Pendarovki me rastin e 8 Marsit: Gratë akoma të nënpërfaqësuara në pozitat vendimmarrëse

Presidenti Stevo Pendarovski me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Gruas dërgoi mesazh, duke thënë se lufta për të drejtat e gruas është e përditshme dhe është ende luftë për barazi dhe jetë dinjitoze, transmeton Portalb.mk.

“Përkundër rritjes së ndërgjegjësimit për të drejtat e grave, zgjidhjeve dhe programeve ligjore të miratuara, në rrugën drejt barazisë na mbeten shumë sfida në drejtim të zbatimit konsekuent të politikave, si dhe në drejtim të edukimit dhe ndryshimit të stereotipave dhe normave gjinore. Gratë janë ende të nënpërfaqësuara në pozitat politike dhe ekonomike ku merren vendimet kryesore, dhe pabarazia ekonomike është qartë e dukshme në një numër sektorësh ku gratë përballen me diskriminim si në paga, ashtu edhe në akses dhe në kushtet e punës. Nevoja për veprim ligjor sistematik dhe konsistent të institucioneve përkatëse është kyçe për parandalimin dhe mbrojtjen nga dhuna ndaj grave”, thuhet në mesazhin e Pendarovski.

Konfliktet dhe operacionet e paqes, thuhet më tej na tregojnë se gratë mund të jenë njësoj në radhët e para, duke luftuar me vendosmëri për drejtësi, duke kontribuar në zgjidhjen e konflikteve, ndërsa shpesh gratë janë viktima të krimeve të luftës. Jo vetëm sot, por çdo ditë duhet t’i kushtojmë respekt guximit të grave në konfliktet ushtarake dhe rolit të tyre në pajtim.

“Pandemia na ka përballur me rritje pabarazish në shumë fusha. Të përballura me sfida, gratë përsëri mbajtën barrën kryesore, duke marrë role të shumta dhe punë të papaguar në mirëmbajtjen e shtëpive, edukimin e fëmijëve dhe kujdesin për të moshuarit”, thuhet mes tjerash në mesazh.

Pendarovski, vlerëson se kemi përgjegjësi të përbashkët të bëjmë vlerësimin sesi vendimet që marrim dhe politikat publike që krijojmë ndikojnë tek gratë.

“Të gjithë kemi përgjegjësi, por mbi të gjitha institucionet përkatëse dhe aktorët politikë, për ndryshimet që do të mundësojnë pjesëmarrje më të madhe të grave në politikë, vendimmarrje, politikëbërje, menaxhim procesesh, zhvillim ekonomik, shkencë dhe inovacion. Barazia gjinore është parakusht për një shoqëri të lirë, të zhvilluar, demokratike, të drejtë dhe të hapur. I përshëndes përpjekjet e të gjithë aktorëve që punojnë për të promovuar barazinë gjinore dhe për të krijuar një shoqëri në të cilën gratë mund të marrin vendimet e tyre jetësore, pa dhunë dhe seksizëm me bazë gjinore, një shoqëri në të cilën vajzat nuk do të pengohen nga paragjykimet dhe stereotipet”, përmbyllë mesazhin për 8 Marsin Presidenti Pendarovski.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button