Zelensky u bëri thirrje mercenarëve që të mos i bashkohen ushtrisë ruse

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky ka paralajmëruar ushtarët mercenarë që duan t’i bashkohen ushtrisë së Rusisë e cila ka filluar luftën në vendin e tij duke thënë se “Jeta e gjatë është më e mirë sesa paraja që ju ofrohen shkurtimisht”, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në një video-mesazh nga llogaria e tij në Telegram, Zelensky ka komentuar ditën e 22 të luftës Rusi-Ukrainë dhe ka theksuar se po luftojnë për të mbrojtur vendin kundër një prej ushtrive më të mëdha të botës.

Ai tha se kanë informata se ushtria ruse po përpiqet të mbledhë ushtarë mercenarë nga disa vende. “I paralajmëroj të gjithë ata që do të përpiqen t’u bashkohen pushtuesve në territorin e Ukrainës. Ky do të jetë vendimi më i keq i jetës së tyre. Jeta e gjatë është më e mirë se sa paraja që ju ofrohen shkurtimisht”, tha Zelensky.

Presidenti ukrainas iu drejtua nënave ruse duke u bërë thirrje që të gjitha të mbrojnë fëmijët e tyre. “Një nënë e cila e di se djali i saj po dërgohet në luftë kundër Ukrainës, duhet të kontrollojë se ku ndodhet djali i saj”, tha ai.

“Janë zënë rob me mijëra ushtarë rusë dhe mbi 13 mijë të tjerë janë vrarë”, njoftoi Zelensky i cili u bëri thirrje familjeve ruse të kërkojnë ushtarët e tyre. “Ne nuk e dëshiruam këtë luftë. Ne duam vetëm paqe”, tha ai.

Në fjalën e tij, Zelensky rikujtoi se dje mbajti një fjalim drejtuar Parlamentit të Gjermanisë në të cilin tha se u ka folur deputetëve gjermanë si një evropian, si një shtetas i Ukrainës.

Zelensky ka mbrojtur mendimin e tij se për gjermanët, çështjet si ekonomia dhe energjia kanë qenë më parësore në dekadat e fundit, por tani kanë filluar të ndryshojnë mendimin.

“E shohim se mendimet e gjermanëve kanë ndryshuar dhe kjo është shumë e rëndësishme. E shohim se Gjermania po kërkon një rrugë të re. Shohim se sa të sinqertë janë shumica e gjermanëve në revizionimin e politikës së vjetër”, tha Zelensky.

Ai tha se do të vazhdojë fjalime të ngjashme në parlamentet e shteteve të ndryshme me qëllimin për ta njoftuar botën me zërin e Ukrainës dhe për forcimin e paqes globale.

“Tashmë si Evropa, edhe liderët në të gjithë botën kanë filluar ta kuptojnë më mirë situatën në të cilën ndodhet Ukraina”, tha Zelensky duke falënderuar të gjithë ata që kanë dhënë mbështetje për Ukrainën.

Zelensky ka bërë të ditur se si qeveri kanë ndërmarrë hapa të rëndësishëm për të mbështetur ekonominë në vend dhe se në Këshillin e Ministrave që do mbahet sot do të njoftohen paketa të dobishme që janë në interes të botës së biznesit.

– Ukraina: Pushtuesit kanë mbledhur rreth 1 mijë mercenarë nga Siria

Shtabi i Përgjithshëm i Ukrainës tha se ushtria ruse ka mbledhur rreth një mijë persona nga njësitë nën urdhrin e regjimit të Bashar Al-Asadit në Siri për të luftuar në Ukrainë.

Në një deklaratë me shkrim nga Shtabi i Përgjithshëm, thuhet se ushtria ruse ka përjetuar humbje të mëdha gjatë luftës dhe se ajo ka marrë luftëtarë mercenarë.

“Komanda e Forcave të Armatosura të Federatës Ruse vazhdon të marrë masa për të rikuperuar humbjet e personelit të saj në kurriz të të huajve. Sipas informacioneve aktuale, pushtuesit rusë tashmë kanë mbledhur rreth një mijë vullnetarë nga e ashtuquajtura ushtria e Bashar Al-Asadit dhe Hezbollahut”, thuhet në deklaratë.

“Në të njëjtën kohë, sipas informacioneve të disponueshme, këta militantë synojnë që udhëtimet e punës t’i përdorin si mundësi për të mbërritur në vendet e Evropës dhe jo për të marrë pjesë në konfliktet në territoret e Ukrainës”, theksohet më tej.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button