Gjermania ashpërsoi kërkesën për gjermanët të largohen menjëherë nga Ukraina, ka ndërprerë dhe fluturimet

Zyra e jashtme federale u ka kërkuar gjermanëve të largohen menjëherë nga Ukraina, ndërsa linjat ajrore do të ndalojnë fluturimet për në Kiev dhe Odessa nga sot, raporton Euroactiv, transmeton Portalb.mk.

Përballë tensioneve në rritje midis Rusisë dhe Ukrainës, qeveria urgjentisht u bëri thirrje të gjithë qytetarëve gjermanë të largohen nga Ukraina, sipas një deklarate të lëshuar në fundjavë.

Zyra e Jashtme lëshoi një paralajmërim udhëtimi për Ukrainën një javë më parë duke i kërkuar kujtdo që pa ndonjë arsye të rëndësishme që qëndronte në Ukrainë të largohej sa më shpejt para se të bëhet vonë.

“Konflikti ushtarak është i mundur në çdo moment. Në rast të sulmit rus në Ukrainë, mundësitë për të mbështetur qytetarët gjermanë do të jenë shumë të kufizuara”, thuhet në deklaratë.

Të premten, presidenti amerikan Joe Biden tha se ishte “i bindur” se presidenti rus Vladimir Putin kishte vendosur të pushtonte Ukrainën brenda javës. Megjithatë, ministrja e jashtme gjermane Annalena Baerbock tha se një sulm i tillë nuk ishte akoma i sigurt.

Ndërkohë, grupi gjerman i linjës ajrore Lufthansa njoftoi se do të ndalojë fluturimet drejt kryeqytetit të Ukrainës, Kievit, si dhe Odesës nga sot. Për momentin, pezullimi do të zgjasë deri në fund të muajit. Përveç vetë Lufthansa, grupi përbëhet nga Brussels Airlines, Eurowings, Swiss dhe Austrian Airlines.

Megjithatë, fluturimet për në qytetin e Lviv në Ukrainën Perëndimore do të vazhdojnë të funksionojnë rregullisht, sipas Lufthansa-s.

Kujtojmë se, Rusia ka grumbulluar më shumë se 150,000 trupa në kufi me Ukrainën, duke e rrethuar atë nga tre anë, në Krime në jug, në anën ruse të kufirit dhe në Bjellorusi në veri. Në zonën kufitare, Moska ka zhvilluar një sërë stërvitjesh ushtarake, duke rritur shqetësimin se mund të jetë duke u përgatitur për një sulm të ri, pasi Rusia më 2014 pushtoi Gadishullin ukrainas të Krimesë.

Por Rusia deri më tani mohon të pushtojë Ukrainën. Shumë vende përfshirë SHBA-të, Britaninë e Madhe, Gjermaninë, Francën, RMV-në, Shqipërinë dhe të tjera u kanë bërë thirrje shtetasve të tyre të largohen nga Ukraina.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button