Llavrov akuzoi se mercenarë nga Ballkani luftojnë në Donbas, Zelenski thotë jemi gati për bisedime

Ministri i Jashtëm rus Sergej Llavrov sot tha që Rusia po i verifikon informacionet se në Kosovë, Shqipëri dhe Bosnjë e Hercegovinë janë duke u rekrutuar mercenarë për t’u dërguar të luftojnë në Donjeck dhe Lugansk, njoftoi Radio-televizioni  Vojvodina, transmeton Meta.mk.

Llavrov deklaroi për RT se nga këto vende po rekrutohen dhe po dërgohen forca të cilat duhet të përdoren në Donbas për ta nxjerrë Rusinë nga baraspesha.

“Kosova dhe disa pjesë të tjera të Ballkanit Perëndimor janë shndërruar në tokë pjellore për krim. Atje ka terroristë, tregtarë droge. Ata po rekrutojnë mercenarë për të marrë pjesë në veprimet luftarake të cilat ata po i ndezin gradualisht, duke përfshirë Shtetet e Bashkuara”, tha Ministri rus Llavrov.

Përndryshe, ministri rus pohoi se janë duke i verifikuar informacionet e tilla, por nuk publikoi asnjë provë. Megjithatë, akuza të tilla, që u plasuan nga Lavrov, tashmë u vërtetuan para disa vitesh për pjesëmarrjen e serbëve në forcat paraushtarake në Donbas, ku mercenarë ishin përfshirë në njësinë ushtarake private ruse “Vagner”. Në vitin 2018, Ukraina reagoi ndaj Serbisë për mercenarët e tillë.

Radio Evropa e Lirë në serbisht në vitin 2018 transmetoi edhe intervistë me një nga vullnetarët serbë që luftonin në anën e forcave paraushtarake pro-ruse në vitin 2014 dhe i cili u dënua në Serbi për pjesëmarrje në luftë jashtë vendit. Pavarësisht dënimit me kusht në Serbi, ai është kthyer sërish për të luftuar në Lugansk.

Derisa vazhdojnë akuzat nga të dyja palët për përfshirjen e vullnetarëve të huaj në konfliktin ukrainas, presidenti i Ukrainës Volodimir Zelenski tha se vendi i tij është gati për bisedime me Rusinë për të vendosur paqen, pavarësisht konfliktit aktual në Ukrainë, bëjnë të ditur mediat botërore.

“Jam gati për bisedime në çdo format”, tha Zelenski dje gjatë një vizite në vijën e demarkacionit në qytetin ukrainas të Mariupol.

Në të njëjtën kohë, ai shtoi se mbështet përpjekjet e vendeve të tjera për të ofruar ndihmë në organizimin e një takimi me palën ruse. Zelenski tha se edhe Ukrainës nuk i duhen trupa nga vendet e tjera, në territorin e saj, sepse nuk duan t’i japin Rusisë arsye shtesë për të akuzuar se Rusia duhet të mbrojë veten për shkak të “bazave të huaja” në territorin e Ukrainës. Sekretari amerikan i Shtetit Entoni Blinken planifikon që javën e ardhshme të takohet me Ministrin e Jashtëm rus Sergej Llavrov për të diskutuar rreth situatës në Ukrainë.

Ditët në vijim do të ketë një sërë takimesh për situatën në Ukrainë, duke nisur nga takimi i sotëm i presidentit amerikan Xho Bajden me liderët e Kanadasë, Francës, Gjermanisë, Italisë, Polonisë, Rumanisë dhe Britanisë Madhe, ndërsa takime janë paraparë edhe në margjinat e Konferencës 58-të Sigurisë në Mynih, e cila fillon sot dhe do të zgjasë deri më 20 shkurt.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button