Kosovë, u arrestuan dhjetëra zyrtarë policie

Të paktën 48 zyrtarë policie dhe dy doganierë u arrestuan të hënën (14.03) në Kosovë të dyshuar për përfshirje në mbi 400 veprimtari kriminale të marrjes së ryshfetit. Operacioni i quajtur “Pika”, ku nën pranga u vunë 48 zyrtarë policie dhe dy doganierë, është më i madhi i ndërmarrë ndonjëherë brenda policisë së Kosovës, transmeton DW.

Sipas drejtorit të përgjithshëm të policisë së Kosovës, Samedin Ahmeti, zyrtarët policorë të arrestuar dhe operacioni, u zhvilluan në rajonin e Gjakovës dhe Prizrenit në jugperendim të Kosovës. Zyrtarët e arrestuar kishin lidhje, apo punonin në dy pika kufitare Kosovë-Shqipëri.

“Fakti që policia dhe institucionet e shtetit e kanë vullnetin që të luftojnë korrupsionin, nënkupton që ne duhet të ndihemi mirë. Nuk është ndjenjë e mirë kur korruptohen zyrtarë policie. Ky hetim ka nisur që prej një viti. Siguria në pikat kufitare është në nivelin maksimal. Sot duhet të ndihemi më mirë se dje për shkak se janë arrestuar zyrtarët policie të korruptuar, ata tashmë janë zëvendësuar”, deklaroi Ahmeti.

Kryeprokurori i shtetit Aleksandër Lumezi nga ana e tij tha, se aksioni për arrestimin e zyrtarëve të policisë “është zhvilluar pas një periudhe hetimore një vjeçare”.

“Dy prokurë kanë qenë të angazhuar në hetime, gjatë fazës së hetimeve kemi përdorur shumë mjete të hetimit dhe vëzhgimit të fshehtë që të sigurojmë prova të mjaftueshme se ata po marrin ryshfet në pikat doganore”, deklaroi kryeprokurori i shtetit Aleksandër Lumezi, dhe njoftoi se edhe 10 persona të kërkuar nga policia janë në arrati.

Ndërkohë, në një zhvillim tjetër, misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit EULEX,  bëri të ditur se do të përforcojë njësinë e tij të specializuar policore me një njësi rezervë. Në një njoftim për medie, EULEX tha se “kjo njësi, e përbërë prej 92 pjesëtarëve të Forcës Evropiane të Xhandarmerisë, nga Portugalia, Franca dhe Italia, do të zbarkojë përkohësisht në Kosovë gjatë javëve në vijim”, për të përforcuar, siç thuhet “kapacitetet e Njësisë Policore të Specializuar të EULEX-it”.

“Njësia Policore e Specializuar Rezervë do të mbështesë EULEX-in për përmbushjen e detyrave të tij, përfshirë si reagues i dytë i sigurisë në Kosovë, nëse është e nevojshme”, thuhet në komunikatën e EULEX.

Në Kosovë, reaguese e parë e sigurisë është Policia e Kosovës, misioni EULEX-it është i dyti, ndërsa misioni paqeruajtës i NATO-s, KFOR-i, është reaguesi i tretë.

Aktualisht NATO ka trupat në Kosovë rreth 3700 syresh në kuadër të misionit të KFOR-it, i cili ende funksionon nën mandatin e Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button