TAP filloi transportin e gazit në Europë

Gazsjellësi Trans Adriatik (TAP) njoftoi të enjten se një sasi prej 10 miliardë metër kub gaz natyror nga Azerbajxhani ka hyrë në Evropë, nëpërmjet pikës së interkonjeksionit në Kipoi, në kufirin Greqi-Turqi, aty ku TAP bashkohet me Gazsjellësin Trans Anatolian (TANAP), transmeton VOA.

Nga sasia e përgjithshme rreth 8.5 miliardë metër kub janë dërguar në Itali. Drejtori Menaxherial i TAP-it Luca Schieppati, tha se “10 miliardë metër kub është një arritje simbolike, por shumë e rëndësishme”. Sipas tij “prej rreth një viti aktiviteti tregtar, TAP-i ka ofruar shërbim efikas, të vazhdueshëm dhe të besueshëm duke dhënë një kontribut të rëndësishëm për sigurinë dhe diversifikimin e burimeve të energjisë në Evropë.

Schieppati ka pohuar se aktualisht është mundësia të arrihet kapaciteti i plotë i transportit prej 10 miliardë metër kub në vit dhe mund të shtohen më tej kapacitetet nëpërmjet ankandeve me afat të shkurtër.

Ndërsa Drejtoresha Komerciale e TAP-it Marija Savova tha se “Transportimi i sasisë së parë të gazit natyror prej 10 miliard metër kub në Evropë, rrit likuiditetin në tregjet e gazit dhe përforcon rolin e TAP-it si një transportues i besueshëm që mund të japë një kontribut të rëndësishëm për sigurinë e energjisë në Evropë”.

Ajo tha se brenda 45-65 muajve, mund të dyfishohet kapacitetit duke u zgjeruar në disa faza, deri në 20 miliardë metër kub në bazë të kërkesave.

Sipas kompanisë TAP segmenti evropian i korridorit jugor të gazit, ka kapacitet të transportojë afërsisht 10 miliardë metër kub gaz në vit në disa tregje evropiane.

TAP transporton gaz natyror nga fusha e Shah Deniz-it në sektorin azerbajxhanas të detit Kaspik për në Evropë.

Gazsjellësi, i gjatë afërsisht 878 km, lidhet me Gazsjellësin Trans Anatolian pranë kufirit turko-grek në Kipoi, përshkon Greqinë, Shqipërinë dhe detin Adriatik, përpara se të mbërrijë në brigjet e Italisë jugore. TAP-i pritet të lehtësojë furnizimin me gaz të vendeve të Evropës Juglindore përmes interkonektorëve të ardhshëm.

Në veçanti, Bullgaria do të jetë në gjendje të mbulojë deri në 33% të kërkesës së saj totale për gaz përmes gazsjellësit TAP, pas përfundimit të interkonektorit Greqi Bullgari. Pikat e daljes së TAP-it në Greqi dhe Shqipëri, bashkë me daljen në tokë në Itali, ofrojnë mundësi të shumta për transportin e gazit nga Azerbajxhani drejt tregjeve më të mëdha evropiane.

TAP-i është i rëndësishëm për Evropën, si një pjesë kyçe e Korridorit Jugor të Gazit si nga pikëpamja strategjike, ashtu edhe ekonomike.

Në Shqipëri Presidenti Ilir Meta e përshëndeti vendimin e furnizimit me gaz natyror të Europës Perëndimore përmes gazsjellësit TAP.

“TAP është investimi i huaj më i rëndësishëm strategjik në Shqipëri, frut i bashkëpunimit të suksesshëm dhe strategjik ndërmjet Shqipërisë, partnerëve europianë dhe SHBA-ve me qeverinë e Azerbajxhanit”, deklaroi Presidenti Meta.

Sipas tij “përveç ndikimit të jashtëzakonshëm të këtij investimi madhor në zhvillimin ekonomik dhe social të vendit, veçanërisht në zonat e kalimit të gazsjellësit, ky projekt rrit ndjeshëm pavarësinë e Europës nga gazi rus”.

Më shumë se tre milionë njerëz kanë ikur nga Ukraina, prej kur presidenti rus, Vladimir Putin, urdhëroi pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt. Putin ka urdhëruar “operacion special” për të çmilitarizuar Ukrainën. Veprimi i Kremlinit ka nxitur zemërim dhe është dënuar në shumë vende të botës. Sot është dita e 22 që nga fillimi i agresionit rus.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button