Banka Popullore: Kishte sulm të shkurtër në faqet e bankave, nuk ka rrezik për të dhënat

Mbrëmë, për një periudhë të shkurtër kohore, është penguar apo bllokuar qasja në faqet e internetit të Bankës Popullore dhe bankave vendore, si  rezultat i një sulmi DDoS, njoftoi Banka Popullore, trasmeton Portalb.mk.

“Kjo u tejkalua në kohën më të shkurtër të mundshme përmes masave të ndërmarra nga Banka Popullore, bankat dhe ueb-provajderët. Siguria, gjegjësisht konfidencialiteti dhe integriteti i të dhënave nuk është vënë asnjëherë në dyshim”, pohon Banka Popullore.

Nga atje shpjeguan se DDoS është sulm i ueb-faqes, në të cilin një numër i madh klientësh fiktiv nga lokacione të ndryshme pretendojnë se duan informacion nga faqja, për shkak të së cilës serveri është i mbingarkuar dhe ka nevojë për më shumë kohë për t’iu përgjigjur kërkesave nga përdoruesit e vërtetë. Megjithatë, në këtë rast, as shërbimi nuk fiket dhe as përmbajtja e faqes në internet nuk ndryshohet.

“Në përputhje me trendet botërore, Banka Popullore, së bashku me bankat, vazhdimisht po punon për forcimin e qëndrueshmërisë së sistemeve informative, monitoron kërcënimet e reja që lidhen me hapësirën digjitale dhe vazhdimisht merr masa për rritjen e mbrojtjes së sigurisë”, thuhet në njoftimin e Bankës Popullore.

Hakerët e grupit që e quan veten “Ushtria e fuqishme greke” mbrëmë në Twitter u mburrën se kishin kryer sulme në disa banka maqedonase.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button