FNA: Rektorët kanë tendencën e “privatizimit” të universiteteve publike

Forumi për Ndryshime në Arsim (FNA), në bashkëpunim me organizata tjera relevante dhe me ekspertë të arsimit kanë identifikuar disa nga faktorët e cilësisë së dobët të universiteteve publike në Maqedoninë e Veriut. Përveç faktorëve politik dhe ekonomik të cilët shpesh herë janë të pashmangshme për shkak të rrethanave në vendin tonë, një ndër faktorët më shqetësues sipas FNA-së është tendenca dhe apetiti i disa personave në krye të këtyre institucioneve, gjegjësisht rektorëve, për t’i “privatizuar” ato në mënyrë që në asnjë moment të mos ju rrezikohet pushteti absolut që shumica prej tyre kanë arritur të krijojnë në institucionet me të cilat udhëheqin, transmeton Portalb.mk.

“Padyshim që jetëgjatësinë e tyre në krye të këtyre institucioneve e sigurojnë edhe përmes lidhjeve të ndryshme me eksponentë të politikës. Kështu, të njëjtit arrijnë që të udhëheqin me institucionet e arsimit të lartë në vendin tonë pa pasur vizion e as strategji zhvillimi. Ku më shumë se gjysma e rektorëve të universiteteve publike në vend, janë në këto pozita për më shumë se dy mandate, ndërsa disa të tjerë edhe për 10 vite. Si përfaqësues të sektorit civil, konsiderojmë se arsimi është shtylla e një populli dhe si e tillë duhet të ketë vëmendjen e të gjithë institucioneve dhe faktorëve tjerë në shoqëri”, thonë nga FNA.

Për këtë arsye ata kërkojnë:

  • Krijimin e një bordi të pavarur që do të bëj matjen e suksesit të universiteteve publike në vendin tonë. Kësisoj, të bëhet demonopolizim i Arsimit të Lartë duke parandaluar rizgjedhjen në detyrë të rektorëve që janë dëshmuar si të paaftë në udhëheqje të universiteteve publike.
  • Politika t’i mbajë larg duart nga procesi i zgjedhjeve për rektor në universitetet publike në Maqedoninë e Veriut. Udhëheqësit e institucioneve arsimore në vend të ju shërbejnë vetëm studentëve, jo politikanëve.
  • Të ndalojë praktika e zgjedhjes së rektorit nga ana e një grupi të caktuar të mbyllur në një dhomë të kampuseve të universiteteve. Kandidatët për rektor të paraqesin program dhe strategjinë e tyre për zhvillimin e universitetit para studentëve dhe profesorëve.

“Universitetet publike në Maqedoninë e Veriut duhet të jenë të hapura, transparente dhe cilësore. Andaj, konsiderojmë se shoqëria civile nuk duhet të qëndrojë e heshtur kundrejt degradimit të cilësisë në Arsimin e Lartë në RMV. Ne, shoqëria civile në Maqedoninë e Veriut shprehim gatishmërinë me të gjitha kapacitetet tona të japim kontribut në zbutjen e këtij fenomeni, të cilit pasojat i ndjenë çdo ditë studentët”, thonë nga FNA.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button