Osmani-Erdogan: Koha është që Kosova të anëtarësohet në NATO

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në konferencën e përbashkët për media në Ankara me presidentin e Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, ka deklaruar se “kur shohim ngjarjet në Ukrainë, natyrisht mendojmë se është koha që Kosova të anëtarësohet në NATO”, raporton Anadolu Agency (AA).

Presidentja Osmani u prit nga presidenti Erdogan në Pallatin Presidencial në Ankara me nderime më të larta shtetërore.

Në konferencën e përbashkët për media, presidentja Osmani tha se marrëdhëniet e tyre me Turqinë deri më tani kanë qenë shumë të mira dhe se po bëjnë përpjekje që të jenë të mira edhe në të ardhmen.

“E kemi parë mbështetjen tuaj në nivelin e marrëdhënieve mes nesh dhe mbështetjen tuaj në arenën ndërkombëtare. Ne do t’i zhvillojmë më shumë marrëdhëniet tona në fushat ekonomike dhe humanitare. Kosovës nuk i doli zëri në arenën ndërkombëtare, Turqia na ndihmoi në këtë drejtim dhe sot kujtojmë mbështetjen e dhënë nga vetë zoti Erdogan”, tha presidentja Osmani, duke falënderuar popullin dhe institucionet e Turqisë për mbështetjen e dhënë për Kosovën.

Ajo tha se vendi i saj i sheh përpjekjet e Turqisë për t’i çuar më tej marrëdhëniet mes dy vendeve në një nivel më strategjik, si dhe falënderoi presidentin Erdogan në emër të popullit dhe qeverisë së saj.

Presidentja e Kosovës theksoi se Turqia ishte një nga vendet e para që e njohu Kosovën dhe se Turqia ka qenë gjithmonë me ta, ka hapur dyert e komunikimit dhe ka punuar shumë që vende të ndryshme të botës ta njohin Kosovën.

“Ne ende po punojmë me Turqinë për këtë çështje. Kur shohim ngjarjet në Ukrainë, natyrisht ne mendojmë se është koha që Kosova të anëtarësohet në NATO. Roli i Turqisë në NATO është shumë i rëndësishëm, ndaj do të doja të falënderoja presidentin Erdogan për mbështetjen e tij në këtë çështje”, u shpreh Osmani.

Më tej, ajo tha se aleatët e Kosovës nuk e kanë lënë kurrë vendin vetëm, duke shtuar se, “Sidomos aleati ynë më i rëndësishëm, Republika e Turqisë, nuk na ka kthyer kurrë shpinën. Në emër të shtetit të Kosovës, në emër të qytetarëve të Kosovës, dua t’ju falënderoj shumë për mbështetjen tuaj të vazhdueshme. Besoj plotësisht se bashkëpunimin tonë do ta thellojmë edhe më shumë”.

Presidentja Osmani gjithashtu tha se është shumë e rëndësishme që të gjitha vendet e rajonit të jenë anëtare të NATO-s dhe Bashkimit Evropian (BE).

“Turqia na ka ndihmuar në këtë drejtim, ka treguar mbështetjen e saj. Ne presim mbështetjen e vendeve si Turqia në anëtarësimin në NATO”, tha Osmani.

Duke theksuar se marrëdhëniet mes dy vendeve janë shumë të thella, Osmani tha se, “Bashkëpunimi i ngushtë mes nesh do të thellohet, këtë bashkëpunim do ta çojmë në fusha të ndryshme. Do të zhvillojmë bashkëpunim në shumë fusha, veçanërisht në siguri, arsim, shëndetësi, ekonomi dhe ne do të punojmë për këtë çështje me potencial të plotë”.

Duke kujtuar se kanë parë mbështetjen e Turqisë në pritjen e emigrantëve nga Kosova në vitet e 90’ta, Osmani tha se ndihma e Turqisë për Kosovën gjatë pandemisë së koronavirusit të ri (COVID-19) ishte gjithashtu shumë e rëndësishme.

Osmani theksoi se ata mendojnë se Turqia mund të bëjë gjëra të mëdha për anëtarësimin e Kosovës në NATO dhe se shqiptarët që jetojnë në Turqi dhe turqit që jetojnë në Kosovë janë shumë të rëndësishëm për marrëdhëniet mes dy vendeve.

“Kosova mbështet plotësisht sovranitetin e Ukrainës. Ajo mbështet plotësisht popullin ukrainas. Sepse ne shohim se ata janë në një situatë të vështirë kundër agresionit rus. Unë gjithashtu vlerësoj mbështetjen që zoti Erdogan i ka dhënë popullit ukrainas”, tha Osmani, duke shtuar se kjo situatë është shumë e rëndë për të gjithë kontinentin.

Duke theksuar se synimi i Rusisë nuk është vetëm ndaj Ukrainës dhe se këtë ia ka përcjellë presidentit Erdogan, Osmani tha se në këtë çështje është përfshirë edhe krijimi i destabilitetit në Ballkanin Perëndimor dhe se Rusia gjithmonë e ka mbështetur Serbinë në këtë drejtim.

Ajo po ashtu tha se një Ballkan i paqëndrueshëm nuk do të jetë problem vetëm për njerëzit e rajonit, por do të jetë problem për të gjitha vendet.

“Nuk duhet të lejojmë asnjëherë që të prishet paqja e vendeve të Ballkanit. Nuk duhet të lëmë të preket sovraniteti i vendeve si Kosova dhe Bosnja, sepse Serbia po përpiqet të ecë përpara me mbështetjen e Rusisë në këtë sferë”, u shpreh ajo.

Osmani tha se janë në kontakt me aleatët e tyre dhe se do të punojnë që rajoni të mos de-stabilizohet.

Nga ana tjetër, presidenti Erdogan lidhur me anëtarësimin e Kosovës në NATO tha se, “Ne do të ndërmarrim hapa për të njohur Kosovën dhe ne e njohim Kosovën si anëtare të NATO-s”.

“Ne gjithmonë e kemi mbrojtur dhe e mbrojmë edhe sot se zgjerimi i NATO-s do të jetë i dobishëm. Derisa ne po ndërmarrim këto hapa, ne e duam këtë për paqen botërore”, deklaroi Erdogan.

Lidhur me luftën kundër FETO-s në Kosovë, sipas presidentit turk, “është shumë e rëndësishme t’i jepet fund ekzistencës së organizatës terroriste që ka vënë në shënjestër demokracinë tonë dhe ka martirizuar 251 qytetarë tanë”.

  • Dita e parë e konfliktit, lexo KËTU
  • Dita e dytë e konfliktit, lexo KËTU
  • Dita e tretë e konfliktit, lexo KËTU
  • Dita e katër e konfliktit, lexo KËTU
  • Dita e pestë e konfliktit, lexo: KËTU
  • Dita e gjashtë e konfliktit, lexo: KËTU

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button