fbpx

Dita 32: Nesër rifillojnë bisedimet Rusi-Ukrainë (VIDEO-FOTO)

Kaluan një muaj që nga fillimi i agresionit rus në Ukrainë, sot lufta është në ditën e parë të muajit të dytë, konkretisht dita e 32. Këshilltari i Ministrisë së Brendshme të Ukrianës, Vadym Denysenko njoftoi se Rusia filloi të shkatërrojë depot e karburantit dhe ushqimit të Ukrainës. Ministria e Mbrojtjes e Rusisë tha sot se goditën objektivat ushtarake në qytetin perëndimor të Ukrainës, Lviv, me raketa me precizion të lartë, transmeton Portalb.mk.

21:40- Zelensky: Jemi të përgatitur të diskutojmë për neutralitet

Në një intervistë të gjatë rreth 90 minuta, presidenti i Ukrainë, Volodymyr Zelensky tha se shteti i tij është i përgatitur të diskutojë me Rusinë, miratimin statusit neutral.

Në këtë intervistë dhënë mediave të pavarura ruse, Zelensky thotë se si pjesë e një marrëveshjeje paqeje me Rusinë, Ukraina është e përgatitur të diskutojë miratimin e një statusi neutral, por ajo marrëveshje do të duhet të garantohet nga palët e treta dhe të vendoset në një referendum.

“Garancitë e sigurisë dhe neutraliteti, statusi jo-bërthamor i shtetit tonë. Ne jemi të gatshëm të diskutojmë për të. Kjo është pika më e rëndësishme,” tha ai në video-intervistë.

Udhëheqësi ukrainas, duke folur në rusisht gjatë gjithë kohës, shton se pushtimi rus ka shkaktuar shkatërrimin e qyteteve që flasin gjuhën ruse në Ukrainë.

Përdorimi i gjuhës ruse në Ukrainë është diçka që është diskutuar gjatë bisedimeve të paqes midis Ukrainës dhe Rusisë, Reuters citon presidentin Zelensky.

Por presidenti ukrainas shton se Ukraina ka refuzuar të diskutojë kërkesat e tjera ruse, siç është çmilitarizimi i Ukrainës.

18:30- Ligji i ri ukrainas kufizon raportimin për lëvizjet ushtarake

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky nënshkroi një ligj që kufizon raportimin për lëvizjet e trupave dhe pajisjeve ushtarake, përveç nëse informacioni publikohet ose miratohet nga Shtabi i Përgjithshëm.

Agjencia shtetërore e lajmeve ‘Ukrinform’ raportoi të dielën, më 27 mars, se ligji parashikon dënime të mundshme me burgim prej tre deri në tetë vjet.

Ligji ndalon shpërndarjen e paautorizuar të informacionit për drejtimin, lëvizjen e ndihmës ushtarake ndërkombëtare në Ukrainë, si dhe Forcat e Armatosura të Ukrainës apo formacione të tjera ushtarake ukrainase gjatë gjendjes së jashtëzakonshme, shkruan ‘Ukrinform’.

17:00- Ukraina dhe Rusia, të hënën nisin bisedime treditore

Ukraina dhe Rusia do të fillojnë bisedimet treditore në Turqi, të hënën më 28 mars, për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.

“Rundi tjetër i bisedimeve do të mbahet deri më 30 mars në Turqi,” njoftoi negociatori ukrainas David Arakhamia.

Bisedimet e mëparshme me Rusinë, të nisura pas pushtimit të 24 shkurtit, u përshkruan nga Ukraina si “shumë të vështira”.

16:40- OKB-ja thotë se 1,119 civilë janë vrarë në Ukrainë

Zyra e Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut tha të dielën, më 27 mars se 1,119 civilë janë vrarë dhe 1,790 janë plagosur që nga fillimi i pushtimit rus të Ukrainës më 24 shkurt.

Midis të vdekurve janë rreth 15 vajza dhe 32 djem, si dhe 52 fëmijë, gjinia e të cilëve nuk dihet ende, sipas një deklarate të OKB-së që mbulon periudhën nga 24 shkurti deri më 26 mars.

Numri aktual i viktimave pritet të jetë dukshëm më i lartë.

15:59- Raportohet se Rusia ka plan për ndarje në dysh të Ukrainës

Shefi i inteligjencës ushtarake të Ukrainës ka paralajmëruar se Rusia po përpiqet të zbatojë atë që ai e quan “skenari korean” në Ukrainë, pasi nuk arriti të marrë kryeqytetin dhe të rrëzojë qeverinë legjitime.

Kyrylo Budanov thotë se prioritetet e Vladimir Putinit janë lindja dhe jugu i Ukrainës, pasi ofensiva e tij ka ngecur në masë të madhe.

Nëse ai është në gjendje të lidhë atë territor, ai thotë se Putini më pas do të përpiqet të krijojë një vijë demarkacioni që ndan atë zonë nga pjesa tjetër e Ukrainës – pak si pas luftës së Koresë.

Por, thotë ai, një nga problemet kryesore të Rusisë është krijimi dhe mirëmbajtja e një korridori tokësor midis lindjes dhe Krimesë. Në rrugën e tij qëndron Mariupoli “i pathyeshëm”. Në çdo rast, parashikon gjenerali Budanov, ky kuazi-shtet do të ishte i paqëndrueshëm, duke pasur parasysh rezistencën e popullatës vendase.

14:44- Qyteti Çernihiv i Ukrainës mbeti pa ujë, ngrohje dhe rrymë

Shkatërrimi i gjerë ka lënë popullsinë e Çernihivit pa ujë, ngrohje ose energji elektrike, derisa trupat ruse vazhdojnë të rrethojnë qytetin verior të Ukrainës.

Furnizimi me gaz ishte ende pjesërisht funksional, sipas administratës rajonale të dielën.

Infrastruktura e qytetit është shkatërruar nga “luftimet aktive”, por po bëhen përpjekje për të riparuar dëmet, shkroi në Telegram shefi i administrates, Viacheslav Chaus.

Trupat ruse kanë rrethuar qytetin verior prej disa kohësh. Kryebashkiaku Vladyslav Atrozhenko tha se qyteti ishte “plotësisht i shkatërruar” nga trupat ruse, në komentet e së shtunës. Ai tha se më shumë se 200 civilë janë vrarë javët e fundit dhe se më shumë se gjysma e 285,000 banorëve fillestarë të qytetit ishin larguar.

13:44- Zelensky: Kemi kërkuar vetëm 1 për qind të avionëve dhe tankeve të NATO-s

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky tha se ka kërkuar vetëm 1 për qind të avionëve dhe tankeve që ka NATO dhe se prej 31 ditësh janë në pritje të kësaj ndihme.

“(Për Ukrainën dhe Evropën) Çmimi i ofrimit të kësaj sigurie është shumë i qartë. Avionë, tanke, sisteme të mbrojtjes ajrore për Ukrainën. Këto janë vetëm municione që po mbledhin pluhur dhe që partnerët tanë i posedojnë”, deklaroi Zelensky.

Ai bëri të ditur se nga NATO kanë kërkuar vetëm 1 për qind të avionëve dhe tankeve që posedon.

“Nuk duam më shumë, por këtë po e presim prej 31 ditësh. Pra, kush e udhëheq komunitetin euroatlantik? Mos vallë ende është Moska me rrugën e frikësimit? Partnerët duhet të rrisin ndihmën ndaj Ukrainës. Për këtë kanë nevojë partnerët, sepse kjo është siguria e Evropës”, tha Zelensky.

Presidenti ukrainas vlerësoi takimin që delegacioni i Ukrainës zhvilloi me zyrtarë të lartë amerikanë në Poloni.

“Në bisedime u diskutua se për çfarë kemi nevojë aktualisht dhe se si do të dorëzohen avionët dhe mjetet e tjera të mbrojtjes. Ukraina nuk mund të godasë raketat ruse me pushkë ose me automatikë që janë dërguar në sasi të mëdha. Është e pamundur të rimerret Mariupoli pa një numër të mjaftueshëm tankesh dhe mjeteve të tjera të blinduara dhe avionësh”, tha Zelensky.

13:37- Ukrainë, në 24 orët e fundit evakuohen mbi 5 mijë civilë

Zëvendës kryeministrja ukrainase, Iryna Vereshchuk njoftoi se nëpërmjet korridoreve të evakuimit 5.208 civilë kryesisht nga Mariupoli janë evakuuar në zona të sigurta në 24 orët e fundit.

Ajo tha se më 26 mars për evakuimin e civilëve kanë funksionuar 10 korridore humanitare. “Nga korridoret në fjalë janë evakuuar në zona të sigurta 5.208 civilë”, theksoi Vereshchuk duke shtuar se vetëm nga qyteti Mariupol janë evakuuar mbi 4 mijë persona.

Vereshchuk potencoi se po zhvillojnë punime për të hapur edhe nesër korridorin e ndihmës humanitare në destinacionin Zaporizhzhia-Mariupol.

This slideshow requires JavaScript.

13:01- Kreu i Luhanskut paralajmëroi votim për bashkim me Rusinë

Kreu i rajonit separatist Luhansk të Ukrainës tha sot se mund të mbajnë një referendum për t’u bërë pjesë e Rusisë.

“Unë mendoj se në të ardhmen e afërt do të mbahet një referendum në territorin e republikës, gjatë të cilit njerëzit do të… shprehin mendimin e tyre për bashkimin me Federatën Ruse. Për disa arsye, jam i sigurt se do të jetë kështu”, u citua të ketë thënë, Leonid Pasechnik.

Rusia nisi aksionin e saj ushtarak në Ukrainë në fund të shkurtit, duke thënë se po vepronte në mbrojtje të republikave të vetëshpallura Donjeck dhe Luhansk në lindje të vendit.

Presidenti Vladimir Putin ditë më parë i kishte njohur të dy rajonet si të pavarura.

11:21- Blinken: SHBA-ja nuk ka strategji për ndryshimin e regjimit në Rusi

Sekretari i Shtetit, Antony Blinken sot tha se Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk kanë asnjë strategji për ndryshimin e regjimit për Rusinë.

“Unë mendoj se presidenti, Shtëpia e Bardhë, theksoi mbrëmë se, thjesht, presidenti Putin nuk mund të fuqizohet për të zhvilluar luftë ose për t’u përfshirë në agresion kundër Ukrainës apo dikujt tjetër.Siç e dini, dhe siç na keni dëgjuar të themi vazhdimisht, ne nuk kemi një strategji të ndryshimit të regjimit në Rusi – apo kudo tjetër, meqë ra fjala”, tha Blinken gjatë një vizite në Jerusalem.

Në përmbyllje të vizitës së tij dyditore në Poloni, të shtunën (26 mars) presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, tha se Ukraina nuk duhet të frikësohet pasi që nuk do të jetë e vetme në luftën e saj.

Presidenti Joe Biden i bëri thirrje popullit rus që të kundërshtojë regjimin e presidentit Putin, duke thënë se një lider si ai nuk meriton të jetë në udhëheqje.

“Më lejoni të them këtë, nëse jeni në gjendje të më dëgjoni. Ju, populli rus nuk jeni armiku ynë. Refuzoj të besoj se ju e mirëprisni vrasjen e fëmijëve dhe gjyshërve të pafajshëm. Ose që pranoni [shkatërrimin] e spitaleve, shkollave, materniteteve, për hir të Zotit, duke u goditur me raketa dhe bomba ruse”, deklaroi Biden, mesazh ky adresuar popullit rus.

Biden, porositi Moskën zyrtarë që të mos i shkoi mendja të sulmoi asnjë centimetër të territorit të NATO-s, pasi siç tha ai, do të ketë pasoja të rënda.

10:30- Lvivi u godit me raketa precize

Ministria e Mbrojtjes e Rusisë tha se sot goditën objektivat ushtarake në qytetin perëndimor të Ukrainës, Lviv, me raketa me precizion të lartë.

“Rusia goditi një depo karburanti që përdorej nga forcat ukrainase pranë Lvivit me raketa me rreze të gjatë veprimi për të goditur një fabrikë në qytet që po përdorej për të riparuar sistemet kundërajrore, dhe stacionet e radarëve. Forcat e armatosura të Federatës Ruse vazhdojnë veprimet sulmuese si pjesë e operacionit special ushtarak”, tha në një deklaratë zëdhënësi i ministrisë Igor Konashenkov.

Zyrtarët në Lviv, vetëm 60 km nga kufiri me Poloninë anëtare të NATO-s, thanë se njerëz ishin plagosur në sulmet me raketa.

10:25-Ukraina eksportoi drithërat e para me tren në Evropë

Konsulenca bujqësore (APK Inform) tha se tregtarët kanë eksportuar furnizimet e para të misrit ukrainas në Evropë me tren pasi portet detare të vendit mbeten të bllokuara për shkak të pushtimit rus.

Ukraina është një prodhues dhe eksportues kryesor global i drithërave dhe pothuajse të gjitha eksportet e saj janë transportuar tradicionalisht nga portet e saj të Detit të Zi. Eksportet mujore të drithërave i kalonin 5 milionë tonë para luftës.

Tregtarët dhe zyrtarët e bujqësisë kanë thënë se Ukraina, e cila ende ka vëllime të konsiderueshme të drithit në magazinë, mund të fillojë të eksportojë me tren përmes kufirit të saj perëndimor.

“Grupet e para prej disa mijëra tonësh misër tashmë janë eksportuar përtej kufirit tokësor perëndimor të Ukrainës. Vështirësitë me logjistikën vazhdojnë, oferta ende mbizotëron mbi kërkesën, por çmimet kanë pushuar së rën” tha APK-Inform në një raport.

APK-Inform tha se çmimet e misrit ukrainas për blerësit nga Polonia dhe shtetet baltike ishin 250 deri në 265 dollarë për ton dhe 275 dollarë për ton për Sllovakinë.

10:22- Zelensky: Rusia mbjell urrejtje të thellë mes ukrainasve

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky paralajmëroi me zemërim Moskën se po mbjell një urrejtje të thellë për Rusinë në mesin e popullit të tij.

Sipas Zelenskyt kjo po ndodh pasi breshëritë e vazhdueshme të artilerisë dhe bombardimet ajrore po i kthejnë qytetet në gërmadha, duke vrarë civilë dhe duke i çuar të tjerët në strehimore.

“Ju po bëni gjithçka që vetë njerëzit tanë të largohen nga gjuha ruse, sepse gjuha ruse tani do të lidhet vetëm me ju, me shpërthimet dhe vrasjet tuaja, me krimet tuaja”, tha Zelensky në një fjalim me video të shtunën vonë.

10:19- Sot u arrit marrëveshje për dy korridore evakuimi

Ukraina dhe Rusia kanë rënë dakord për dy ‘korridore humanitare’ për të evakuuar civilët nga zonat e vijës së parë të dielën, duke përfshirë lejimin e njerëzve të largohen me makinë private nga qyteti jugor i Mariupolit, tha zëvendëskryeministrja Iryna Vereshchuk.

10:16- Zyrtari ukrainas: Rusia ka filluar të shkatërrojë depot e karburantit dhe ushqimit

Rusia ka filluar të shkatërrojë depot e karburantit dhe ushqimit të Ukrainës, që do të thotë se qeveria do të duhet të shpërndajë stoqet e të dyjave në të ardhmen e afërt, tha të dielën këshilltari i Ministrisë së Brendshme të Ukrainës, Vadym Denysenko.

Duke folur në televizionin lokal, Denysenko tha gjithashtu se Rusia po sjell forcat në kufirin ukrainas me rotacion dhe mund të bëjë përpjekje të reja për të avancuar në pushtimin e saj në Ukrainë.

Përndryshe, Rusia filloi pushtimin e Ukrainës mëngjesin e 24 shkurtit, presidenti i Rusisë- Vlladimir Putin këtë e quan “operacion ushtarak”. Nga ana tjetër, presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky, shpalli gjendje lufte në vend. Perëndimi (SHBA-ja, BE-ja dhe NATO-ja) dënuan këtë sulm duke sanksionuar Rusinë në forma të ndryshme. Putin dëshiron të parandalojë që Ukraina mos të anëtarësohet në NATO, pasi kjo përbën kërcënim ekzistencial për të.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button