MJERIMI – STIMULUES I SHPIRTIT

Emil Siorani (1911-1995), filozofi dhe eseisti francez me origjinë rumune, është njëri ndër autorët e mi të preferuar. Disa e konsiderojnë pesimist, për shkak të veprave që trajtojnë vuajtjen, prishjen dhe kalbëzimin e shoqërisë njerëzore. Për mua, ndërkaq, është shkrimtari që shpërfaqi guximshëm e me sinqeritet të vërtetat tronditëse, me të cilat është ballafaquar bota që nga krijimi i saj. Pikërisht për këtë, në veçanti për lexuesit që nuk kanë pasur mundësi të lexojnë diçka prej këtij gjeniu, përktheva shkrimin e mëposhtëm, që duket si i shkruar enkas për hapësirën dhe kohën tonë.

*

Jo vetëm kafeja, sëmundja, pagjumësia ose frika nga vdekja na e mban shpirtin në gjendje të zgjuar. Mjerimi e arrin këtë në masë të njëjtë, nëse jo dhe më shumë: tmerri nga dita e nesërme apo nga përjetësia, mungesa e parave dhe shqetësimet metafizike e përjashtojnë rehatinë dhe moskokëçarjen. Të gjithë poshtërimet vijnë për shkak të pavendosmërisë sonë për të vdekur nga uria. Këtë frikë e paguajmë shtrenjtë. Të jetosh në shërbim të njerëzve dhe të mos kesh vokacion lypsari! Të poshtërohesh para këtyre majmunëve arrogantë, të lumtur e të veshur mirë. Të varesh nga mëshira dhe pamëshirshmëria e këtyre karikaturave që nuk janë të denja as për përbuzje! Është turp të kërkohet çfarëdoqoftë që nxit dëshirën për shkatërrimin e këtij planeti, me hierarkitë e tij dhe degradimin që përmbajnë ata. Shoqëria nuk është e keqe po fatkeqësi. Të jetosh në të është vërtet çudi e marrëzishme! Kur e vëren në gjendje të zemëruar dhe moskokëçarëse, bëhet e pashpjegueshme si nuk ia doli askush ta rrënojë këtë ngrehinë, sikur nuk u gjetën gjertani koka të mençura, të cilët do ta zhbënin, pa lënë asnjë gjurmë të saj.

Ndërmjet lypjes së një monedhe në qytet dhe pritjes së përgjigjes nga heshtja  e universit ekzistojnë shumë ngjashmëri. Kopracia sundon zemrat dhe materien. Në djall të mallkuar me ketë ekzistencë të mjerë! Ajo pastron paratë dhe fshehtësitë: çantat janë po aq të paarritshme sa thellësitë e të panjohurës. Por, kush e di? Ndoshta një ditë do të dalë sheshit e Panjohura dhe t’na e zbulojë thesarin e saj. Megjithatë,  gjersa të rrjedhë gjaku në vena, i pasuri nuk do t’i zhgroposë kurrë paratë e tij…  Do t’i pranojë turpet, veset, krimet, por për sa i përket pasurisë së tij do të të gënjejë, do të të besojë për gjithçka, do ta posedosh dhe jetën e tij, por nuk do të ndash me të sekretin e fundit, sekretin e parave të tij… Мjerimi nuk është një gjendje kalimtare: ai përkon me besueshmërinë se, çfarëdo që të ndodhë, nuk do të kesh kurrë asgjë, se ke lindur në këtë anë të rrotullimit të së mirës, ​​se do të duhet të luftosh për të marrë frymë, se duhet të pushtosh madje dhe ajrin, madje edhe shpresën, madje dhe ëndrrën. Edhe nëse shoqëria do të zhdukej, natyra nuk do të ishte më e mëshirshme apo më pak e prishur për ty. Asnjë parim atëror nuk u kujdes për Krijimin; gjithandej thesare të gropuara: Ja  Arpagon demiurgu, gënjeshtari dhe kopraci suprem. Është ai që mbolli brenda teje frikën për ditën e nesërme: përse do të habiteshit që edhe vetë religjioni është një formë e kësaj frike?Për varfanjakët e të gjitha kohërave, mjerimi është si një mjet iritimi që e pranuan një herë e përgjithmonë, pa pasur mundësi të shmangin ndikimin e tij, ose si një shkencë të  lindur, e cila, para çdo njohje të jetës, do të ishte në gjendje të përshkruajë ferrin. …

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button