fbpx

Kanada, në hapësirën e një ish-shkolle konvikti të kishës janë zbuluar 169 varre të fëmijëve

Në hapësirën e një ish-shkolle kishtare rezidenciale në rajonin Alberta të Kanadasë janë zbuluar varret e 169 fëmijëve të paregjistruar në regjistrat zyrtarë, transmeton Anadolu Agency (AA).

Sydney Halcrow, shefi i komunitetit First Nation në Albertën e Veriut, në një konferencë për shtyp njoftoi se kanë gjetur 169 varre fëmijësh në hapësirën e një ish-shkolle kishtare gjatë punimeve të cilat ishin në vazhdim prej një kohe të gjatë me radarë dhe dronë që mund të kontrollojë nëntokën.

“Luftëtarët tanë të vegjël kanë pritur që ne t’i gjenim ata. Tani do të sigurojmë që ata të prehen të qetë. Teksa gjetja e një varri është shumë, është e pakuptimtë të gjesh shumë varre”, tha Halcrow.

Bëhet e ditur se varret e 169 fëmijëve janë gjetur në një hapësirë të vogël që i përket shkollës konviktore të kishës St. Bernard’s.

Kisha Supernant, drejtoresha e Institutit të Arkeologjisë Indigjene pranë Universitetit të Albertës, e cila ka realizuar punimet, ka deklaruar se 54 varre janë gjetur pranë ndërtesës së murgeshave, ndërsa pjesa tjetër e mbetur, 115 varre, në varrezat e besimtarëve.

Duke vënë në dukje se edhe disa anëtarë të familjeve ndodhen në listën e të vdekurve në shkollë, Supernant tha se “Secili prej këtyre fëmijëve ishin një pjesë dashur e një familjeje dhe askush nuk është bërë përgjegjës për vdekjet e tyre”.

Shkolla konviktore e kishës St. Bernard’s cila u hap nga Kisha Katolike Romake në vitin 1894 dhe e cila u menaxhua deri në vitin 1961, në disa regjistra njoftohet si shkolla e kishës me konvikt Grouard.

– Kërkime do të zhvillohen edhe në dy pika të tjera të ndryshme

Ndërkohë thuhet se dy kërkime të ndryshme do të zhvillohen në rajonin Kapawe’no First Nation në afërsi të zonës ku janë gjetur varrezat.

Arthur Noskey, Shefi i Madh i Treaty 8, njoftoi se kërkimet do të përfshijnë hapësirën e një kishe anglikane dhe një zonë tjetër ku qëndrojnë zyrtarë përgjegjës për vendasit (indigjenët).

“Sikur kjo plagë nuk do të shërohet kurrë. Vazhdimisht hapet. Kur ne mendojmë se është shëruar, ajo hapet sërish. Por është e rëndësishme që bota ta shikojë se këto institucione nuk janë shkolla. Shërimi nuk do të vijë edhe pa pasur përgjigjet. E vërteta duhet të vijë para se të fillojë dakordimi. Shpresojmë që fëmijët që kemi gjetur tashmë të jenë të qetë që i kemi gjetur”, tha Noskey.

– Varret e para i gjetën në verën e vitit 2021

Në Kanada varret e paregjistruara të fëmijëve në oborrin e një shkolle kishtare rezidenciale erdhën në rendin e ditës për herë të parë me mbetjet kockore të 215 fëmijëve që u gjetën në oborrin e një shkolle në qytetin Kamloops në rajonin British Columbia në maj 2021.

Pas gjetjeve të para filluan kërkimet në hapësirat e ish-shkollave kishtare me konvikt në të gjithë vendin dhe më 24 qershor 2021 në kopshtin e shkollës kishtare Marieval në rajonin Saskatchewan u zbuluan varre me mbetjet e trupave të 751 fëmijëve të cilët nuk rezultonin në regjistrat zyrtarë.

Ndërkaq, më 30 qershor 2021 në afërsi të ish-shkollës misionare St. Eugene në rajonin British Columbia u përcaktua vendndodhja e varrezave të paregjistruara me mbetjet mortore të 182 fëmijëve.

Edhe në një njoftim me 12 korrik nga fisi indigjen Penelakut në Ishujt e Gjirit Jugor në rajonin British Columbia u njoftua gjetja e mbi 160 varreve “të padokumentuara dhe të pashënuara” në një zonë të shkollës kishtare me konvikt Kuper.

Po ashtu u njoftua se 93 varre të reja u zbuluan nga ekipet që kryen kërkime me radarë në një zonë 14 hektarë nga gjithsej 470 hektarë të shkollës misionare kishtare me konvikt St. Joseph’s në zonën Williams Lake First Nation në rajonin British Columbia.

Së fundmi në Kanada u zbuluan 54 varre të reja në skanimet me radarë që depërtojnë nëntokën në hapësirën e dy ish-shkollave të kishës në zonën Keeseekose First Nation në rajonin Saskatchewan.

– Abuzimi më i madh i fëmijëve në historinë e Kanadasë

Shkolla e parë e kishtare me konvikt e cila pranohet si “vendi ku është përjetuar abuzimi më i madh i fëmijëve në historinë e Kanadasë” u hap në fillim të viteve 1880 dhe e fundit u mbyll ë vitin 1996.

Në këto shkolla u vendosën mbi 150 mijë fëmijë duke u marrë me detyrim nga familjet e tyre, dhe një pjesë e këtyre fëmijëve u përballën me abuzime fizike, seksuale dhe psikologjike nga priftërinjtë, murgeshat dhe mësuesit e tjerë.

Krahas abuzimeve të regjistruara nga Komisioni i të Vërtetës dhe Pajtimit të themeluar në vitin 2010 në vend, është përcaktuar se mbi disa fëmijë janë kryer eksperimente mjekësore.

Qeveria federale e Kanadasë ka kërkuar falje zyrtarisht nga viktimat për ngjarjet e përjetuara në shkollat e kishave me konvikt ku mijëra fëmijë kanë humbur jetën si pasojë e urisë, të ftohtit dhe sëmundjeve.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button