Kontratat në vepër, Ahmeti: Kasami të flet me argumente, Kasami: Isha i qartë në atë që thash

Publikimi i kontratave në vepër të Komunës së Tetovës për vitin 2021 kur në krye ishte Teuta Arifi, këto ditë ka qenë temë diskutimi dhe përplasje midis pushtetit lokal të Tetovës dhe atij paraprak. Sot, i pyetur për këtë, kreu i BDI-së, Ali Ahmeti tha që Kasami duhet të flet me argumente, ndërsa ky i fundit u përgjigj duke thënë se ishte i qartë në atë që ka thënë, transmeton Portalb.mk.

I pyetur për akuzat e kryetarit të Komunës së Tetovës në adresë të BDI-së për keqpërdorim të buxhetit komunal, kryetari i BDI-së tha se Kasami nuk duhet të përfitojë pike politike me gjëra të paargumentuara

“Nëse zotëri Bilall Kasami ka argumente për të cilat ai flet, ka institucione, ka organe që mund të ngris këto çështje. Nuk do të doja që për çështje të politikave ditore për të përfituar terren politik, për të denigruar personalitete, për të denigruar parti politike të shfrytëzohet gjëra të paargumentuara në një proces juridik”, tha Ahmeti duke shtuar se nuk ka pasur kohë të kontaktojë me ish kryetaren Arifi këto ditë.

Nga ana tjetër Kasami përmes një postimi në rrjetin e tij social tha se shpalosja e keqmenaxhimit të qeverisjes së kaluar në Komunën e Tetovës ka qenë në zotimet e tyre parazgjedhore.

“Deklaratat e mia si kryetar komune janë të qarta dhe mirë të argumentuara. Qytetarët e Tetovës kanë të drejt të dinë se ku janë harxhuar parat e tyre. Në të gjitha dokumentacionet dhe gjitha shkeljet që do t’i detektojmë, do t’i procesojmë para organeve të drejtësisë. Qytetarët e Tetovës kanë të drejtë ta dinë zullumin e shkaktuar nga keq-qeverisja”, tha Kasami.

Ndryshe, Komuna e Tetovës me 8 shkurt publikoi listën e  personave të punësuar në komunë përmes kontratës në vepër shifra e të cilave ishte 811, por nga Komuna për Portalb.mk konfirmuan se numri i kontratave është 809 pasi ka ndodhur një ngatërresë dhe në shifrën e përgjithshme janë futur edhe dy kontrata nga viti 2020.

Komuna në publikim nuk e bëri ndarjen se sa prej këtyre personave kanë qenë në punë dhe kanë dorëzuar raport dhe sa kanë marrë para nga taksat e qytetarëve tetovar duke mos punuar. Së fundmi, kryetari i Komunës në emisionin Click Plus njoftoi se bëhet fjalë për 544 persona të angazhuar, prej të cilëve 250 kanë dorëzuar raport ndërsa 294 nuk kanë dorëzuar raport, në total këto kontrata buxhetit të Komunës i kanë kushtuar 1.1 milion euro.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button