vlerësim më pak të favorshëm për situatën ekonomike me tendencë për uljen e numrit të të punësuarve.

“Gjendja e garantimit të prodhimit me porosi në shkurt të vitit 2022, në krahasim me janarin e vitit 2022, është më pak e favorshme, pritjet për vëllimin e prodhimit në tre muajt e ardhshëm janë të pandryshuara në krahasim me muajin e kaluar, ndërsa rezervat e produkteve të gatshme janë zvogëluar. Vlerësimi i situatës ekonomike të subjekteve afariste në shkurt të vitit 2022 është më i favorshëm në krahasim me muajin e kaluar, e më pak i favorshëm edhe në krahasim me shkurtin e vitit 2021. “Numri i të punësuarve pritet të ulet” – thonë biznesmenët e anketuar.

Infografik analiza

Për shkak të krizës së re ekonomike, në prag të rebalancit të buxhetit është paralajmëruar një paketë e re masash – këtë herë të dedikuara për sektorin privat, kompanitë. Disa biznesmenë paralajmëruan se përveç krizës aktuale ekonomike, shpenzimeve të larta të punës, ata përballen edhe me detyrimin për rritjen e rrogës minimale dhe se të gjithë këta faktorë tashmë ndikojnë negativisht në likuiditetin e kompanive.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button