RMV, mbi 40 mijë automjete janë importuar vitin e kaluar, mbi 85% janë të përdorura (INFOGRAFIK)

Numri i automjeteve të importuara në vend është rritur ndjeshëm vitin e kaluar. Të dhënat e Drejtorisë së doganave të RMV-së tregojnë se nga janari deri në nëntor 2021 në vend janë importuar gjithsej 40.326 automjete, duke përfshirë vetura, autobusë, minibusë, dhe automjete të mallrave. Informacioni i përgjithshëm për gjithë vitin e kaluar nuk është publikuar, por shifrat ekzistuese tregojnë se numri i automjeteve të importuara vitin e kaluar është rritur me mbi 8,000 automjete krahasuar me vitin 2020, shkruan Meta.mk, transmeton Portalb.mk.

Përqindja e qytetarëve që posedojnë makina po rritet çdo vit në vend. Me kalimin e viteve, shumica e këtyre automjeteve të importuara tashmë janë përdorura, me dhjetëra mijëra kilometra dhe motorë kryesisht me standarde emetimi nën EURO 5, të cilët ndotin ajrin.

Kështu, nga janari deri në nëntor të vitit të kaluar, në vend janë importuar gjithsej 36.740 vetura, nga të cilat 31.433 janë të vjetra, ndërsa 5.307 kanë hyrë të reja. E shprehur në përqindje, mbi 85% e makinave që janë importuar në vend vitin e kaluar janë përdorura. Kjo përqindje është ruajtur prej vitesh, duke filluar nga viti 2010 kur u lehtësua importi i automjeteve të përdorura në vend.

Në fillim të vitit nga Ministria e Ekonomisë për Meta.mk thanë se në vitin 2022 do të ndalohet importi i automjeteve të përdorura me standarde të emetimit nën EURO 5. Kjo vjen pasi kjo masë nuk u zbatua vitin e kaluar, ndonëse ministri i Ekonomisë Kreshnik Bekteshi e kishte premtuar në janar 2021. Vendimin përfundimtar për ndryshimin e nivelit të shkarkimeve për automjetet e importuara duhet ta marrë Qeveria e RMV-së.

Ndryshe, shtrëngimi i kushteve për import të automjeteve të përdorura nga jashtë është një nga masat për zbutjen e ndikimit të transportit rrugor në ndotjen e ajrit në qytete. Dy masa të tjera që u premtuan gjithashtu nga Qeveria për t’u zbatuar në nivel kombëtar janë vendosja e taksës mjedisore për produktet e naftës, por edhe për etiketat mjedisore për automjetet që qarkullojnë në rrugë.

Sipas informacioneve të fundit që morëm nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, vendosja e taksës mjedisore e shpallur më 1 korrik të vitit të kaluar është ende në procedurë parlamentare, pasi është pjesë e projektligjit për ndryshimin e Ligjit për mjedisin jetësor.

“Sa i përket tarifave mjedisore, propozimi nuk nënkupton pranim dhe vendimi mbetet te deputetët, të cilët e kanë fjalën e fundit”, thanë nga Ministria e Mjedisit.

Saraj, analiza ekonomike, maska, qytet, shkup, veture, vetura, saraj
Foto nga Portalb.mk/Arbnora Memeti

Ndërkaq, çmimi i derivateve të naftës aktualisht ka arritur nivel rekord në Maqedoninë e Veriut, ku çmimi i benzinës është mbi 80 denarë për litër, ndërsa vlera e naftës në pompat e karburanteve ka kaluar 70 denarë për litër. Këto janë çmimet më të larta të regjistruara në periudhën nga viti 2012, kur çmimi i benzinës Eurosuper BS-95 atëherë arriti në 88,5 denarë për litër.

Për shkak të kësaj rritje të çmimeve si pasojë e krizës energjetike dhe luftës në Ukrainë, opozita jo vetëm që nuk e mbështet vendosjen e taksës mjedisore, por këto ditë ka kërkuar uljen e akcizës për karburantet e automjeteve me 50 për qind. VMRODPMNE ka dorëzuar edhe një projektligj, me të cilin planifikohet të ulet çmimi i derivateve të naftës përmes uljes së akcizës.

Një masë tjetër që mund të ndikojë në uljen e ndotjes së ajrit në qytete, por edhe në emetimet e gazrave serrë në vend, janë afishet miqësore të mjedisit për automjetet. Kjo masë për vendosjen e afisheve të kuqe, të verdhë dhe jeshile, përkatësisht klasifikimi i automjeteve sipas shkallës së shkarkimit të gazrave, nuk funksionon për të tretin vit radhazi.

Nga Ministria e Ekonomisë nuk kemi marrë përgjigje këto ditë se kur mund të funksionojnë afishet mjedisore, të cilat do të kufizojnë lëvizjen e automjeteve që ndotin ajrin në periudhat kur ka ndotje enorme të ajrit nëpër qytete. Ministria e Mjedisit vetëm shkurt na tha se kjo çështje është në kompetencë të Ministrisë së Ekonomisë.

Saraj, analiza ekonomike, maska, qytet, shkup, veture, vetura, Saraj
Foto: Arbnora Memeti

Informacioni i fundit që morëm nga Qeveria vjeshtën e kaluar ishte se Ministria e Ekonomisë ka hartuar rregulloren, e cila përshkruan procedurën për përcaktimin e kategorisë mjedisore të automjeteve dhe e ka dorëzuar atë në Sekretariatin për Legjislacion, por pa një datë të caktuar se kur afishet ekologjike për automjetet në vend mund të jenë funksionale.

Krahas ndotjes së ajrit, importi i përshpejtuar i automjeteve nga jashtë çon në shtimin e problemit të mungesës së hapësirave të parkimit në qytete, rëndon kaosin tashmë ekzistues të trafikut në qytetet kryesore, në të njëjtën kohë shkalla e përshpejtuar e motorizimit të popullsisë redukton përdorimin e transportit publik, tregojnë statistikat.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button