Armatosja e Ukrainës me fonde evropiane

Qytetet kryesore të Ukrainës pranë Detit të Zi dhe asaj lindore po përballen me përparime të shpejta nga trupat ruse dhe një shkatërrim të paparë të qyteteve. Në Mykolaev, banorët po përgatiten për një sulm të pashmangshëm, njofton gazeta amerikane Nju- Jork -Tajms (NYT). Në qytetin tjetër të Mariupolit, nënkryetari i bashkisë, paralajmëroi se trupat ruse po e rrethojnë qytetin. Në Enerhodar, trupat ruse e pushtuan termocentralin bërthamor të Zaporizhinës, njoftoi Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike (IAEA).

Sipas kryebashkiakut të qytetit, Khersoni u bë qyteti i parë ukrainas që ra në duart e ushtrisë ruse. Po të premten, ministrat e Jashtëm të NATO-s u mblodhën në Bruksel, për të diskutuar situatën e sigurisë në Ukrainë dhe në Evropë. Ata e dënuan sulmin ushtarak të Rusisë dhe kërkuan tërheqjen e trupave nga Ukraina.

Sekretari i Departamentit të Shtetit Antony Blinken tha se aleanca është kundër vendosjes së zonës së ndalimit të fluturimeve (No – fly zone) mbi hapësirën ajrore të Ukrainës, duke nxitur kritika nga presidenca ukrainase. Përderisa Rusia ka avancuar ngadalë në Ukrainë dhe ka shkatërruar në masë qytetet e pushtuara, qeveria në Kiev ka kërkuar më shumë armatim nga Perëndimi, nga BE-ja, NATO-ja, shtetet jo anëtare të aleancës dhe të unionit.

Që kur lufta shpërtheu, hapur vendet Balltike, ShBA-ja dhe Britania e Madhe kanë dërguar sasi armatimi dhe raketa anti-tank për forcat mbrojtëse ukrainase, por jo aq mjaftueshëm për të përballuar Rusinë. Në ndërkohë, Ukraina ka kërkuar avionë ushtarak nga NATO-ja dhe shtetet tjera, si strategji për të parandaluar pushtimin e mëtutjeshëm të vendit nga Putini.

Mediat perëndimore kanë njoftuar se ushtria ruse ka hasur në rezistencë nga mbrojtja ukrainase dhe nuk është aq lehtë për rusët të mbajnë të pushtuar një territor kaq të madh si Ukraina.

Ajo që debatohet ditëve të fundit, është roli i BE-së në këtë konflikt. Edhe pse pa ndonjë rol të konsiderueshëm për t’i qëndruar ballë Rusisë së Putinit, që nga Lufta e Dytë Botërore, si asnjëherë më parë në historinë evropiane, shtetet e BE-së, masovikisht po e ndihmojnë Ukrainën në luftën e saj kundër Rusisë.

BE-ja gjatë javës që shkoi ndau rreth 500 milionë euro në armë dhe ndihma të tjera për furnizimin modern të Forcave Mbrojtëse të Ukrainës. Duhet ripërsëritur se në parim, traktatet e BE-së e ndalojnë union të përdorë buxhetin për të financuar operacione komplekse ushtarake të sferës së mbrojtjes për vendet jo anëtare.

Megjithatë, për shkak të konfliktit të ri, natyrës hibride të saj dhe nevojës së forcimit të ushtrisë ukrainase me armatim, BE-ja po përdor një instrument financimi jashtë buxhetit të BE-së, i ashtuquajtur ndryshe si “Fondi Evropian i Paqes”, me një shumë buxheti prej 5 bilion euro, i cili mund të përdoret për të ofruar ndihmë ushtarake në kohë të krizave.

“Fondi Evropian i Paqes”, mund të themi se është nën administrimin e BE-së, pra të Politikës së Jashtme dhe të Sigurisë, pasi vetëm veprimet e jashtme të unionit e përcaktojnë nëse duhet mbështetur një shtet me armatim dhe si duhet të përdoret ky fond i posaçëm. “Për herë të parë, BE-ja do të financojë blerjen dhe dërgimin e armëve dhe pajisjeve të tjera në një vend që është nën sulm,”- tha presidentja e Komisionit Evropian (KE) Ursula von der Leyen. “Ky është një moment vendimtar,”- tha ajo.

Fondi ofron ngritjen e kapaciteteve të vendeve partnere dhe mike, por në rastin e Ukrainës, furnizimi me armatim më tepër ka të bëjë edhe me vetë sigurinë e BE-së, të Kievit zyrtarë, dhe drojës së fuqive evropiane nga një shpërthim i mundshëm i konfliktit jashtë territorit ukrainas.

“Fondi Evropian i Paqes”, përbëhet nga dy shtylla kryesore: njëri lidhet me operacionet e mbështetjes së paqes dhe tjetri me masat ndihmëse. Këtu përgjegjësitë e Komisionit Evropian (KE) qëndrojnë vetëm tek masat e ndihmës ndaj shteteve tjera, e cila përfshin mbështetjen për operacionet për të ruajtur paqen. Duhet thënë se ky fond duket se ka për qëllim që të përmbushë vakumin e BE-së në politikën e jashtme dhe të sigurisë.

Në rastin konkret, pasi në fillim shtetet e BE-së vetëm e kanë dënuar sulmin rus dhe kanë ofruar ndihma humanitare, i vetmi opsion në këtë krizë të sigurisë dhe të mënjanimit të konfrontimit ushtarak me Moskën, mbetet forcimi ushtarak i Ukrainës me armë moderne dhe fonde për të luftuar Rusinë. Përveç kësaj, BE-ja, NATO-ja, SHBA-ja dhe shtetet mike të Ukrainës, kanë ofruar teknologji ushtarake për të rritur sigurinë dhe aftësitë mbrojtëse të Ukrainës, por gjithnjë duke refuzuar të hyjnë në një luftë të drejtpërdrejtë me Rusinë në Ukrainë.

Qeveria e Maqedonisë së Veriut gjithashtu njoftoi se është e gatshme të dërgojë ndihma ushtarake në Ukrainë. Pavarësisht fundit të konfliktit dhe ndarjes së sferave të interesit, BE-ja përherë të parë mund të themi se e përdori këtë instrument buxheti për të mbështetur përpjekjet ushtarake të vendeve jo anëtare për t’iu kundërvë agresionit të një shteti tjetër e këtu të Rusisë.

Lufta ruso -ukrainase gjithsesi do të inkurajojë garën ushtarake jo vetëm në BE, por edhe në Ballkanin Perëndimor duke i shtuar kërkesat e qeverive për armë dhe mjete tjera teknologjike ushtarake.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button