Stoltenberg: Lufta në Ukrainë, “kriza më e madhe e sigurisë në gjeneratë”

Në Bruksel sot është mbajtur një takim i jashtëzakonshëm i liderëve nga vendet anëtare të NATO-s, me qëllim të diskutimit të hapave të mëtejmë për pushtimin e paprovokuar të Ukrainës nga Rusia, transmeton REL.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg ka thënë në një konferencë për media, pas takimit, se pushtimi rus në Ukrainë përbën kërcënimin më të madh për sigurinë në gjenerata.

NATO ka thënë se aleanca është pajtuar për të forcuar krahun lindor, pas pushtimit rus në Ukrainë.

“Ne kemi aktivizuar planet e NATO-s për mbrojtje, kemi angazhuar elemente të Forcës së Reagimit të NATO-s dhe kemi vendosur 40,000 trupa në krahun tonë lindor”, është thënë në një deklaratë të përbashkët të aleancës.

Stoltenberg ka thënë më herët se do të ketë katër dislokime tjera në Sllovaki, Hungari, Bullgari dhe Rumani.

Liderët e NATO-s kanë thënë se janë duke u siguruar në marrjen e masave për të garantuar sigurinë dhe mbrojtjen e aleatëve “në të gjitha fushat dhe me një qasje 360 shkallë”.

“Ne po rrisim qëndrueshmërinë e shoqërive tona dhe infrastrukturës sonë për të luftuar ndikimin e dëmshëm të Rusisë”, është thënë në deklaratë, duke përmendur edhe mbrojtjen kundër sulmeve kibernetike.

Liderët kanë lavdëruar popullin e Ukrainës, duke thënë se “ka inspiruar botën me rezistencën heroike ndaj luftës brutale të Rusisë”.

Në deklaratë i është bërë thirrje presidentit rus, Vladimir Putin“ që menjëherë të ndalë këtë luftë dhe të tërheqë forcat ushtarake nga Ukraina”.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button