Dialogu në fokusin e letrave të urimit të liderëve botërorë për 14-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës

Në prag të shënimit të 14-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, liderë botërorë kanë adresuar urimet e tyre. Në pjesën më të madhe të këtyre urimeve, përkrah mbështetjes për Kosovën, është përçuar mesazhi për dialog konstruktiv me Serbinë.

Një prej sfidave më të mëdha për politikën e jashtme të Kosovës e ka cilësuar procesin e bisedimeve me Serbinë presidenti i Gjermanisë, Franz-Walter Steinmeier, transmeton Koha.net.

Ai, në letrën e urimit për 14-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës, adresuar presidentes Vjosa Osmani, ka theksuar se nga Qeveria pritet angazhim konstruktiv në dialogun me Serbinë.

“Në të njëjtën kohë dialogu me Serbinë mbetet me gjasë sfida më e madhe në politikën e jashtme të Kosovës. Unë kam besim në angazhimin konstruktiv të Qeverisë suaj për bisedimet e ardhshme në kuadër të dialogut të udhëhequr nga BE-ja përmes të ngarkuarit të posaçëm Miroslav Lajçak, të cilin e mbështes me bindje të plotë. Kosova mund të ketë besim se te Gjermania do të gjejë një mike dhe partnere të besueshme në krah të saj”, ka thënë në letrën e tij presidenti gjerman.

Dialogu me Serbinë dhe normalizimi i marrëdhënieve me fokus në njohjen e ndërsjellë ka qenë pjesë përbërëse edhe e urimit të presidentit Joe Biden, të bërë një ditë më parë.

“Jemi të kënaqur që Kosova po vazhdon të ndërtojë dhe të forcojë marrëdhëniet e saj pozitive me vendet fqinje dhe do të vazhdojmë të mbështesin përpjekjet e juaja drejt një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse të normalizimit me Serbinë, të përqendruar në njohjen reciproke”, ka thënë Bideni.

Ndërsa në urimin për 17 shkurtin, presidenti i Italisë, Sergio Mattarella, ka ofruar mbështetje për konsolidimin e institucioneve demokratike.

“Në vazhdën e miqësisë dhe afërsisë që bashkon vendet tona, Italia do të vazhdojë ta mbështesë Kosovën në përpjekjet e saj për konsolidimin e institucioneve demokratike, në një perspektivë evropiane që urojmë se do të jetë gjithnjë e më e prekshme. Në këtë frymë do të vazhdojmë të punojmë për ta sjellë Kosovën dhe shoqërinë e saj civile më afër Evropës, veçanërisht brezat e rinj”, është shprehur Mattarella.

Urim për Pavarësinë, Kosova ka marrë edhe nga mbretëresha e Britanisë së Madhe, Elizabeth.

“Me rastin e festës së rëndësishme të Ditës suaj të Pavarësisë, dua ta përgëzoj Shkëlqesinë Tuaj dhe t’ia dërgoj urimet e mia popullit të Kosovës. Ndërsa i kapërcejmë sfidat globale shëndetësore së bashku, me vendosmëri dhe këmbëngulje, uroj që të kemi periudha më të mira në të ardhmen”, ka thënë mbretëresha e Britanisë.

Në prag të shënimit të përvjetorit të 14-të të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, presidentja Osmani ka marrë urime edhe nga liderë të shteteve të tjera mike.

E për shënimin e këtij përvjetori, të enjten janë organizuar një varg aktivitetesh, në mesin e të cilave është edhe një seancë solemne e Kuvendit të Kosovës.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button