BERZH: 1 milion euro shtesë në RMV për amvisëritë për investime në efiçiencë energjetike

Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) njofton se mbështet investimet mjedisore në Maqedoninë e Veriut duke dhënë një kredi prej 1 milion euro për Komercijalna Banka Shkup përmes Programit të BERZH për financimin e ekonomisë së gjelbër – GEFF, transmeton Portalb.mk.

Fondet do të jenë në dispozicion të individëve për të investuar në masat e kursimit të energjisë si izolimi, dritaret, pompat e ngrohjes, panelet diellore dhe zgjidhje të tjera. Pas zbatimit me sukses të masave, përfituesit do të kenë të drejtën e një granti deri në 20 për qind të vlerës së kredisë. Ku fondet për grantet sigurohen nga Bashkimi Evropian (BE).

“Ne jemi të kënaqur që po ndërtojmë një partneritet të suksesshëm me Komercijalna Banka Shkup dhe për të rritur mbështetjen tonë për investimet për efikasitetin e energjisë në vend.” Investimi në efiçencën e energjisë ka përfitime të shumta. Ato kontribuojnë në uljen e faturave të energjisë elektrike të qytetarëve, por edhe në uljen e prodhimit dhe konsumit të energjisë elektrike në vend dhe në fund në uljen e emetimeve të dyoksidit të karbonit”, tha Andy Aranitasi, përfaqësues i BERZH-it për RMV-në.

Që nga shkurti i vitit 2022, Programi GEFF për Mbështetjen e Investimeve të Energjisë së Gjelbër në Maqedoninë e Veriut është shfrytëzuar nga pothuajse 2700 familje në vlerë prej gati 20 milionë euro. Teknologjitë më të zakonshme të financuara janë dritaret dhe dyert, izolimi dhe pompat e nxehtësisë.

Linja e kredisë GEFF për Ballkanin Perëndimor, e mbështetur nga Programi i Investimeve të BE-së për Ballkanin Perëndimor dhe Ministria e Financave austriake, është pjesë e Programit Rajonal të Efiçiencës së Energjisë për Ballkanin Perëndimor. Qëllimi i programit është të mbështesë rajonin, i njohur për intensitetin e lartë të energjisë, me qëllim përmirësimin e efiçencës së energjisë në sektorin e amvisërive, i cili është një nga konsumatorët më të mëdhenj të energjisë.

Ndryshe, BERZH është investitori kryesor institucional në Maqedoninë e Veriut dhe deri më sot ka investuar mbi 2.2 miliardë euro në 154 projekte në vend. Mbështetja e energjisë së gjelbër është prioritet për Bankën, pasi adreson një nga sfidat më të rëndësishme në vend.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button