Në Shkup u mbajt Panairi i parë rajonal rinor për punësim

Panairi i parë rinor rajonal për punësim u mbajt sot në hotelin “Aleksandar Pallas” në Shkup, i cili u vizitua nga më shumë se 150 persona të moshës nga 18 deri në 29 vjeç të cilët kërkojnë punë, informojnë nga Këshilli Nacional Rinor i Maqedonisë, shkruan Meta.mk, njofton Portalb.

Në panair u prezantuan më shumë se 30 kompani nga industri të ndryshme, midis të cilave TI, marketing dhe marrëdhënie me publikun, resurse njerëzore, tregti dhe shitje, si dhe arsimin joformal.

Panairi rajonal rinor për punësim u realizua në kuadër të projektit “MladiHub – zhvillim i aftësive për punësim, kompetencave dhe mundësive për rrjetëzim të të rinjve” i implementuar nga Këshilli Nacional Rinor i Maqedonisë me mbështetje financiare të Ambasadës Britanike në Shkup.

Hapja zyrtare e manifestimit filloi me fjalën përshëndetëse të përfaqësuesve të Këshillit Nacional Rinor të Maqedonisë dhe Ambasadës Britanike në Shkup, të cilët e theksuan rëndësinë e mbështetjes për të rinjtë që të përfshihen sa më të lehtë në tregun e punës.

“Jemi krenarë që si qeveri e Mbretërisë së Bashkuar kemi mundësi të mbështesim projekte që ofrojnë ndihmë të drejtpërdrejtë për të rinjtë në Maqedoninë e Veriut. Kjo përfshin iniciativa të tilla si MladiHub dhe Panairi Rajonal i Punësimit. Është me rëndësi të investohet tek të rinjtë sepse ata janë forca lëvizëse e së ardhmes. Ne punojmë me organizata lokale si Këshilli Nacional Rinor i Maqedonisë për të krijuar ya më shumë mundësi për të rinjtë duke i mbështetur aftësitë e tyre profesionale”, tha Andru Brend, menaxher programi në Ambasadën Britanike në Shkup.

Krahas stendave të vendosura, në kuadër të panairit të sotëm u mbajt edhe “speed dating”, përkatësisht takime të fokusuara ndërmjet kandidatëve dhe kompanive në një periudhë të shkurtër kohore dhe u realizuan më shumë se 100 intervista pune.

Të rinjtë, të cilët ishin pjesë e këtij manifestimi patën mundësi të ndjekin një trajnim të shkurtër për orientim në karrierë, që u organizua nga Këshilli Nacional Rinor i Maqedonisë dhe organizata partnere CEED Hub Shkup.

“Nëpërmjet programit praktik që e realizuam vitin e kaluar, i cili dha rezultate të shkëlqyera, tanimë patëm mundësi të jemi ndërmjetësues midis të rinjve që kërkojnë punë dhe kompanive që ofrojnë punë. Pikërisht për këtë arsye, besojmë se ky panair, i cili është konceptuar si platformë për rrjetëzimin e punëkërkuesve të rinj me kompanitë përkatëse, do të rezultojë me njohje të reja, përvoja, por edhe sa më shumë vende pune për të rinjtë në rajon”, tha Mariana Angellova, sekretare e përgjithshme e KNRM-së.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button