Prof. dr Spiroski: Diabeti i tipit 2 shfaqet edhe te fëmijët tetëvjeçarë, obeziteti tek fëmijët është faktor rreziku

Obeziteti i fëmijëve është një nga faktorët kryesorë të rrezikut për shumë sëmundje. Nëse, për shembull, diabeti i tipit 2 në të kaluarën është shfaqur rreth moshës 40 vjeçare, ai kufi sot është mjaft i ulët, kështu që diabeti i tipit 2 shfaqet edhe te fëmijët e moshës tetë ose dhjetë vjeç. Instituti i Shëndetit Publik publikoi një punim që i analizon ndryshimet në peshë të shtatëvjeçarëve në Maqedoninë e Veriut në periudhën nga viti 2010 deri në vitin 2019, dhe sipas gjetjeve në dokument, pesha e shtuar trupore e shtatëvjeçarëve është rritur ndjeshëm prej 34,4 për qind në vitin 2010, në 37,3 për qind në vitin 2019, shkruan Meta, transmeton Portalb.mk.

Për këto konstatime, si dhe për atë  se çka duhet bërë për të përmirësuar gjendjen me obezitetin tek fëmijët, bisedojmë me prof. Dr. Igor Spiroski, specialist i higjienës dhe ekologjisë shëndetësore dhe udhëheqës i departamentit për të ushqyerit dhe kontrolleve shëndetësore-higjienike në Institutin e Shëndetit Publik.

Sipas gjetjeve të fundit, ka një tendencë në rritje të numrit të fëmijëve obezë. Cila është arsyeja e këtij trendi?

Trendi është rezultat i dy niveleve, i pari është sjellja e fëmijëve dhe i dyti politikat që i zbaton shteti për uljen e obezitetit tek fëmijët. Sjellja e fëmijëve dhe mjedisi ku ata jetojnë, sjellja e prindërve dhe sjellja në mjedisin shkollor, kjo është njëra arsye. Nëse aty nuk kemi përmirësim nuk mund të presim përmirësim të prevalencës së obezitetit te fëmijët. Kurse arsyeja e dytë është e gjithë situata në aspektin e masave që zbatohen në nivel kombëtar, të cilat do të ishin përgjegjësi e vendimmarrësve, e që në Maqedoni nuk janë në nivelin e duhur dhe tani për tani nuk ndjekin as trendet evropiane as ato botërore.

Cilat sëmundjesh mund t’i shkaktojë obeziteti te fëmijët?

Obeziteti në fëmijëri është një nga faktorët kryesor të rrezikut për një sërë sëmundjesh jo të transmetueshme, si sëmundjet kardiovaskulare, sëmundjet e sistemit endokrin, veçanërisht diabeti dhe disa lloje kanceri lidhen me dietën dhe shtimin në peshë dhe obezitetin. Kjo paraqet rrezik për shfaqje të parakohshme të disa gjendjeve. Për shembull, nëse më parë diabeti shfaqej rreth moshës 40 vjeç, flasim për diabetin e tipit 2, atëherë ky kufi tani është mjaft i ulët dhe shohim raste të diabetit të tipit 2 edhe tek fëmijët e moshës 8, 10, 12 vjeç e kështu me radhë. Gjendja e statusit të mirë nutritiv do të parandalonte shfaqjen e parakohshme të këtyre sëmundjeve.

Në këtë drejtim, çfarë do t’i këshillonit prindërit, por edhe ata që janë përgjegjës për ushqimin e fëmijëve në shkolla, sepse një pjesë e mirë të kohës fëmijët e kalojnë atje?

Prindër, i këshillojmë që fillimisht të adoptojnë sjellje që nuk do të nxisin obezitetin. Sepse ata duhet të jenë të vetëdijshëm që si sillen ata, ashtu sillen edhe fëmijët e tyre. Fëmijët deri në një periudhë kohore, nuk mund të marrin vendime vetë, por e ndjekin atë që bëjnë prindërit e tyre. Sa i përket mjedisit shkollor, ku mund të veprohet më së shumti, do të rekomandoja që të ndiqen aktet e miratuara, e të cilat tashmë janë miratuar nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës dhe Ministria e Punës dhe Politikës Sociale. Instituti i Shëndetit Publik ndihmoi me gjithë zemër për miratimin e atyre akteve, rregullave për standardet e ushqimit si në kopshte ashtu edhe në shkollat ​​fillore, ndaj nëse i zbatojmë, mendoj se do të përmirësojmë situatën. Ndërsa jashtë shkollave, edhe në komunitetet në qytete edhe në bashkësitë lokale ka shumë për të bërë, kështu që është diçka në të cilën duhet të fokusohen vendimmarrësit.

Gjetjet e fundit mbi të cilat keni punuar tregojnë një rritje prej tre për qind në prevalencën mesatare të obezitetit në fëmijëri. Për çfarë bëhet fjalë?

Maqedonia ka 10 vjet që merr pjesë në iniciativën e Byrosë Evropiane të Organizatës Botërore të Shëndetësisë për monitorimin e obezitetit tek fëmijët. Kemi bërë përmbledhje të situatës për këto 10 vite, jemi një nga vendet e Evropës, nuk janë të paktë, por nuk janë edhe shumë, që kanë një rritje të asaj mesatare dhjetëvjeçare të monitorimit të obezitetit tek fëmijët. Prevalenca jonë mesatare e obezitetit te fëmijët është rritur nga 34 në 37 përqind. Dhe është interesant fakti që rritja e prevalencës së shtimit në peshë më së shumti ka të bëjë me obezitetin tek vajzat. Pra, rritja është e konsiderueshme te vajzat, këtë e kemi vërtetuar në një punim. Kurse te djemtë është disi e stabilizuar, por te vajzat kemi një rritje të ndjeshme dhe kjo do të thosha nxitja për të pasur një rritje të tillë për këtë dhjetëvjeçar.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button