fbpx

Avioni rus me karburant bërthamor u ul në Sllovaki edhe pse hapësira ajrore është e mbyllur

Një avion që transportonte karburant për dy termocentrale bërthamore sllovake u ul në Sllovaki të martën, pavarësisht se hapësira ajrore e vendit ishte e mbyllur për avionët rusë. Ministria e Ekonomisë konfirmoi se një avion i kompanisë Volga Dnepr kishte transportuar karburant bërthamor, raporton Euractiv.com, transmeton Portalb.mk.

Sllovakia është plotësisht e varur për karburantin bërthamor nga Rusia.

“Ekonomia sllovake tani ka rezerva të një mall tjetër strategjik. Jam i kënaqur që ia dolëm të sjellim karburantin”, tha ministri i Ekonomisë Richard Sulík (SaS).

Avioni udhëtoi për në Sllovaki përmes Bjellorusisë dhe Polonisë – e cila gjithashtu ka mbyllur hapësirën e saj ajrore për avionët rusë. Ministria e ekonomisë shpjegoi se ka përjashtime nga ndalimi për karburantin bërthamor dhe ndihmën humanitare.

“Ministria e Ekonomisë bashkëpunoi gjithashtu me ministren polake të Energjisë, Anna Moskwa. Sllovakia tani ka karburant të mjaftueshëm bërthamor”, njoftoi ministria, por nuk specifikoi se sa do të zgjasin rezervat.

Sllovakia ka dy termocentrale bërthamore – Jaslovské Bohunice dhe Mochovce. Në total, gjashtë reaktorë janë aktualisht në punë, ndërsa dy mbeten në ndërtim. Të gjithë ata përdorin karburant rus nga kompania TVEL. TVEL ka nënshkruar një kontratë me Sllovakinë që do të zgjasë deri në vitin 2026.

Tregu i karburantit bërthamor është i vogël pasi prodhimi i karburantit është një proces jashtëzakonisht i vështirë. Kompania ruse TVEL dhe kompania amerikane Westinghouse dominojnë tregun evropian, megjithëse karburanti amerikan është përgjithësisht më i shtrenjtë. Kjo është arsyeja pse Westinghouse humbi prokurimin publik për termocentralin në Mochovce në vitin 2018.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button