RMV, pritej në nëntor 2021, por as pas katër muajsh nuk është hapur debat për ligjin mbi prejardhjen e pronës

Ligji për prejardhjen e pronës ende ndodhet në duart e grupit punues, i cili e përfundoi projektligjin dhe më pas iu dërgua ekspertëve ndërkombëtarë nga Komisioni i Venedikut. Ata duhej të shqyrtonin draft versionin për të dhënë mendimin dhe komentet e tyre më së voni deri në mesin e muajit nëntor 2021, që pastaj të hapej debat publik, transmeton Portalb.mk.

Por, ky ligj ende ndodhet në grupin punues, i cili para dy javësh diskutoi për zgjidhjet e propozuara në versionin punues të Ligjit të përgatitur nga grupi punues.

Më 28 shkurt 2021, në hapësirat e Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit u mbajt takim i grupit punues për përgatitjen e Projektligjit për prejardhjen pronësore me zëvendëskryeministren e re të Republikës së Maqedonisë së Veriut, përgjegjëse për politika të mira të qeverisjes, Sllavica Gërkovska.

“Në takim, zëvendëskryeministrja Slavica Grkovska u njoh shkurt me nevojat për miratimin e Ligjit për prejardhjen e pronës, si dhe me aktivitetet e deritanishme të grupit punues. U hap një diskutim për zgjidhjet e propozuara në versionin punues të Ligjit të përgatitur nga grupi punues”, njoftuan nga KShPK-ja.

Gërkovska e ka përkrahur miratimin e Ligjit dhe bashkërisht konstatuan se është e nevojshme të intensifikohet puna e grupit punues, të përcaktohet dinamika për miratimin e ligjit dhe të hapet një debat më i gjerë publik në drejtim të përgatitjes së një zgjidhjeje ligjore cilësore.

Ndërkohë, i gjithë ky intensifikim i grupit punues, duhet të ndodhte në nëntor të vitit që lam pas, ku nga kabineti i ish- zëvendës kryeministrit për luftë kundër korrupsionit Lupço Nikollovski, sqaruan se mendimit të Komisionit të Venedikut, teksti i ligjit do tu kalojë ekspertëve vendas për mendime dhe vërejtje tët tjera.

“Pas përfundimit të konsultimeve me ekspertët ndërkombëtarë (kjo pritet të jetë më së voni deri në mesin e muajit aktual), teksti i zgjidhjes ligjore do t’i dorëzohet komunitetit akademik, ekspertëve vendas, organizatave të shoqërisë civile dhe të gjithë palëve të interesuara dhe publiku i cili përmes këtij lloji të konsultimeve dhe debateve më të gjera do të mund të japin mendimet, vërejtjet dhe komentet e tyre”, thanë atëherë për Portalb.mk nga kabineti i Nikollovskit.

Ndryshe, në shtator Qeveria e RMV-së nisi një fushatë mbarëkombëtare për rritjen e ndërgjegjësimit dhe mbështetjen e luftës kundër korrupsionit.

Qeveria dhe zëvendëskryeministri i saj përgjegjës për luftën kundër krimit dhe korrupsionit, Nikollovski paraqiti projekt-ligjin e ri sipas të cilit kushdo që nuk arrin të provojë origjinën e pronës së blerë vitin e kaluar me vlerë më shumë se 30.000 euro do të përballet me konfiskimin e së njëjtës. Projektligji pritet të kalojë filtrat e Komisionit të Venecias.

“Draft-versioni është gati dhe i është dërguar Komisionit të Venedikut.“Masa më e re në të cilën po punojmë aktualisht është Ligji për prejardhje e pronës, diçka që po miratohet për herë të parë në vendin tonë, dhe është e rëndësishme për të hapur rrugën për konfiskimin e pronës së fituar në mënyrë të paligjshme dhe që ka implikime për mbledhjen e taksave në buxhetin qendror. Nëse e gjithë prona është e fituar ligjërisht dhe raportohet tek institucionet kompetente, pronarët do të paguajnë taksat shtetërore, të cilat rrjedhimisht do të zvogëlojnë evazionin fiskal”, tha zëvendëskryeministri përgjegjës për anti-korrupsion Lupço Nikollovski më 22 shtator në konferencën për detektimin dhe zvogëlimin e ekonomisë së hirtë.

Ai sqaroi se ligji nuk do të zbatohet vetëm për zyrtarët, por për të gjithë qytetarët pasi përvoja tregon se zyrtarët u transferojnë pronat e fituara ilegalisht personave të tjerë, dhe pas përfundimit të funksionit e kthejnë atë.

“Domethënë do të vlejë për të gjithë personat, jo vetëm për funksionarët. Procedura do të jetë civile, e shpejtë, jo penale dhe do të ketë një prag të përshtatshëm, i cili aktualisht në draft verzion është 30.000 euro”, tha Nikollovski.

Çka përmban ligji dhe cili është mendimi i Antikorrupsionit?

Ndërkohë, nga Komisioni për Antikorrupsion, për Portalb.mk thonë se akoma pa filluar aktivitetet për përgatitjen e ligjit, ky institucion ka theksuar nevojën e një zgjidhjeje ligjore, me të cilën mund të kërkohej dëshmi për mënyrën e prejardhjes së pronës, me të cilën çdo qytetar do të duhet të dëshmojë se nga vjen prona e tij/saj, në bazë të asaj që ka fituar, a është trashëgimi, a e ka blerë apo dikush ia ka dhënë.

“Qëllimi i ligjit është mbrojtja e interesit publik nga të gjitha llojet e përvetësimit dhe disponimit me pronë, prejardhja e të cilave nuk mund të dëshmohet dhe mbrojtja e pasurisë së fituar ligjërisht. Në ligj janë rregulluar mënyra dhe procedura për identifikimin dhe përcaktimin e pasurisë me prejardhje të panjohur, organet që do t’i zbatojnë procedurat dhe si do të veprohet më tej me atë pronë. Ligji parashikon që organet kompetente do të veprojnë kur rritja e pronës, prejardhja e së cilës nuk mund të vërtetohet i kalon 30.000 euro, për një periudhë njëvjeçare, duke krahasuar të hyrat e ligjshme të personit dhe pasurinë që ka fituar në periudhën e caktuar. KShPK është e qëndrimit se nuk duhet të ketë prag për veprim, por duhet të veprohet në çdo rast kur ka rritje të pasurisë mbi shumën totale të të ardhurave të fituara me ligj, pavarësisht diferencës së konstatuar”, deklarojnë nga KShPK-ja.

Në ligj, Drejtoria e policisë financiare është përcaktuar si organi kompetent për mbledhjen e të dhënave dhe informacioneve për prejardhjen e pronës, e cila do të veprojë pas marrjes së njoftimit/iniciativës nga çdo person juridik apo fizik, pavarësisht nëse është organ shtetëror, ndonjë person tjetër juridik ose fizik.

Në atë drejtim, nëse ndonjë person i caktuar ka fituar pronë me vlerë të caktuar, por burimet e tij të të hyrave janë shumë më të vogla nga prona e fituar, pas njoftimit të marrë, gjegjësisht iniciativës, Drejtoria për policinë financiare qaset në mbledhjen e të dhënave dhe informacioneve për atë pronë. Përcaktimi i prejardhjes së pasurisë vazhdon përpara gjykatës, në procedurë civile, me ngritjen e padisë nga ana e Avokatit të shtetit, përfaqësues i shtetit me ligj. Pasuria ku do të konstatohet se nuk është fituar në rrugë të ligjshme, pra nuk ka prova për origjinën e saj, me vendim gjyqësor të formës së prerë kalon në pronësi të shtetit.

Gjithashtu, në ligj është paraparë detyrim për të gjithë e personat, që të paraqesin pronën që nuk është e paraqitur, gjegjësisht të evidentuar ose regjistruar në regjistrat përkatës.

“Aspekti pozitiv i këtij ligji është që me të njëjtin mundësohet që lëndë procesimi të jetë edhe prona me prejardhje të panjohur, për të cilën ekziston mundësi se është fituar me kryerjen e veprës penale, gjatë së cilës është shfaqur vjetërsim i ndjekjes penale, përkatësisht vjetërsim i veprës penale ose kur nuk ka dëshmi të mjaftueshme për kryerjen e veprës penale, ndërsa nuk ekzistojnë dëshmi si prona që e posedon personi e ka fituar. Në publik shpesh përdoren termet marrje ose konfiskim të pronës, e cila është e papërputhshme në këtë procedurë, pasi këto terme janë terme që përdoren në vepër penale ku kryhet konfiskim, gjegjësisht sekuestrim të pronës dhe përfitim pronësor fituar prej kryerjes së verifikuar penale nga ana e një personi përkatës”, vlerësojnë nga KShPK.

“Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit, kompetencë e të cilit, ndër të tjera, është inicimi i zgjidhjeve ligjore, ka pritshmëri të arsyetuara se me miratimin e këtij ligji do të mbrohet interesin publik nga fitimi dhe disponimi i pronës origjina e së cilës nuk mund të vërtetohet”, thonë nga KShPSh.

Disa, nga ana tjetër druajnë se barra e dëshmisë së pronës më shumë do të bjerë mbi qytetarët. Ata duhet të dëshmojnë se nga vijnë paratë e tyre, nga i vjen shtëpia, banesa, arat e kështu me radhë. Do të ketë sërish ngacmime administrative dhe burokratike që do të lodhin tej mase qytetarët.

Sidoqoftë, duket akoma e paqartë se si do të zbatohet ky ligj, kur dihet se Antikorrupsioni has në vështirësi të shumta për evidentimin e pronës së personave zyrtar, të zgjedhurve, të emëruarve dhe të punësuarëve në sektorin publik, kjo për shkak të mungesës së softuerit, i cili akoma nuk është funksional.

Nga ana tjetër në mungesë të një ligji të tillë, funksionarët do të vazhdojë të mos e paraqesin pronën apo ta shkruajnë në emër të dikujt tjetër, megjithatë, pas kësaj zgjidhjeje ligjore, kjo gjë do të bëhet e vështirë ose pothuajse e pamundur.

Ndërkohë kërkesa për konfiskimin dhe evidentimin e pronës së zyrtarëve të korruptuar, ka bërë në vazhdimësi edhe Komisioni Evropian, dhe të njëjtën e përsëriti edhe në raportin e 19 tetorit të këtij viti. Në të thuhet se në vitin 2020, konfiskimi i pasurive kriminale është zbatuar ndaj 41 personave në 19 raste në aktgjykime të shkallës së parë. Sipas raportit, konfiskimi i pasurive kriminale duhet të bëhet përparësi strategjike në luftën kundër krimit të organizuar, terrorizmit dhe korrupsionit të nivelit të lartë në vend. Mjetet e vendit për ngrirjen, menaxhimin dhe konfiskimin e pasurive kriminale sipas BE-së nuk janë mjaft efektive, prandaj nevojitet një fokus i vërtetë për të ardhurat kriminale të personave publik.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button