Vendosja e çadrës përmbi deponinë e vogël me lindan është në fazën përfundimtare

Kompania “Polieko” është në fazën përfundimtare të vendosjes së çadrës mbrojtëse mbi deponinë e vogël me lindan në OHIS. Konstruksioni metalik mbi të cilin do të vendoset çadra është gati, pasi gjatë muajve të kaluar është pastruar terreni, janë hapur kanale dhe vendosje të themeleve për konstruksionin. Çadra, e cila do të vendoset mbi tërë lokacionin e deponisë së vogël dhe është me sipërfaqe prej rreth 3000 metra katrorë, duhet të sigurojë gërmim të sigurtë të mbeturinave të deponuara, paketim dhe transportim deri në lokacionet për shkatërrim të sigurtë, shkruan Meta.mk, njofton Portalb.

Gjithë procesin në vazhdimësi po e ndjek Inspektorati Shtetëror i Mjedisit Jetësor, prej nga informojnë se mbikëqyrjet do të vazhdojnë edhe pasi të fillojnë aktivitetet për gërmimin e deponisë.

“Aktivitetet përfundimtare për vendosjen e çadrës në të cilën do të realizohet operacioni i paketimit të lindanit janë në vazhdim e sipër. Inspektime të rregullta janë kryer nga inspektorët shtetërorë të mjedisit jetësor nga Sektori për inspektime mjedisore – Rajoni i Shkupit, dhe ISHMJ në vazhdimësi do ta monitorojë gjendjen në të ardhmen dhe do të vazhdojë të realizojë inspektime”, thonë nga Inspektorati.

Çadra mbrojtëse do të funksionojë në kushte të presionit negativ, ashtu që nuk do të lejojë daljen e grimcave të vogla të pluhurit nga deponia dhe emetimet e padëshiruara të materialit të kontaminuar në ajër. Gjatë pastrimit, kontraktuesi do të jetë i detyruar të monitorojë vazhdimisht cilësinë e ajrit dhe ujërave nëntokësore. Punonjësit të cilët do të trajtojnë mbetjet do të kenë trajnim të veçantë për atë se si t’i hedhin, paketojnë dhe ruajnë siç duhet mbetjet. Destinacioni përfundimtar për shkatërrimin e sigurt të kimikatit të rrezikshëm janë Franca dhe Holanda.

Pastrimi i deponisë së vogël me lindan në OHIS është paralajmëruar se do të zgjasë rreth një viti. Aty ka rreth 7000 tonë kimikate të rrezikshme dhe tokë të kontaminuar, të cilat qëndrojnë për pesë dekada në oborrin e ish-gjigantit kimik. Megjithatë, heqja e lindanit dhe rreziku i ndikimit të tij në mjedis nuk përfundon me këtë projekt. Mbetet deponia e madhe, që është ngjitur me deponinë e vogël dhe ka rreth 52 mijë tonelata lëndë kimike të rrezikshme të depozituara, për të cilën do të kërkohen fonde shtesë, por edhe dy deponie të tjera që nuk janë hulumtuar ende dhe sasitë e depozituara këtu vetëm supozohen. Njëra ndodhet në oborrin e fabrikës, ndërsa tjetra në zonën e Pelenicës, afër Draçevës.

Lindani është një përbërës organik i halogjenizuar, prodhimi dhe përdorimi bujqësor i të cilit si insekticid u ndalua sipas Konventës së Stokholmit për ndotësit organikë të qëndrueshëm, sepse ka ndikim negativ në sistemin nervor, mëlçinë dhe veshkat dhe mund të jetë kancerogjen. Rreziku nga ndikimi i tij në mjedis është serioz, prandaj institucionet, ekspertët dhe profesorët një kohë më të gjatë paralajmërojnë se duhet të pastrohet në tërësi.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button