fbpx

Orbani u shpreh në lidhje me sanksionet e BE-së kundër Rusisë

Hungaria do t’i mbështesë të gjitha sanksionet e Bashkimit Evropian kundër Rusisë dhe nuk do të bllokojë asgjë, tha kryeministri i këtij vendi, Viktor Orban, raporton REL. “Atë që e vendosin kryeministrat e BE-së, e pranojmë dhe e mbështesim edhe ne”, tha Orban, duke folur në kufirin midis Hungarisë dhe Ukrainës.

“Kjo është koha për të qenë të bashkuar. Është luftë”, tha ai dhe shtoi se përpjekjet për paqe janë më të rëndësishmet.

Sipas gazetës britanike Guardian, Orban është konsideruar më herët si njëri nga aleatët më të ngushtë të presidentit rus, Vladimir Putin, brenda BE-së.

Bashkimi Evropian, deri më tani, ka shpallur tri runde sanksionesh kundër Rusisë, për shkak të pushtimit të Ukrainës.

Sanksionet e BE-së, që godasin edhe presidentin rus, Vladimir Putin, dhe ministrin e tij të Jashtëm, Sergei Lavrov, duhet të miratohen me unanimitet.

Rusia ka nisur ofensivën ushtarake në Ukrainë më 24 shkurt. Putin ka thënë se ka autorizuar “një operacion të posaçëm ushtarak”, për të eliminuar, sipas tij, kërcënimin serioz nga Ukraina.

Qëllim i operacionit, ka thënë Putin, është çmilitarizimi i fqinjit jugor të Rusisë. Perëndimi e ka dënuar ashpër këtë akt, duke e cilësuar si shkelje të sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button