Pa trena ndërkombëtarë Ballkani mbetet me hekurudhë të izoluar nga Evropa (Infografik)

Trafiku hekurudhor ndërkombëtar në Ballkan po shuhet në vazhdimësi, pa u ndal, ndërsa disa vende të rajonit janë me hekurudhë plotësisht të izoluar nga Evropa në një kohë kur Bashkimi Evropian po insiston vazhdimisht në rritjen e përdorimit të trenave si rezultat i ndryshimeve klimatike të shkaktuara nga emetimet e gazeve serrë, shkruan Meta, transmeton Portalb.mk.

Meta.mk bëri një analizë të numrit të trenave ndërkombëtarë, që qarkullojnë drejt vendit tonë dhe nga vendi ynë, por edhe të numrit të trenave që i lidhin qytetet e tjera të Ballkanit. Shifrat janë zhgënjyese për të gjitha vendet dhe këtë e tregojnë oraret e kompanive shtetërore hekurudhore të vitit 2022 krahasuar me ata të vitit 2012.

Vendi, sipas orarit ekzistues, aktualisht ka vetëm një tren ndërkombëtar nga Shkupi në Prishtinë, por as ai nuk qarkullon. Gjithashtu, Greqia, Kosova, Shqipëria dhe Bosnja e Hercegovina aktualisht nuk kanë asnjë tren ndërkombëtar për të udhëtuar drejt vendeve fqinje. Vetëm Kosova ka hyrë në orarin e trenave ndërmjet Prishtinës dhe Shkupit, por i njëjti nuk qarkullon që nga fillimi i pandemisë kovid-19.

Numri i trenave ndërkombëtar që qarkullojnë në Ballkan
Numri i trenave ndërkombëtar që qarkullojnë në Ballkan

Ndër vendet e rajonit, Bullgaria dhe Serbia janë dy vendet që, në vitin 2022, kanë planifikuar trafik ndërkombëtar të trenave me vendet fqinje. Në Bullgari ka dy trena deri në kufi për në Rumani, ku bëhet transferimi i udhëtarëve nga  treni në tren, në linjat Sofje-Vidin-Krajovë dhe Sofje-Ruse-Bukuresht.

Ndërkohë Serbia ka planifikuar 10 trena ndërkombëtarë dhe gjashtë trena kufitarë drejt vendeve fqinje këtë vit, por shumica e tyre, si trenat nga Beogradi për në Tivar dhe nga Beogradi për në Zagreb dhe Lubjanë, janë trena sezonalë që këtë vit do të qarkullojnë vetëm verës. E njëjta situatë është edhe me Malin e Zi, i cili në orarin për vitin 2022 ka planifikuar vetëm trenat që do të qarkullojnë ndërmjet Beogradit dhe Tivarit.

Numri i trenave ndërkombëtarë në Ballkan është vazhdimisht në rënie

Për dallim nga sot, një dekadë më parë vendet e Ballkanit ishin dukshëm më të lidhur me trafikun hekurudhor ndërkombëtar të udhëtarëve. Në vitin 2012, dy trena ekspres qarkullonin rregullisht nga Shkupi në Beograd çdo ditë, një tren për në Prishtinë dhe një tren sezonal që transportonte qytetarët verës për në Burgas.

Një dekadë më parë Mali i Zi kishte edhe katër trena ndërkombëtarë, të cilët qarkullonin drejt Serbisë fqinje, por edhe me vagonë që gjatë sezonit veror sillnin turistë nga disa vende evropiane në Adriatik. Një linjë e tillë e trenit nga Shkupi në Tivar u anulua në vitin 2011 për shkak se po atë vit Serbia e ndërpreu linjën hekurudhore midis Nishit dhe Malit të Zi dhe nuk e ktheu më kurrë në funksion.

Bullgaria, ndryshe nga dy trenat ekzistues ndërkombëtarë për në Rumani, u lidh në vitin 2012 nga Sofja me Selanikun dhe Athinën, Beogradin, Kievin, Moskën, Stambollin dhe Bukureshtin. Vetëm 10 vjet më parë, gjashtë trena ndërkombëtarë udhëtonin nga kryeqyteti bullgar jashtë vendit.

Edhe Bosnja e Hercegovina një dekadë më parë kishte lidhje hekurudhore me Kroacinë dhe me Serbinë me trena ekspres midis Sarajevës e Zagrebit dhe Sarajevës e Beogradit, ndërsa sot nuk ka tren ndërkombëtar. Sot, i vetmi tren kufitar shkon nga Ruma (Serbi) për në Zvornik (BeH).

Rënia e trafikut hekurudhor ndërkombëtar mund të shihet më së miri në Serbi, e cila gjendet në qendër të Ballkanit dhe ka pasur gjithmonë lidhje të zhvilluara hekurudhore me fqinjët e saj. Brenda një dekadë, numri i trenave ndërkombëtarë për destinacionet e huaja është përgjysmuar. Në vitin 2012, në Serbi kishte 20 trena ndërkombëtarë dhe 16 trena shtesë deri në kufijtë e vendeve fqinje.

Nga Beogradi, 10 vjet më parë, mund të udhëtohej me tren për në Shkup, Sofje, Tivar, Sarajevë, Bukuresht, Budapest, Zagreb, Lubjanë, Cyrih dhe Vjenë, si dhe kishte vagonë ​​direkt për destinacione të tjera jashtë vendit. Për dallim nga ajo kohë, në vitin 2022 nga dhjetë trenat ndërkombëtarë, destinacionet për në Zagreb dhe Lubjanë janë reduktuar në linja sezonale gjatë verës, ndërsa për në Budapest shkon vetëm treni nga Subotica.

Numrin më të vogël të linjave edhe në vitin 2012 edhe sot e ka Kosova, e cila ndërkombëtarisht lidhet vetëm me Shkupin. Ndryshe nga një dekadë më parë, kjo lidhje hekurudhore sot nuk mirëmbahet. Meta.mk kërkoi informacion nga Hekurudhat e RMV-Transport se kur do të vihet sërish në funksion treni në relacionin Shkup – Prishtinë, por nuk morëm përgjigje. Pa përgjigje mbet edhe pyetja se kur do të funksionojë treni nga Shkupi për në Selanik dhe Beograd.

Transporti hekurudhor ndërkombëtar në Ballkan ka humbur përgjithmonë

Dejan Trpevski, inxhinier i komunikacionit dhe njohës i sistemit hekurudhor, tha për Meta.mk se gjendja me trafikun ndërkombëtar hekurudhor në vend dhe në Ballkan nuk duhet të na habisë.

“Trenat e udhëtarëve në përgjithësi gjenerojnë vetëm humbje. Në mënyrë që trafiku i udhëtarëve të funksionojë me përfitim, nevojiten disa faktorë. Ekzistenca e popullatës që do të shfrytëzojë shërbimet e hekurudhës, shërbim cilësor, frekuencë e lartë e trenave gjatë ditës, infrastrukturë e degëzuar mirë, çmim i volitshëm për shfrytëzimin e shërbimeve”, thotë Trpevski.

Ai thekson se mes vendeve të Ballkanit ka shumë kufij, ndërsa relacionet janë shumë të shkurtra, kështu që qytetarët e kanë më të lehtë të udhëtojnë në këto destinacione me vetura apo autobus në vend të trenit. Megjithatë, si arsye kryesore për shuarje të trenave ndërkombëtarë, ai e konsideron migrimin e përshpejtuar të popullsisë jashtë vendit dhe mungesën e njerëzve që do të udhëtonin me tren, si dhe konkurrencën në trafikun rrugor.

Dejan Trpevski beson se Ballkani ka dallime të mëdha në krahasim me vendet evropiane. Në BE, janë vende me popullsi shumë më të madhe, që jetojnë në qytete më të mëdha të vendosura në distanca relativisht të gjata, kështu që përdorimi i trenave me shpejtësi të lartë është më i lehtë për t’u zbatuar dhe shumë më fitimprurës ekonomikisht.

“Përvoja e tillë nga BE-ja nuk mund të zbatohet për vendet e Ballkanit, sepse nuk mund të bëhet krahasim për shkak të kushteve të ndryshme që ekzistojnë në BE dhe në Ballkan në aspektin e popullsisë, hapjes së kufijve, nevojës për udhëtim, kohëzgjatjes së udhëtimit dhe të ngjashme. Operatorët privatë as që mendojnë të hyjnë në pjesën e transportit të udhëtarëve në hekurudhë”, tha Dejan Trpevski.

Për të promovuar transportin hekurudhor mes qytetarëve, BE-ja vitin 2021 e shpalli vit të hekurudhave dhe për të promovuar transportin hekurudhor, nëpër Evropë udhëtoi Connecting Europe Express, tren që kaloi edhe nëpër Ballkan. BE-ja po investon në ndërtimin e infrastrukturës hekurudhore në Korridorin 8 në vend, si dhe në Korridorin 10 në Serbi, por edhe në një sërë projektesh të tjera të infrastrukturës hekurudhore në vende të tjera të Ballkanit.

Investimet e tilla nga BE-ja në infrastrukturën hekurudhore, sipas ekspertit Dejan Trpevski, i nevojiten Unionit për transportin e mallrave nga portet greke në vendet e Evropës Qendrore, e jo për zhvillimin e transportit hekurudhor të udhëtarëve në këtë pjesë të Evropës. Sipas tij, qarkullimi i udhëtarëve me trenat ndërkombëtarë në të ardhmen e afërt dhe të largët nuk ka perspektivë në Ballkan.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button