Stoltenberg: Nuk shohim shenja sinqeriteti te Rusia në negociatat me Ukrainën

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, tha se nuk shohin asnjë shenjë në terren se Rusia është e sinqertë në negociatat me Ukrainën, raporton Anadolu Agency (AA).

Stoltenberg mbajti një konferencë për shtyp në fund të Takimit të jashtëzakonshëm të Ministrave të Mbrojtjes të NATO-s, të mbajtur në selinë e aleancës në Bruksel.

Duke deklaruar se në takimin e sotëm kishte një konsensus për vazhdimin e ndihmës ushtarake financiare dhe humanitare për Ukrainën, Stoltenberg i bëri thirrje presidentit rus Vladimir Putin të ndalojë luftën, të tërheqë trupat e tij dhe t’i kthehet diplomacisë.

Duke kujtuar se javën e ardhshme do të mbahet një samit i jashtëzakonshëm i liderëve të NATO-s, Stoltenberg tha se do të diskutohet për ndryshimet në sigurinë afatgjate të NATO-s.

“Ne po përballemi me një realitet të ri për sigurinë tonë”, tha Stoltenberg.

“Kjo është arsyeja pse ne duhet të riorganizojmë mbrojtjen dhe parandalimin tonë kolektiv në një bazë afatgjate”, shtoi shefi i NATO-s.

Stoltenberg deklaroi se në takimin e sotëm komandantëve ushtarakë u është ngarkuar detyrë të përgatisin opsionet për këtë hap.

Ai përsëriti se NATO nuk do të jetë palë e luftës në Ukrainë dhe nuk do të dërgohen ushtarë.

Stoltenberg përsëriti se kanë përgjegjësinë të sigurojnë që konfliktet të mos shkojnë përtej Ukrainës dhe të mos ketë shkatërrim të mëtejshëm.

Ai theksoi se anëtarësimi në NATO është vendim i Ukrainës dhe 30 vendeve anëtare.

“Rusia nuk ka të drejtë të vë veto në një proces të tillë”, shtoi Stoltenberg.

Rusia ka nisur pushtimin e paprovokuar të Ukrainës më 24 shkurt. Që atëherë, Perëndimi ka vendosur sanksione të ashpra ndaj Moskës.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button