fbpx

Peticion i ambientalistëve: Lumenjtë do t’i shpëtojmë duke i larguar subvencionet për hidrocentralet e vogla

Ambientalistët e Maqedonisë së Veriut në Ditën Botërore të Lumenjve apeluan që lumenjtë të mbrohen nga ndërtimi i hidrocentraleve të vogla dhe të hiqen subvencionet për investitorët. Nën moton “T’i lëmë lumenjtë të rrjedhin lirshëm!” Organizata qytetare “Eko vetëdija” organizon peticion për heqje të subvencioneve për hidrocentralet e vogla dhe u bën thirrje qytetarëve, nga faturat e energjisë elektrike të të cilëve ndahen këto para, të nënshkruajnë dhe të mbështesin angazhimin për shpëtimin e lumenjve, shkruan Meta.mk, transmeton Portalb.mk.

“Hidrocentrale të vogla po ndërtohen larg syve të publikut në disa nga luginat më piktoreske të lumenjve në zona rreptësisht të mbrojtura dhe të rëndësishme si Pelisteri, Mavrova, Mali Sharr, Karaxhica, Dautica, Kozhufi, rajoni i Maleshevisë e shumë të tjera. Ndërtimi i tyre ka pasoja të pariparueshme për mjedisin jetësor dhe natyrën, deri në atë masë sa kërcënon mbijetesën e ekosistemeve ujore dhe specieve të mbrojtura dhe endemike, si dhe të njerëzve”, thonë nga Eko vetëdija, duke shtuar se lumenjtë janë sistemi i qarkullimit të gjakut të natyrës. Ato i krijojnë relievet, e ushqejnë biodiversitetin, e pastrojnë ujin që e pimë dhe e ushqejnë tokën.

Ka 25 vjet që Dita Botërore e Lumenjve (International Day of Action For Rivers) festohet më 14 mars. Ky vit i kushtohet solidaritetit, duke theksuar rëndësinë që komunitetet të kenë qasje në ujë të pastër dhe të rrjedhshëm dhe rëndësinë që secili të ketë fjalën e tij në marrjen e vendimeve që ndikojnë në ujin dhe jetën e tyre.

Në këtë ditë në botë theksohet rëndësia e lumenjve për biodiversitetin, sepse sistemet lumore janë zonë e biodiversitetit më të madh në planet, por edhe zonë e aktivitetit më intensiv të njeriut. Këtë vit bota do të takohet në Konventën e 15-të mbi Diversitetin Biologjik, ku pritet të diskutohet mbi ekosistemet më të degraduara të ujërave të ëmbla në botë dhe veprimet globale të nevojshme për të ndryshuar këtë situatë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button