Ukraina: 117 fëmijë të vrarë në luftë

Së paku 117 fëmijë janë vrarë dhe mbi 155 të tjerë janë plagosur qëkur Rusia ka nisur pushtimin e Ukrainës, më 24 shkurt, tha të martën Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm të Ukrainës, transmeton REL.

Sipas saj, shumica e viktimave janë raportuar në ose rreth kryeqytetit Kiev dhe në qytetin verilindor të Harkivit.

Në Harkiv, një tank rus raportohet se ka goditur një makinë, në të cilën ndodhej një familje me dy fëmijë, tha Zyra e Prokurorit.

Në qytetin e rrethuar të Mariupolit, shtoi ajo, autobusët e evakuimit që kanë transportuar fëmijë, janë goditur nga granatimet ruse.

Prokurorët po ashtu thanë se kanë regjistruar 548 sulme mbi shkolla dhe objekte të tjera arsimore – 72 prej të cilave janë “shkatërruar plotësisht”.

Sipas prokurorëve, shifrat që ata raportojnë, nuk janë përfundimtare, për shkak të vështirësive në qasjen apo inspektimin e vendeve në disa pjesë të Ukrainës.

Rusia pushtimin e Ukrainës e filloi me 24 shkurt, që atëherë perëndimi ka vendosur sanksione të mëdha ndaj Rusisë. Sipas OKB-së, të paktën 925 civilë kanë humbur jetën dhe rreth 1.500 të tjerë janë plagosur në Ukrainë që nga fillimi i luftës, ndërsa mbi 3.5 milionë persona kanë ikur nga vendi.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button