Rruga drejt BE-së është e mbushur me pengesa nga fqinjët, por edhe me reforma të pazbatuara

Qytetarët si fajtorin më të madh për zvarritjen e procesit të anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian theksojnë pengesat nga vendet fqinje anëtare të BE-së, por ka nga ata që mendojnë se vendi nuk ka bërë sa duhet në procesin e reformave. Kjo çon në rritjen e mbështetjes për Bashkimin Euroaziatik të udhëhequr nga Rusia, sipas dy sondazheve të kryera nga Instituti për Demokraci “Societas Civilis” në bashkëpunim me Fondacionin “Konrad Adenauer” në nëntor të vitit të kaluar, shkruan Vërtetëmatësi.

Edhe pse 43% e të anketuarve fajësojnë pengesat nga vendet fqinje anëtare të BE-së për mungesën e progresit në procesin e anëtarësimit dhe pse vendi nuk është anëtar i BE-së, megjithatë mbi një e treta e popullsisë (34%) e vendos problemin në dështimin e reformave të brendshme, që paraqet rritje prej 15 për qind krahasuar me vitin 2020.

Hulumtimet tregojnë se të dhëna të tilla çojnë në rënie të besueshmërisë së BE-së në vend, si dhe përqindje të lartë të atyre që mbështesin Bashkimin Euroaziatik të udhëhequr nga Rusia.

Bashkimi Euroaziatik i udhëhequr nga Rusia, si alternativë ndaj anëtarësimit në BE, mbështetet nga një e treta e të anketuarve, ndërsa kundërshtarët e kësaj alternative kanë shumicë të qëndrueshme prej 53 për qind. Ka një ndryshim në përkatësinë etnike, kështu që 45% e maqedonasve do të mbështesnin anëtarësimin në Bashkimin Euroaziatik.

Në hulumtim vërehet se vetoja e vendosur nga Bullgaria është reflektuar edhe në procesin e reformave, i cili ka ngecur.

Reformat e brendshme që synonin rritjen e demokratizimit dhe përafrimin e legjislacionit kombëtar me ligjin evropian, pothuajse u pezulluan. Një nga proceset që mund të sillte procesin e evropianizimit në vend ishte plani “Evropa në shtëpi”. Ky plan parashihte reforma në gjyqësor dhe shtetin e së drejtës, administratën publike, procesin zgjedhor dhe ndryshimet klimatike. Megjithatë, pothuajse nëntë muaj pas prezantimit të tij, Qeveria nuk ka paralajmëruar ndonjë aktivitet të rëndësishëm që do të nënkuptonte arritje të suksesshme të synimeve të përcaktuara në plan, thuhet në analizë.

Apele për fokusim në procesin e reformave këto ditë (03.03.2022) kanë mbërritur nga ambasadori i BE-së në Shkup, David Geer dhe ambasadori francez Cyril Bomgartnernë konferencë për media në selinë e BE-së në Shkup, ditë më parë.

Ambasadorët thanë se reformat dhe negociatat mes Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut duhet të vazhdojnë, sepse ato janë kusht për anëtarësimin në BE dhe se situata ndërmjet Rusisë dhe Ukrainës nuk duhet të krahasohet me atë të Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë, sepse bëhet fjalë për situata krejtësisht të ndryshme.

Ne kemi interes të fortë strategjik për ta parë Maqedoninë e Veriut anëtare të BE-së, por ju duhet të bëni reforma. Kjo është shprehur tashmë nga të gjithë liderët evropianë në Brdo dhe ky është në fakt mesazhi kyç që kemi thënë. Sigurisht, procesi i anëtarësimit duhet të jetë zbatim reformash. Ky është një proces i vazhdueshëm që do ta sjellë vendin më afër BE-së dhe duhet të vazhdojëthanë Geer dhe Bomgartner.

Procesi i reformave që vendi duhet të zbatojë në të gjitha kapitujt e metodologjisë së re të zgjerimit, shpjegohet gjerësisht në raportet që Komisioni Evropian jep për ecurinë e vendit në rrugën drejt Bashkimit Evropian. Raporti i fundit i publikuar në tetor 2021 thotë se vendi duhet të vazhdojë të mbajë ritëm të qëndrueshëm dhe vendimtar në avancimin e reformave të BE-së, duke u fokusuar në grupin Themelet.

Çështjet e pazgjidhura dypalëshe midis Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut duhet të zgjidhen si çështje prioritare. Autoritetet në Maqedoninë e Veriut kanë vazhduar të demonstrojnë publikisht përkushtimin e tyre për përparim në rrugën drejt BE-së. Vonesat për fillimin zyrtar të bisedimeve të anëtarësimit kanë ndikim negativ në besueshmërinë e BE-së. Qeveria ka punuar në agjendën e reformave të BE-së dhe menaxhimin me pasojat e pandemisë COVID-19. Ajo duhet të ruajë ritmin e reformave dhe të fokusohet në zbatimin e kuadrit ligjor ekzistues, në vend të nisjes së nismave të reja sporadike. Zbatimi në kohë dhe thelbësor i agjendës së reformës kërkon mbështetje të qëndrueshme nga shoqëria në tërësithuhet në raport.

Kujtojmë se, Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria tensionuan raportet për shkak të kontesteve historike. Sofja zyrtare kërkon që Shkupi t’i pranojë kërkesat bullgare se gjuha maqedonase është normë e asaj bullgare dhe se kombi maqedonas është krijuar nga Tito.

Ky kontest ka bllokuar procesin eurointegrues të vendit, me çka Bullgaria gjatë vitit 2021 i vendosi dy herë veto Maqedonisë së Veriut, njëherë në qershor, kurse më pas, më 14 dhjetor të vitit 2021, edhe një herë e bllokoi fillimin e negociatave RMV-BE.

Edhe në vitin 2020, njëjtë vendi fqinj, i vendosi dy here veto Maqedonisë së Veriut, një herë në këshillin e ministrave të Jashtëm të BE-së si dhe në Këshillin për Punë të Përgjithshme të BE-së, duke penguar në këtë mënyrë miratimin e kornizës negociuese për fillimin e negociatave të vendit me BE-në. Për zgjidhjen e kontesteve të historisë, komisioni maqedonaso – bullgar ka mbajtur takime, po nuk kanë arritur të gjejnë zgjidhje. Palët kanë mosmarrëveshje më së shumti rreth identitetit të figurave historike të Mbretit Samoil dhe Goce Delçevit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button