U promovua trajtimi i ri i mbeturinave mjekësore në “Drislla”, LSDM thotë se Qyteti i Shkupit mburret me projektet e të tjerëve

Kryetarja e Shkupit Danela Arsovska dhe drejtori i NP “Drislla”, Jane Micevski, sot e promovuan sterilizuesin e ri – autoklavën për trajtimin e mbeturinave mjekësore, raporton Meta, përcjell Portalb.mk.

“Me rëndësi është se më nuk do të ketë djegie të papërshtatshme, gjegjësisht të papërgjegjshme të mbetjeve mjekësore, të cilat deri më tani praktikisht trajtoheshin si mbetje të zakonshme. Ky trajtim i mbeturinave mjekësore është sipas standardeve më bashkëkohore që e mbron mjedisin dhe në të njëjtën kohë e mbron edhe shëndetin e qytetarëve”, tha kryetarja Danela Arsovska.

Mbetjet mjekësore që përfundojnë në deponinë e Shkupit nuk do të digjen më, por do t’i nënshtrohen procesit termik për të neutralizuar plotësisht mundësinë që ato të infektojnë dikë. Pas sterilizimit, mbetjet do të copëtohen në copa të vogla dhe të holla me një grirëse, ashtu që nuk do të digjen më.

Autoklava është blerë nga kompania italiane CISA dhe për funksionimin e saj në “Drislla” është ndërtuar një objekt krejtësisht i ri me laborator dhe ambiente pune. Për ndërtimin e objektit ku ndodhet autoklava janë investuar rreth gjysmë milioni euro.

LSDM-ja sot reagoi për vënien në punë të autoklavës, duke theksuar se kryetarja Arsovska mburret me projektet e realizuara në “Drislla” nga qeverisja e kaluar e udhëhequr nga kryetari Petre Shilegov.

Pajisja për trajtimin e mbeturinave mjekësore, të cilën e promovoi Arsovska, është blerë dhe vënë në funksion nga autoritetet e qytetit nën udhëheqjen e paraardhësit të saj Petre Shilegov”, thuhet në komunikatën e LSDM-së.

Socialdemokratët përkujtojnë se kryetari i mëparshëm Shilegov arriti ta kthejë deponinë nën menaxhimin e Qytetit të Shkupit, pasi kryetari i mëparshëm, nga VMRO-DPMNE, Koce Trajanovski ia dha me koncesion një kompanie italiane, e cila nuk i investoi 70 milionë eurot e premtuara siç ishte marrëveshja dhe i ka trajtuar mbetjet në mënyrë të papërshtatshme.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button