GARBO NACIONALIZMI (I)

“Sllovenia për sllovenët.”

grafiti, Nova Gorica (2011)

 Shkenca apo më saktë kureshtja shkencore të hap dritare të reja, të mëson gjëra që të ndihmojnë në të kuptuarit dhe shpjeguarit e fenomeneve që ndodhin përreth  nesh dhe më tej. Kohë më parë, duke redaktuar përkthimin shqip të veprës së profesorit slloven të studimeve kulturore nga Universiteti i Lubjanës, Mitja Velikonja, Grafitet politike post-socialiste në Ballkan dhe në Europën Qendrore, që së shpejti pritet të shohë dritën e botimit ndër ne (Logos-A, 2022), hasëm në një term interesant, për të cilin dëgjonim për herë të parë: garbo nacionalizmi. Një term që s’e kanë as fjalorët e sociologjisë e as të politologjisë, një sintagmë i krijuar nga ish diplomati amerikan Warren Zimmerman në kohën e shpërbërjes së ish-Jugosllavisë, për të përshkruar ngjarjet, rrymimet socio-politike në Slloveni (Kuzmanić, 1999: 57), vetëdijen kolektive sllovene lidhur me veten dhe kombet e tjera të ish-Jugosllavisë.

Sipas Warren Zimmermann-it, ambasador i fundit amerikan në Jugosllavi (1989-1992), tani konsultant senior në RAND, termi garbo nacionalizëm përbën një formë të nacionalizmit modest, “një nacionalizëm unik, pa viktima dhe armiq” (Zimmermann, 1999: 71). Bëhet fjalë për një frymë kombëtariste të periudhës kur sllovenët kërkonin vetëm një gjë: që të liheshin vetëm dhe asgjë më shumë (just wanted to be left alone), të vetëdijes dhe romantizmit kombëtar slloven të viteve ‘90 në rrugën drejt pavarësisë.  Ky nocion përshkruan kornizën e nacionalizmit apo shovinizmit “fin” slloven ndaj të jashtmit, të huajit. Kuzmanić duke iu referuar hulumtuesve si Griffin (1995) këtë lloj të nacionalizmit e quan racizëm të kulturuar (cultured racism).

Zimmerman-i në shkrimin e tij të marsit/prillit 1995 të publikuar në Foreign Affairs, “The last Ambassador: A Memoir of the Collpase of Yugoslavia” (Ambasadori i fundit: Kujtime rreth shkatërrimit të Jugosllavisë) thotë se Sllovenia ka qenë republika e vetme që ka prosperuar në komunizëm dhe më e afërmja nga vendet komuniste ndaj demokracisë. Sipas tij në fillim të viteve 1990 virtyti i sllovenëve ishte demokracia, kurse ves, vetjakësia (selfishness); egoizmi që një analiste ka thënë se “s’ia gjen shoqin” (Vasović-Mekina, 2018). Në rrugën e tyre drejt pavarësisë sllovenëve nuk u ka interesuar fare fati i kombeve të tjera , thjesht kanë injoruar 22 milionë josllovenë që ishin pjesë e federatës jugosllave (RSFJ). Ata sipas diplomatit në fjalë bartin përgjegjësinë e gjakderdhjes që ka ndodhur pas secesionit të tyre të shpallur më 25 qershor 1991. (Zimmermann, 1995: 7) Termin në fjalë e ka rrahur edhe ish-presidenti slloven Danilo Türk në një ligjëratë të mbajtur në vitin 2011 në Paris, “20 vjet pas pavarësisë: Përvoja e republikës së Sllovenisë (dhe pse ende jemi optimistë)”. Sipas tij ky term lidhet me aktoren e madhe amerikane Greta Garbo e cila ka qenë e fiksuar pas izolimit, por që ndërkohë s’e ka humbur respektin që ka gëzuar. Një radhë ajo kishte deklaruar: “Dua që të më lënë të jem vetëm! (I want to be left alone), në fakt nuk donte të jetë e vetmuar, por të lihet vetëm (She does not want to be alone, but to be left alone.)

Termi garbo nacionalizëm implikon vetëruajtjen dhe vetëmbrojtjen (self-preservation and protection) në një kohë turbulencash dhe të nacionalizmit agresiv serb, kur sllovenët kan kërkuar sigurinë bazike, kur shtetësia e pavarur dhe sovraniteti i plotë kanë qenë garancitë e vetme të shtetit dhe identitetit të kërcënuar. Shumë autorë dhe analistë pohojnë ky garbo nacionalizëm apo “nacionalizëm me fytyrë të mirë” e ka shkatërruar Jugosllavinë.

Sllovenët në vitet 1990 donin të ishin të lirë nga varfëria dhe intriga e pjesës tjetër të Jugosllavisë (Zimmermann, 1999: X), nga jugosllavizmi nën sloganin e vëllazërim-bashkimit ku nuk relizoheshin dy parametrat e Revolucionit Francez: liria dhe barazia (Letica, 19996: 176). Ata gjatë gjithë kohës rrëfenin storjen e të drejtave të njeriut (duke e shfrytëzuar edhe rastin e Kosovës) të majëzuar apo me nuanca të sovranitetit. Këtë e vërteton Deklarata e Shkrimtarëve Sllovenë e vitit 1989 (Danas, 17 janar) ku qartë përmenden të drejtat e njeriut dhe sovraniteti. Në fakt ata donin që të shpëtonin nga nacionalizmi serb i mbështetur nga metodat komuniste të kontrollit, që nuk toleronte as demokracinë as ndarjen e pushtetit me grupet e tjera nacionale; nga agjenda e ngushtë dhe shizoide e Millosheviqit që duke e bërë Jugosllavinë të pabanueshme për joserbët, u shndërrua në rrënuesin kryesor të Jugosllavisë. Atëbotë sipas Stanovnikut, përpjekja për të ruajtur Jugosllavinë dukej si notim në drejtim të dallgëve. Si rrjedhim i kontekstit dhe i një historie thuajse gjysëmshekullore të nacionalizmi të variantit modest të megali idesë (Flere & Klanjšek, 1999: 173), tani në formën e nacionalizmit të zhveshur (naked nationalism) bashkë me atë kroat, ishin  sllovenët ata që e filluan luftën  dhe në këtë drejtim Zimmermann-i bën krahasim me luftën civile amerikane ku si jugu separatist është cilësuar si “njeriu i keq”; në rastin e Jugosllavisë i keqi ka qenë veriperëndimi. (Cushman & Meštrović, 1996: 168) Sipërfaqësia e formulës “just leave us alone” vërehet kur Sllovenia kërkoi që të bëhet pjesë e Bashkimit Europian duke i pranuar të gjitha kushtet e imponuara pa kurrfarë vërejtjeje. (Flere, op.cit.) /vazhdon/

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button