Komuna e Tetovës i mohon akuzat se kanë kërkuar dorëheqjen e drejtoreshës Lalla, por nuk mohojnë se ajo është ftuar në Komunë

Dy persona nga Komuna e Tetovës, Sedat Sulejmani dhe Valedin Ademi, dje u denoncuan në polici nga drejtoresha e Gjimnazit “Kiril Pejçinoviq”, Teuta Lalla se i kanë kërkuar të jep dorëheqje nga posti pa asnjë arsye. Sulejmani (ish zëvendësministër i Kulturës), i kontaktuar nga Portalb.mk nuk deshi të jep deklaratë për rastin në fjalë dhe tha se do njoftohemi nga Komuna zyrarisht, Komuna i mohoi akuzat por nuk mohuan që Lalla të jetë ftuar në Komunë, shkruan Portalb.mk.

Dje kryetari i Komunës, Bilall Kasami tha se nuk është i njoftuar për një rast të tillë dhe e mohoi se dikush mund të kërcënojë dikë deri sa ai është në krye të Komunës. Sot nga Komuna e Tetovës për Portalb.mk thanë  se zyrtarisht nuk kanë kërkuar diçka të tillë.

“Personat në fjalë mund të kenë ftuar edhe drejtorë të tjerë ose të punësuar të tjerë nëpër shkollat që menaxhohen nga Komuna, pasi njëri është këshilltar i veçantë i kryetarit në lëminë e arsimit dhe kulturës ndërsa tjetri është udhëheqës i Njësisë se Arsimit në Sektorin për Veprimtari Publike dhe vlerësojmë se ata kanë të drejtë të realizojnë takime të tilla informative. Detyra e Sedat Sulejmanit është i angazhuar si këshilltar i veçantë i kryetarit nga lëmia e arsimit dhe kulturës, ndërsa Validin Ademi është udhëheqës i Njësisë së arsimit në Sektorin për Veprimtari Publike”, thanë nga Komuna e Tetovës.

Të pyetur se a do të mbajnë përgjegjësi për këtë rast, nga Komuna thanë “nuk vlerësojmë se ka ndonjë parregullsi për të cilën duhet të mbajmë përgjegjësi”.

Sektori për Punë të Brendshme në Tetovë njoftoi se dje Sedat Sulejmani dhe Valedin Ademi janë ftuar në polici për këtë rast.

“Dje në SPB Tetovë janë thirrur personat V.A. (33) dhe S.S. (46) nga Tetova, të cilët janë denoncuar nga 45 vjeçarja T.L. nga Tetova, të njëjtën ditë, për rrezikim të sigurisë së saj dhe sjellje agresive. Rasti është duke u zbardhur dhe dokumentuar”, thanë nga SPB Tetovë.

Koordinatori i grupit të këshilltarëve të BDI-së në Këshillin e Komunës së Tetovës, Blerim Osmani u shpreh se aktivistët e Lëvizjes Besa ushtrojnë presion ndaj drejtorëve të shkollave dhe jo vetëm.

“Larg politikave ditore në Komunën e Tetovës të militantëve partiakë të Lëvizjes Besa dhe koalicionit të tyre, të cilët për ambicie të paskrupullta ushtrojnë mobing dhe revanshizëm politik ndaj drejtorëve të shkollave dhe të punësuarve në administratë. Dënojmë këtë lloj sjellje dhe kërkojmë nga udhëheqësia aktuale e Komunës së Tetovës të sqarohet se në çfarë cilësie ish funksionarë që shfrytëzojnë apanazhë sillen si kapadahi, japin urdhëra dhe ushtrojnë pushtet në Komunën e Tetovës?”, tha Blerim Osmani.

Nga Komuna e Tetovës për Portalb.mk, mohuan një gjë të tillë duke thënë se nuk bëjnë presion te asnjë drejtor nëpër shkolla.

“Përkundrazi, deri në këtë moment kemi pasur bashkëpunim të shkëlqyer me të gjithë drejtorët, gjë për të cilën ne jemi të angazhuar. Komuna e Tetovës është institucion legjitim dhe do të veprojë konform ligjit. Emërimet politike janë pjesë e të kaluarës. Nëpër të gjitha organet që janë në ingerencë të Komunës së Tetovës do të emërohen njerëz të cilët e meritojnë pozicionin e tyre. Në asnjë vend nuk do të ketë pozicione “dhuratë” për arsye miqësore apo farefisnore”, thanë nga Komuna e Tetovës.

Sipas drejtoreshës Lalla, Sulejmani e kishte ftuar atë në Komunë, ku së bashku me Ademin në emër të kryetarit Bilall Kasami i kishin kërkuar dorëheqjen nga posti i drejtoreshës.

“Nga ana e Sedatit u kërkua dorëheqja ime në emër të kryetarit të Komunës. Kërkova sqarim dhe takim me kryetarin e Komunës. Deklarata e atij ishte se e kishe paraparë edhe këtë kërkesë nga ana juaj kryetari i Komunës por më ka autorizuar të flas në emër të tij dhe nuk pranon të takoheni me të. Kërkova arsyet dhe shkaqet përse duhet të mbërrije deri në këtë pikë, nuk e vazhdoi shumë muhabetin dhe tha se kryetari deri ditën e hënë pret dorëheqjen tua”, sqaroi dje Lalla, duke thënë se nuk ka dorëzuar dorëheqjen.

Kasami dje i pyetur nga Portalb.mk tha se nuk ishte në dijeni për rastin dhe se do të ketë informim zyrtar.

“Unë nuk e di njerëzit, domethënë a mund të ketë kaq të çmendur që dikush zyrtarisht në Komunë të kërcënojë dikë derisa unë jam aty kryetar, nuk kam informata se për çfarë zyrtarisht bëhet fjalë e dini sot tërë ditën kemi qenë në aksion. Sigurisht që do të ketë informim zyrtar, por unë nuk besoj se mund të ketë kërcënim ndaj dikujt për çfarëdo veprimi. Fatkeqësisht në shkollat tona kemi edhe kështu drejtorësh që ju pjellë mendja edhe kështu gjërash”, tha dje Bilall Kasami.

Policia njoftoi se po merren masa për zbardhjen e rastit ku më pas do të vijojë parashtresë përkatëse, pa dhënë detaje konkrete.

Rikujtojmë që të enjten e kaluar, nga posti i ushtruesit të detyrës së drejtorit dorëheqje dha Buran Iseni i cili ushtronte këtë detyrë në çerdhen “Rinia”. I kontaktuar nga Portalb.mk ai tha se kjo ndodhi për arsye personale dhe nuk u përgjigj nëse kishte pasur ndonjë kërcënim për rastin në fjalë. Ndërkaq nga Komuna për Portalb.mk thanë se nuk është e vërtetë që komuna e ka detyruar për një gjë të tillë.

“Dorëheqja nga posti drejtor në Institucioni Publik Komunal Kopshti i Fëmijëve “Rinia”-Tetovë e Buran Buran Iseni është dorëzuar deri tek kryetari i Komunës së Tetovës dhe është evidentuar nën Nr.arh. 09-2705/1 me  datë 16.03.2022. Në këtë shkresë nuk janë përshkruar arsyet e dorëheqjes nga ana e ish drejtorit. Nuk është e vërtetë që komuna e ka detyruar atë  të hap konkurs për drejtor. Në bazë të nenit 123 të Ligjit për Mbrojtje të Fëmijëve, kryetari i Komunës së Tetovës, në afat prej 3 muajsh para përfundimit të mandatit të drejtorit aktual, sjell Aktvendim që Këshilli Drejtues i  Çerdhes,  të shpall konkurs për zgjedhjen e drejtorit. Komuna e Tetovës është e obliguar që të emërojë  ushtrues detyre  me qëllim që Institucioni Publik Komunal Kopshti i Fëmijëve “Rinia”-Tetovë të mos mbetet pa udhëheqës”, thanë nga Komuna e Tetovës me 16 mars.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button