Shtetet e Ballkanit Perëndimor të përgatiten për një të ardhme pa gazin rus

ShBA ka nisur një fushatë të ashpër financiare kundër Rusisë dhe ndihma konkrete për Ukrainën. Ndihma e re për Kievin zyrtarë në miliarda dollarë, është një shumë e jashtëzakonshme për forcimin e ushtrisë ukrainase. Paketa e miratuar në Kongresin Amerikan, përfshinë ndihmë humanitare dhe ushtarake. Kështu dy miliard dollarë ndihmë ekonomike janë ndarë për Ukrainën dhe vendet fqinje. 6.5 miliardë dollarë ndihmë emergjente për mbrojtjen. Paketa financiare tregon se 3.5 miliardë dollarë janë caktuar për armatimin e ukrainasve dhe forcave aleate në rajon dhe 3 miliardë dollarë të tjerë për të mbështetur vendosjen e trupave dhe mjeteve strategjike amerikane në Evropë. Gjithashtu Pentagoni njoftoi se në Poloni, në Varshavë, ka vendosur sistemin e mbrojtjes raketore “Patriot”

Presidenti i ShBA-së Joe Bajden ka deklaruar se ShBA, BE dhe G7 do t’i heqin Rusisë statusin e përhershëm normal të tregtisë, duke i lejuar vendet të rrisin tarifat për mallrat ruse. Presidenti Bajden tha gjithashtu se ShBA dhe G7 do të përpiqen t’i mohonin Rusisë aftësinë për të marrë hua nga “institucione udhëheqëse shumëpalëshe” si Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) dhe Banka Botërore (BB).

Gjithsej Kongresi Amerikan miratoi një shumë mbi 13.6 miliard dollarë dhe kjo njeherit paraqet një ndihmë të madhe që kur Lufta e Ftohtë përfundoi dhe kur u mendua se Rusia dhe ShBA asnjëherë më nuk do t’i ktheheshin të së kaluarës së ftohtë të shek. 20. Një e kaluar ku Rusia përsëri po i promovon politikat e vjetra antagoniste dhe të Bollshevizmit.

Tash kur me pushtimin rus të Ukrainës gjithçka ka ndryshuar dhe Rusisë së Putinit i janë vendosur sanksione më të fuqishme ndërkombëtare që nga viti 2014, kriza ekonomike globale dhe brenda Rusisë po shfaqet me rritje të mëdha të çmimit të naftës, produkteve të saj, industrisë së ushqimeve dhe ndryshime drastike në zinxhirin global të të mirave.

Pasi BE-ja varret nga gazi rus, vendosja apo bllokada ekonomike e Perëndimit ndaj Rusisë ka reflektuar në ekonomitë kombëtare të shteteve të BE-së dhe jashtë. Ndalimi jo i plotë i importit të naftës dhe gazit rus si nga Evropa dhe më shumë nga ShBA-ja, ka shtyrë qeveritë të kërkojnë burime alternative të energjisë.

Siç dihet edhe përkundër luftës në Ukrainë dhe agresionit rus, shtetet e BE-së nuk janë të vendosura që plotësisht të ndërprejnë këtë import. Ditëve të fundit kemi hasur disa reagime qeveritare ballkanike me qëndrime të dyfishta se a duhet plotësisht të ndërpritet importi i gazit dhe naftës ruse. Këtu duhet parë edhe disa vlerësime kundërthënse të qeverisë së Maqedonisë së Veriut.

Në teorinë e ekonomisë politike, dihet se asnjë komb nuk mund të vetëmbahet pa një bashkëveprim me kombet apo shtetet tjera. Lufta ekonomike e shpallur i ka pasojat e veta për ekonomitë dhe industrinë e shteteve të Perëndimit dhe anasjelltas. Në një sistem global të integruar që kur Lufta e Ftohtë përfundoi, ekonomitë qofshin të shteteve të botës perëndimore dhe asaj ruse kanë pasoja të paparashikueshme. Natyrisht në rrugë e sipër këtu më shumë do të dëmtohet ekonomia e Federatës ruse dhe e qytetarëve të saj.

Është menduar me vite se për të mënjanuar vartësinë gjeo-ekonomike dhe politike të BE-së- Ballkanit nga Rusia, eksporti i gazit të lëngshëm LNG dhe derivateve nga gazi argjilor, do të ndërpriste rrugën manipuluese të Rusisë në të ardhmen. Për të ardhmen e sigurisë energjetike evropiane dhe ballkanike mbeten shumë çështje të hapura. Analistët thonë se me fillimin e luftës në Ukrainë, “Rrjedhja -Veriore” ose “Nord Stream” -projekti rus që përfundon në Gjermani, ka marrë fund. Dhe këtu nuk dihet se sa do të zgjasë lufta ruso-ukrainase dhe si do të kthehet Rusia në sistemin global të ekonomisë dhe tregtisë. Por, një gjë është e sigurtë se BE-ja, Ballkani Perëndimorë dhe Evropa Lindore bashkë me shtetet tjera jashtë unionit, do të bëjnë rivlerësimin e burimeve të furnizimit me energji qofshin të rinovueshme pra kalimi në një epokë e re të përshpejtimit të fitimit të energjisë. Më e keqja gjatë krizës dhe pas do të ishte  në qoftë se shtetet e këtu sidomos të rajonit të Ballkanit t’i kthehen qymyrit.

Kur jemi tek realiteti i gazit natyrorë, naftës dhe atij argjilor, sipas një raporti të “Al- Jazzerës”, thuhet se eksportuesit më të mëdhenj të naftës në botë në vitin 2019 ishin Arabia Saudite, Rusia, Iraku, Kanadaja dhe ShBA-ja.

Pavarësisht raporteve ndërkombëtare dhe krizës aktuale, BE-ja, Ballkani Perëndimor dhe në veçanti Maqedonia e Veriut, duhet të fokusohen drejt burimeve tjera si ajo e fitimit të energjisë me anë të turbinave të erës, dhe lidhjeve me tubacionet që nuk varren nga Rusia dhe armiqtë.

ShBA dhe Kanadaja janë një ndër vendet ku gazi argjiror mund të shfrytëzohet në të ardhmen për demokracitë e brishta dhe mund të jetë si një armë e sigurtë kundër autokracive dhe shteteve armiqësore. Deri atëherë, BE-ja dhe qeveritë e Ballkanit duhet të mendojnë se si t’i menaxhojnë ekonomitë gjatë luftës në Ukrainë dhe pas vendosjes së rregullave të reja me Rusinë.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button